PD denoncon skandalin e radhës me emërimet e Kryeministrit

rama

Personi i shpallur në kërkim ndërkombëtar, gjendet nga Rama dhe emërohet Drejtor i Zyrës së Punës në Kavajë

 

 Partia Demokratike ben nje denoncim te dyte per emerimet e personave te shpallur ne kerkim ne krye te institucioneve. Zedhenesja Laura Vorpsi tha se Edi Rama caktoi ne krye te sherbimit te punesimit ne Kavaje nje person te shpallur ne kerkim nderkombetar per kontrabade.

Deklarata e zëdhënëses së PD, Laura Vorpsi
Një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga prokuroria dy vite më parë, me akuzën e kontrabandës, është gjetur nga Edi Rama, dhe është emëruar menjëherë Drejtor i Zyrës së Punësimit në Kavajë.
Dy vite më parë, në verën e vitit 2012 Saimir Kurti, u zbulua nga autoritetet doganore teksa një kontenier që vinte nga kina plot me cigare, e deklaronte si të mbushur me dyer, për të shmangur detyrimin prej 400 milionë lekësh.
U kallëzua, dhe u shpall në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria.
Pak ditë më parë, ky person ka marrë postin e lartë të Drejtorit të Zyrës së Punës në Kavajë, i propozuar nga Erion Veliaj, në një ceremoni më shumë ngjyra, ku prezantimin ia ka bërë Kryeministri, Edi Rama.
Mund ta dalloni në këtë foto, personin e shpallur në kërkim për kontrabandë, që qëndron para kryeministrit dhe në krah të ministrit.
Nuk do mend e kalem, për ta kuptuar se sa boshe është retorika e Kryeministrit për merita e profesionalizëm.
Me emërimin që po denoncojmë ne sot, del qartë se rilindja e Edi Ramës, është thjeshtë e vetëm rilindje e personave që kanë probleme të rënda me ligjin, por që i shërbejnë interesave klienteliste të partisë, Kryeministrit dhe Ministrave të linjës.
Një ditë më parë, ne denoncuam një tjetër rast të rëndë, sic ishte emërimi si përgjegjës i AKU-së i një personi të arrestuar për prodhim të paligjshëm të mallrave të rrezikshëm për shëndetin.
Heshtja e Kryeministrit vetëm e zmadhon skandalin dhe trash më shumë qeverisjen e tij.