Pazari i Saimir Tahirit në emër të krimit: “Të legalizojmë kanabisin për përdorim masiv”

Edi Rama në muajt e parë të mandatit të dytë qeverisës ka treguar se çekanët e pushtetit rrahin tek disa çështje primare, të cilat të gjitha lidhen me nivelin e pasurisë që do të akumulojë deri në 2021 klika e ministrave në pushtet, familjarët e kryeministrit dhe oligarkët-klientë të qeverisë. Por nëse kryebaroni mendon si të bëjë para duke falimentuar vendin, një tjetër ide  më të çmendur artikulon Saimir Tahiri, ish-ministri simbol i kanabisit dhe krimit të organizuar. Ditën e djeshme Tahiri u ndal në godinën e Kuvendit, për të rikthyer edhe njëherë në vëmendjen e deputetëve, disa projektligje të propozuara prej tij në kohën kur drejtonte Ministrinë e Brendshme, ku një prej tyre konsiston në dëshirën e tij për ta legalizuar bimën e së keqes, që i bëri peshqesh shqiptarëve. Tahiri tha për mediat se Shqipëria është i vetmi vend që dënon njëlloj si atë që kapet me disa gram kanabis, po ashtu edhe atë që kapet me tonelata të tëra, ndaj duhen miratuar ndryshime në Kodin Penal. “Kam rikujtuar për Parlamentin propozimet që kam bërë në një vit më parë për disa ndryshime në Kodin Penal për kultivimin dhe trafikimin e drogës. Është vetëm Shqipëria vendi i cili dënon njësoj si atë që kapet me një gram hashash më atë që transportohen tonelata, por ashtu dënohen njëlloj ai që kultivon 10 rrënjë dhe ai që kultivon parcela të tëra”, u shpreh Tahiri. Në thelb propozimi i ish-ministrit është konkretizimi i një ligji që ka të bëjë me depenalizimin dhe që Tahiri e mbron sepse gjithçka shkon në funksion të pazareve që ia ka bërë me bandat që kontrollojnë biznesin e nakrotikëve në vend. Kështu Tahiri pa marrë fare parasysh faktin se kanabisi cënoi seriozisht ekuilibrat socialo-ekonomikë të shqiptarëve, po rifabrikon një draft të dalë nga zyrat e “Rilindjes” që më tepër e legalizon drogën sesa e frenon atë. “Shitja e tregtia e lëndës narkotike është vepër penale e dënueshme nga 1 deri në 5 vjet burg për sasi të vogla, e 1 deri në 10 vjet burg në sasi më të mëdha. E njëjta gjë do vlejë edhe për kultivimin e bimëve narkotike, pra një dispozitë e veçantë për importimin, eksportimin, tranzistimin, mbajtjen blerjen e shitjen e farave të kanabisit. Do dënohet nga 3-7 vjet, kultivimi në sasi mesatare, kultivimi në sasi që nuk janë më të vogla do dënohet me 1-3 vite, kultivimi në sasi të mëdha nga 5-10 vjet”, deklaronte Tahiri në Kuvend, rreth dy vite më parë kur parashtronte projektligjin për rritjen e viteve të dënimit për poseduesit dhe kultivuesit e lëndëve narkotike. Por fushata e ashpërsimit të dënimeve për trafikun e drogës, nën propozimin e Saimir Tahirit shndërrohet në një legalizim të fshehtë të konsumimit të kanabisit, heroinës dhe kokainës. Ky draft nxjerr totalish jashtë lojë nenin ekzistues 283 të Kodit Penal dhe bën që konsumatori i lëndëve narkotike të mos ndiqet penalisht, ndërsa kultivuesi i sasive të vogla të “ledhatohet” me dënim. Tahiri e mbron propozimin e tij me justifikimin se po kërkon që Shqipëria të barazohet me vendet evropiane, por ai më mirë se kushdo tjetër e di se ndryshimi masivizon përdoruesit e drogave, lehtëson gjetjen e forcave punëtore prej trafikantëve dhe përjetëson një treg të konsumimit të drogave në Shqipëri, duke i shkaktuar një dëm të parikuperueshëm shoqërisë shqiptare, e cila do të vendoset më lehtë në shërbim të qëllimeve keqdashëse të krimit të organizuar. Një shoqëri e orientuar nga filozofia kanabiste dhe kriminale është ajo çka gatuhet në kazanin e qeverisë dhe të gjitha argumentat e Tahirit, kanë për qëllim të ruajnë të sigurta interesat që lidhen me narkotrafikantët dhe biznesin që duke gjeneruar miliona euro para të pista, i lejon socialistëve komoditetin e të blerit të pushtetit.

 

 

 

 

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>