PD: Qeveria të japë llogari për vrasjen e gjyqtares – të ashpërsohet dënimi për dhunën në familje

PD ka reaguar sërish për vrasjen e gjyqtares nga ish-bashkëshorti. Në deklaratën për media, opozita sqaron se krimineli në këtë rast është favorizuar nga një amnisti skandaloze e qeverisë. PD akuzon policinë për paaftësi në ekzekutimin me rigorozitet të urdhrit të mbrojtjes për Hafizin, ndërkohë që theksohet se nuk do të pllakosë heshtja duke pritur krimet e radhës nga konfliktet në familje

 

Ditën e djeshme Gjykata e Krimeve të Rënda la në burg ish-bashkëshortin vrasës të gjyqtares Hafizi. 53-vjeçari Fadil Kasemi u paraqit në gjykatë i qetë, duke mos dhënë asnjë deklaratë për ngjarjen e rëndë, përveç të dhënave personale, si detyrim që seanca të vijonte normalisht. Kodin e heshtjes ai e aplikoi edhe në polici pas arrestimit, ku pranoi krimin. Pas përfundimit të seancës në gjykatën e Krimeve të Rënda, reagoi për ngjarjen e rëndë edhe Partia Demokratike. Në njoftimin për shtyp të PD-së, thuhet se krimineli në këtë rast është favorizuar nga një amnisti skandaloze e qeverisë. PD gjithashtu akuzon policinë për paaftësi në ekzekutimin me rigorozitet të urdhrit të mbrojtjes për Hafizin, ndërkohë që theksohet se nuk do të pllakosë heshtja duke pritur krimet e radhës nga konfliktet në familje. “Vrasja e gjyqtares Fildes Hafizi nuk do të kishte ndodhur nëse krimineli nuk do të favorizohej nga veprimet e papërgjegjshme të shtetit. Nëse krimineli nuk do të ishte liruar nga një aministi skandaloze apo nëse policia do t’i kishte dhënë gjyqtares mbrojtjen që i njeh ligji çdo qytetari, ajo sot do të jetonte. Ne nuk mund ta lëmë të kalojë në heshtje këtë krim, vetëm për të pritur krimin e radhës”, theksohet në reagimin e PD-së. Në njoftimin e opozitës ngrihen disa pyetje të rëndësishme për qeverinë shqiptare dhe policinë, dy organe që duhet të mbajnë përgjegjësi për një jetë të humbur prej neglizhencës dhe  paaftësisë së tyre. “Pse Edi Rama ka ofruar çdo vit amnisti masive, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë? Pse amnistitë e tij kanë përfshirë ulje dënimi dhe lirim të kriminelëve që kanë kryer vrasje apo tentuar të kryejnë vrasje? Pse policia nuk i afroi mbrojtje gjyqtares Hafizi kur ajo e kërkoi më shumë se një herë? Pse nuk vepruan për parandalimin e tragjedisë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe Drejtori i Krimeve në Policinë e Shtetit (Haki Cako dhe Ardian Cipa) që gjyqtarja i ka takuar dhe ata nuk e kanë ndihmuar, të cilët u takuan personalisht nga gjyqtarja ku ajo kërkoi ndihmën e tyre?”, thuhet në njoftim. Partia Demokratike në përfundim të reagimit njofton se do të propozojë në fillim të legjislaturës së re një ligj që ndalon në çdo rrethanë uljen e dënimeve për vrasje dhe amnistimin e tyre. “Ne do të propozojmë ashpërsimin e dënimit për ata që ushtrojnë dhunë në familje, si dhe rritjen e mbrojtjes për viktimat e kësaj dhune. Ndërkohë, Partia Demokratike i kërkon qeverisë të rishikojë me urgjencë procesin e ofrimit të mbrojtjes nga shteti, për të shmangur mundësinë e injorimit të qytetarëve që u kërcënohet realisht jeta”, përfundon reagimi i PD-së.

KLD sekuestron dosjen e gjyqtares që la pa ujë qytetin e Përmetit/Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka sekuestruar dosjen e gjyqtares Elvana Çiçolli, vendimi i së cilës ka lënë pa ujë të gjithë qytetin e Përmetit. Dosja e vendimit, që ka shqetësuar qytetarët e Përmetit dhe autoritetet vendore qe hartuan projektin për zgjidhjen e problemit të ujit të pijshëm, është marrë nga inspektoret e KLD –së në Gjykatën Administrative në Tiranë. Veprimet për verifikimin e dosjes nisën pas ankesës së bërë në KLD nga Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës Kanalizimeve, sipas të cilës, vendimi i gjyqtares Çiçolli për ndërprerjen e punimeve të ujësjellësit të ri është marrë në shkelje të ligjit. Gjyqtarja Çiçolli vendosi të ndërpresë punimet për ujësjellësin e ri, një jave pasi kompania që fitoi tenderin e projektit, nisi punimet. Sipas kompanisë fituese, bllokimi i punimeve, përveçse shkelje flagrante e ligjit të prokurimeve publike, është kosto në kohë dhe me pasoja për qytetarët që presin normalizimin e situatës pas 40 vitesh probleme me furnizimin e ujit të pijshëm. Burime të Tv Klan bënë të ditur se inspektoret e KLD –së janë në fazën e verifikimit të dosjes së vendimit të gjyqtares Çiçolli dhe faza finale do të jetë ajo e përcjelljes së kërkesës në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, për nisjen e procedurave për masë ndëshkimore ndaj gjyqtares që la pa ujë një qytet të tërë. Në kohën ku gjithçka është pezull, banorët e Përmetit aktualisht furnizohen vetëm më një orë ujë të pijshëm në ditë, gjë e cila ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetesës së tyre.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>