PD: Shorti për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, antikushtetues

Një ditë para hedhjes së shortit për këshillin e emërimeve në drejtësi, Partia Demokratike kërkon anulimin  e kësaj procedure duke e cilësuar antikushtetues. Në një letër drejtuar kryetarit të Kuvendit, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho tha se qëllimi i PS-së është kapja e organeve të reja të drejtësisë

LSI kundër hedhjes së shortit për KED: Do të bojkotojmë, procesi s’varet nga urdhrat e Ruçit

 

Kuvendi do të hedh të enjten shortin për përzgjedhjen e anëtarëve të  Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Por PD kërkon ndërprerjen e këtij procesi duke e cilësuar antikushtetuese.  Në një letër drejtuar kryetarit të Kuvendit, kryetari i grupit të PD, Edmond Spaho tha se qëllimi i PS-së është kapja e organeve të reja të drejtësisë. “Kuvendi i Shqipërisë ka caktuar hedhjen e shortit të enjten për 9 anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, (KED). Ata do të zëvendësojnë anëtarët e Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi, (KEPD). Ata janë 2 nga Gjykata Kushtetuese, 1 nga Gjykata e Lartë, 1 nga Prokuroria e Përgjithshme, 2 gjyqtarë dhe 2 prokurorë nga Apeli dhe 1 gjyqtar nga Gjykata Administrative. Për hedhjen e shortit Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka shkelur Kushtetutën dhe ligjin për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë.  Partia Demokratike i ka shprehur këtë qëndrim Kryetarit të Kuvendit nëpërmjet një letre të Kryetarit të Grupit Parlamentar, Edmond Spaho.

LETRA: Konkluzioni i parë është se Kryetari i Kuvendit ka vepruar në kundërshtim flagrant me kompetencën kushtetuese dhe ligjore duke i diktuar organeve te pavarurave zbatimin e deformuar te ligjit. Kryetari i Kuvendit u ka kërkuar institucioneve, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Prokurorit të Përgjithshëm, Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, të hartojnë listat e kandidatëve për KED, duke u bazuar tek neni i Kushtetutës që përcakton masën disiplinore si kriter të vetëm për kandidatët. Kryetari i Kuvendit  ka shmangur kriteret ligjore, të zbatuara për shortin e Janarit 2017 nga të gjitha institucionet e pavarura. Ligji përcakton 8 kritere për kandidatët, duke rritur cilësinë e tyre. Mes kritereve është edhe përfundimi i Shkollës së Magjistraturës. Në letrën e Partisë Demokratike thuhet se: “Ndryshimi i paligjshëm i rregullave të lojës në mes të procesit, është i papranueshëm dhe në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës. Ndryshimi i këtyre rregullave, për shkak të përshtatjes me vullnetin e njëanshëm të mazhorancës, përbën haptazi tentativë për të ndikuar në përbërjen e KED-së, me qëllimin final, garantimin e kontrollit politik nga mazhoranca mbi këtë organ të pavarur kushtetues dhe nëpërmjet tij, në Gjykatën Kushtetuese dhe Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë.” Në letrën për Kryetarin e Kuvendit, që i drejtohet edhe Presidentit, institucioneve të përfshira në proces dhe ambasadorëve, theksohet se: “Qëllimit të kapjes së drejtësisë i shërben edhe mungesa e plotë e transparencës. Kuvendi, nuk ka bërë publik, si herën e shkuar, korrespondencën me Presidentin e Republikës dhe institucionet e pavarura, si dhe nuk keni publikuar apo njoftuar listën e kandidatëve që do të përfshihen në short.“ Konkluzioni i dytë është se, proçesi i nisur nga Kryetari i Kuvendit po kryhet në boshllëk kushtetues dhe ligjor, sepse në mungesë të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), po përdoret dispozita tranzitore, që kanë humbur fuqinë e tyre. KED e Përkohshme u zgjodh në Janar 2017 sipas dispozitës kalimtare dhe kjo dispozitë nuk mund të bëhet rregull i përgjithshëm. Partia Demokratike citon letrën e 13 shkurtit 2017, kur ish-Kryetari i Rëformës në Drejtësi Fatmir Xhafaj iu drejtua KLD-së dhe Prokurorit të Përgjithshëm për shortin e KPED-së. Xhafaj tha atëherë se “Dispozita kalimtare rregullon një çështje të veçantë, që zbatohet brenda një afati të caktuar, tej të cilit, objektivisht, bëhet e pazbatueshme. Në momentin që përmbushet rregullimi i parashikuar në dispozitën kalimtare, ajo bëhet e pazbatueshme për të ardhmen”. Partia Demokratike thekson se: “Ky rast tregon se qëndrimi i PS ndryshon sipas situatës së momentit, duke vepruar në mungesë të plotë koherence, çka provon se qëllimi i saj i vetëm është të arrijë rezultatin e synuar – kapjen politike të organeve të reja të sistemit të drejtësisë.”Konkluzioni i tretë është se veprimtaria e KPED u bllokua qëllimisht nga maxhoranca në mënyrë që Këshilli të mos kryente procesin kushtetues të vlerësimit për kandidatët për Inspektor të Lartë të Drejtësisë dhe për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ku, aktualisht ,janë 3 vende vakante. Në përfundim: Partia Demokratike thotë se “deri në plotësimin e boshllëkut kushtetues/ligjor apo deri në krijimin e KLGJ dhe KLP, është e pamundur që të zgjidhet një tjetër KED e përkohshme (KPED). Partia Demokratike kërkon vlerësimin/opinionin e Këshillit të Legjislacionit në Kuvendin e Shqipërisë mbi zgjidhjen e këtij boshllëku kushtetues/ligjor. Partia Demokratike i kërkon Kryetarit të Kuvendit të ndërpresë menjëherë procedurën për organizimin e shortit, e nisur në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin.

LSI kundër hedhjes së shortit për KED: Do të bojkotojmë, procesi s’varet nga urdhrat e Ruçit/ Edhe Grupi parlamentar i LSI është kundër hedhjes së shortit të enjten për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Kreu i grupit të LSI, Petrit Vasili, deklaroi se do ta bojkotojnë mbledhjen sepse procesi nuk varej nga urdhrat e Gramoz Ruçit dhe siç ishte organizuar, procesi ishte nul. Vasili i është drejtuar me një letër, kryetarit të Kuvendit.  Më herët reagoi Partia Demokratike, e cila nëpërmjet një letre drejtuar Gramoz Ruçit, e cilësonte hedhjen e shortit si antikushtetues dhe se e drejta i takonte Presidentit të Republikës.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>