PD: Hetim parlamentar për Tahirin, arrestimi i tij u pengua nga Rama

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kërkon hetim parlamentar mbi ligjshmërinë e akteve të Kuvendit dhe qeverisë dhe ndërhyrjet tek hetimet për çështjen “Tahiri”. Në fokus të hetimit do të jetë edhe Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjoni, e ndjekur për ekstradimin e Nezar Seitit

-Basha:Komisioni hetimor do të zbardh ndërhyrjen e mazhorancës në skandalin Tahiri-Habilaj

Deklarata/Marrëveshja me detin, një aferë e errët pa transparencë-kemi të bëjmë me një skenar kriminal

 

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka miratuar kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor, që do të verifikojë ligjshmërinë e akteve të Kuvendit dhe qeverisë dhe efektet e ndërhyrjeve të këtyre dy pushteteve tek hetimi i Saimir Tahirit. Komisioni hetimor “Tahiri” do të ketë si objekt disa çështje, por tre më kryesoret janë: Verifikimi i ligjshmërisë dhe efekteve të vendimit të Kuvendit për të mos lejuar arrestimin e Tahirit. Veprimet e kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të qeverisë në pengimin apo intimidimin e prokurorisë për të hetuar Tahirin në mënyrë të pavarur. Ligjshmëria e ekstradimit të Nezar Seitit si person nën hetim për të njëjtën çështje si Tahiri dhe efektet që sjell ekstradimi i tij për ish ministrin e brendshëm. Ndërkohë në një dalje për media, kreu i PD-së Lulzim Basha ka sqaruar edhe arsye se pse opozita do të kërkojë një komision hetimor parlament për Edi Ramën, Saimir Tahirin dhe të gjithë të përfshirët në mbjelljen e kanabisit dhe trafikut të drogës. ‘Kjo ka marrë mbështetjen dhe do të depozitohet ditën e sotme. I gjithë opinioni e di se në dy vite kur Shqipëria shndërrohej në hambar të drogës, ministria e Brendshme, Policia, institucionet ishin në dijeni se kjo bëhej me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Policisë së Shtetit dhe me bekimin e atyre, kupolës më të lartë të shtetit. Edi Rama e ka pasur këtë informacion mbi tavolinë, e ka pasur Tahiri, e ka pasur Çako në mënyrë zyrtare nga institucionet e huaja si Interpoli, Europoli; e kanë pasur edhe nga media e gazetarët kurajozë që kanë shkuar deri në parcelat e drogës. Por qeveria dhe Edi Rama kanë vendosur t’i varrosin këto fakte në kasafortën sepse droga është bërë me dijeninë, mbrojtjen dhe bekimin e Kryeministrit dhe kjo është arsyeja pse Rama e ka shkelur rregulloren dhe s’ka lejuar arrestimin e Tahirit. Ndërhyrja në rastin Habilaj do të jetë objekt i këtij hetimi parlamentar dhe masat që Rama ka marrë që përgjegjësit e këtij skandali të mos dalin në pah. Kanë blerë pasuri brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ky do të jetë objekti i këtij komisioni. Komisioni hetimor nuk heton vepër penale por përgjegjësinë e qeverisë dhe të Edi Ramës, të  përfshirjes së institucioneve në mbjelljen kultivimin e drogës në Shqipëri. Një drejtësi e pakapur do ta kishte zbardhur sot çështjen “Tahiri”. Rama është investuar, ka kapur prokurorë, ka shkatërruar reformën në drejtësi dhe nuk ka asnjë shans të zbardhet rasti, aq më tepër tani që ka rrëmbyer llogaritarin e bandës. Por ka dhe banda të tjera. Ahmetaj dhe Gjiknuri janë denoncuar për shuma të mëdha parash në blerje votash dhe këto nuk mund të zbardhen nëse Rama dhe shpura e tij nuk do të vihen para përgjegjësisë,” theksoi Basha.

  1. Basha, si e shpjegoni dorëheqjen e dy zonjave në Berat për t’i hapur rrugë Astrit Veliajt në Parlament?

Astrit Veliaj është numri dy në listën e Beratit. Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve vendos se kush do të marrë mandatin. Këto janë çështje të KQZ-së dhe të vullnetit të personave përkatës. Rasti në asnjë gkë nuk ngjan me Arben Ndokën, aq sa ngjan televizioni juaj me një motorskaf droge. Sepse Arben Ndoka është një person i dënuar për prostitucion, ndërsa në këtë rast nuk kemi asnjë pretendim për kriminalitet, në asnjë nga kandidatët kushdoqoftë deputet i ardhshëm. Zoti Basha, është tërhequr Partia Demokratike nga kallëzimi penal për Ministren e Drejtësisë, i paralajmëruar në Kuvend nga deputeti Enkelejd Alibeaj?

Jo, nuk jemi tërhequr nga kallëzimi penal por i paraprijmë me këtë Komision Parlamentar për përgjegjësitë e Edi Ramës, për varrosjen e fakteve të raportuara të konfirmuar nga shërbimet zyrtare shqiptare dhe të huaja. I ka varrosur sepse dihet që droga nuk mund të bëjë pa Sajmir Tahirin, pa krerët më të lartë të policisë, pra nuk mund të bëjë pa Edi Ramën. Ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj përgjegjësie. Pjesë e kësaj përgjegjësie është edhe grabitja e llogaritarit të drogës për të cilën çdokush do të mbajë përgjegjësitë e veta duke përfshirë edhe Ministren e Drejtësisë.

Keni një koment lidhur me faktet e publikuara nga shtypi grek se qeveria shqiptare dhe ajo greke kanë arritur marrëveshjen për shefin kontinental dhe ndarjen e zonave ekonomike?

Kjo është një aferë e errët pa transparencë dhe të gjitha gjasat janë që kemi të bëjmë me një skenar kriminal. Përsa i përket përfshirjes së palës shqiptare, dje kemi patur një prononcim të institucionit të Presidentit që nuk ka plotëfuqishmëri dhe në ndjekje të këtij prononcimi, anëtarët tanë të Komisionit të Jashtëm, duke nisur nga dita e sotme do të kërkojnë sipas ligjit që detyron qeverinë, në këtë rast Ministrinë e Jashtme, dokumentacionin e plotë të negociatave të mbajtura sekret nga pala shqiptare. Gjithçka që e dimë, e dimë nga prononcimet greke.

Ne  do t’i shkojmë deri në fund kësaj çështje, do ta zbardhim deri në fund dhe nëse rezultojnë të vërteta pretendimet e shpallura nga media greke apo në disa raste nga zyrtarët grekë, askush nuk do t’i shpëtojë përgjegjësisë ligjore dhe penale.

Përse vendosët tani për të ngritur Komisionin Hetimor, ju besoni se hetimit të Tahirit do t’i shkojë më në fund opozita dhe jo institucionet vendase ose ndërkombëtare.

Komisioni Hetimor nuk heton veprën penale por heton përgjegjësinë e qeverisë dhe parlamentit për të penguar në këtë rast hetimin, siç e ka penguar, dhe çështë më e rëndësishmja përgjegjësitë e Edi Ramës dhe të institucioneve të Ministrisë së Brendshme, të Policisë, për injorimin e sinjalizimeve që vinin zyrtarisht, përsa i përket përfshirjes së policisë, së shtetit, politikanëve, pushtetarëve, ministrave në mbjelljen, kultivimin dhe trafikimin e drogës në Shqipëri. Kjo do të hetohet dhe natyrisht drejtësia e pavarur e pakapur do ta kishte zbardhur sot rastin “Tahiri” dhe përmes rastit “Tahiri” do të kishte vënë para përgjegjësisë të gjithë të tjerët që janë përgjegjës për kthimin e Shqipërisë në një “Kolumbi të Europës”, për këtë arsye Edi Rama është investuar. Ka kapur prokurorin, ka shkatërruar Reformën në Drejtësi dhe tani nuk ka asnjë shans që rasti “Tahiri”, të zbardhet përmes drejtësisë, aq më shumë pas rrëmbimit të llogaritarit, njeriu i cili do të depononte për shumat e përftuara nga Tahiri dhe nga politikanë të tjerë në aferën e bandës Habilaj. Ka dhjetëra banda të tjera, ka dhjetëra politikanë të tjerë, disa të tjerë si përshembull Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj, janë denoncuar në mëdia në komunikim me Klodian Zoton e inceneratorëve. Përsëri për shuma parashë dhe influenca të paligjshme të parave, dmth për blerje votash. Këto nuk mund të zbardhen sa kohë që drejtësia do të vazhdojë të jetë e kapur sa kohë që Edi Rama dhe shpura e tij e banditëve në pushtet nuk do të vihen para përgjegjësisë. Komisioni Hetimor është një hap institucional por jo i vetmi hap që ne do të hedjim, derisa t’i vëmë para përgjegjësisë këtë bandë që nuk e ka vendin në qeveri, por e kanë vendin para drejtësisë.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>