Përkthyesi i shquar i Nikolla Sudar nderohet me titullin “Fisnikëria e Tiranës”

Kur miku im Nikolla Sudar, me atë modestinë e tij proverbiale, më njoftoi se vepra dhe jeta e tij do nderohej këtu në Tiranë, kalimthi më erdhi ndërmend diçka nga krijimtaria biografike e shkrimtarit më përfaqësues të periudhës së fundit të letërsisë antike greke, Plutarkut. Duke u rrekur të krahasojë gojëtarinë e Demosdenit me atë të Demadit, ai i referohej thënies së Teofrastit se i pari ishte “I denjë për qytetin e vet”, kurse i dyti “Përmbi qytetin e vet.” E pra, dua të besoj se sot ne po nderojmë një njeri, një intelektual, një studiues dhe një përkthyes i cili i meriton të dyja këto përcaktime, pasi ai me veprën e shkruar, është i denjë jo vetëm për Shijakun e tij dhe të artistit të shquar e të paharruar, të ndjerit Agim Faja, por edhe për vetë kryeqytetin tonë, i cili di t`u japë vlerësimet e duhura atyre që dallohen për kontribute të mëdha në interes të kulturës dhe atdhedashurisë. Një nga proverbat më kuptimplota të popullit italian, dhe që besoj se vlen për këdo dhe për kurdo, është ajo që thotë: “Më mirë në jetë një kompliment, se sa pas vdekjes një monument”. Në qoftë se do t`i hedhim një sy të shpejtë veprës voluminoze të Nikollës, do vëmë re se ajo, me përjashtim të Gusmanit, nis nga viti 2001 dhe përfshin libra nga më interesantët, dhe që u bëjnë jehonë ngjarjeve dhe personaliteteve më të rëndësishme të historisë dhe letërsisë, çka është në pajtim të plotë edhe me formimin arsimor dhe talentin artistik të këtij autori. Bashkëpunimi me shtëpitë botuese nga më seriozet, si “Onufri”, “Ombra”, “Fan Noli”, “Bota shqiptare”, “Skanderbeg books” etj. me kërkesat e larta që ato kanë, ka bërë që Nikolla të jetë tepër i vëmendshëm dhe përzgjedhës në veprat që ka përkthyer, ose për t`u shprehur edhe më qartë: që ka shqipëruar. Kushdo që sodit nga afër vargmalin e botimeve te ne, e ka mëse të qartë se duhet durim i jashtëzakonshëm që të lexosh e veçosh ata libra që mund t`i duhen më shumë lexuesit dhe tregut tonë. Por Nikolla, me kulturën dhe intuitën e tij prej njeriu që ka akumuluar shumë, dhe pse jo, edhe me durimin e tij heroik, jo vetëm e ka realizuar më së miri këtë, por edhe i ka bërë të flasin shqip, autorë të huaj nga më të rëndësishmit, si Leonid Grosman, Juri Sllaviç, Allen Dulles, Sofia Loren, N. Hrushov, A. Sollzhenicin, Kostandin Paustovski, Stefan Cvajg, Leon Trocki, Osho, Milovan Gjilas, Vuk Drashkoviç etj. etj. Ai i ka përkthyer ata nga gjuhët ruse, serbe dhe kroate, duke ju përmbajtur një shtrirje gjeografike pa asnjë paragjykim. Për të letërsia është e përbotshme, që i takon të gjithë popujve dhe të gjitha kohrave. Për më tepër, ajo ka qenë dhe mbetet faktor i padyshimtë miqësie dhe mirëkuptimi. Lenzheveni e ka përcaktuar mjaft bukur se “Kultura e gjithëmbarshme është ajo që i lejon njerëzit ta ndiejnë me tërë shpirtin solidaritetin me të tjerët në kohë dhe hapësirë – si me njerëzit e brezit të vet, ashtu edhe me brezat e kaluar dhe me ata që do të vijnë.” Ky ka qenë dhe synimi i vetë Nikolla Sudarit, kur paraqet jetën e Dostojevskit, Stalinit, Hitlerit, Kanarisit, Titos, Stalones, Kalluginit dhe plot personazheve të tjerë, deri dhe të agjencive më të famshme të shërbimeve të fshehta, KGB dhe CIA, apo spiunëve legjendarë nga R. Sorge deri te Ciceroni – Elez Bazna ynë. Një dritare goxha e madhe ka qenë për këdo, përkthimi i letërsisë të mirëfilltë artistike nga ana e Nikollës, me vepra e kryevepra, aq sa ka mjaftuar vetëm emri i tij që të nxisë te kushdo dëshirën për ta lexuar atë libër me ëndje, njësoj si të kishte dalë nga dora e Treskës, Malos, Kokonës, Gjergos, Vrionit, Doksanit, Shvarcit, Zhejit, Jorgonit, Çuçkës, Meksit, Tupjes etj. Natyrisht që mbresa të pashlyeshme të lë përkthimi i “Oborri i Matrjonës”, “Pavjoni i kancerozëve” dhe “Një ditë e Ivan Denisoviçit”, që mbeten aktakuza të mprehta të gjakatarizmit komunist, por dhe që shprehin shpirtin prej demokrati të përkthyesit të talentuar dhe një qytetari mjaft të përgjegjshëm. Të atij qytetari të ndershëm, të atij qyteti të vogël liridashës, ku në vitin 1974 (atëherë kur shpata e tiranit të Tiranës dhe jo ajo e atij të Sirakuzës, Dionizit, priste në të dy krahët, pasi nuk e kishte atë qimen e kalit, që trembte Damokleun), spiunët e sigurimit, arbitrarisht i kontrollonin shtëpinë për ca foto artistësh sovjetikë. Dhe e gjithë kjo, për shkak të origjinës së tij, pasi për atë sistem nuk vlente as korrektësia, as përkushtimi dhe as kultura e njeriut. Por tani erdhi tjetër kohë e cila ka krijuar mundësitë për të ecur sipas parimit të L. Fojerbahut se “Vetitë e vërteta të njeriut zbulohen vetëm atëherë kur vjen koha për t`i shfaqur ato, për t`i treguar në punë.” Ndaj sot po vlerësohet puna e pa lodhur në shërbim të gjithë Shqipërisë e Nikolla Sudarit dhe pikërisht për këtë kemi arsye të presim prej tij të tjera vepra, për të merituar përherë atë thënien e Teofrastit: i denjë “Për mbi qytetin e vet.”

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>