Petrit Vasili: Paketa integruese duhet të garantojë kërkesat emergjente të biznesit fason

petrit vasili large

Grupi Parlamentar i LSI-së në Lushnjë dhe Fier, vijon turin e diskutimeve me biznese fasone për paketën e integrues për këtë biznes

 “Biznesi fason gjeneron punësim masiv, por edhe përbën 30% të eksporteve shqiptare me një vlerë prej 500 milionë eurosh”

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, nën drejtimin e kryetarit Petrit Vasili, ka vijuar turin e takimeve konsultative nëpër rrethe të ndryshme të vendit me përfaqësues të biznesit fason për të diskutuar përmbajtjen e paketës së integruar për këtë biznes, paketë e cila është propozuar nga LSI për mbrojtjen e këtij biznesi dhe krijimin e lehtësirave të domosdoshme për të. Pas takimeve të zhvilluara në Berat dhe në Shkodër, deputetët e LSI-së kanë qenë dje në rrethet e Lushnjës dhe të Fierit, ku kanë parë nga afër situatën në fabrika të ndryshme të prodhimit të këpucëve dhe të veshjeve, fabrika këto në të cilat punojnë me mijëra punonjës.

Në një prononcim për mediat Vasili, deklaroi se paketa integruese, e cila po bëhet në bashkëpunim të Parlamentit dhe qeverisë shqiptare, duhet të garantojë kërkesat emergjente të biznesit fason. Sipas tij, industria fasone është një industri e cili përveç punësimit, që është shumë i rëndësishëm, është një përfaqësuese e denjë e prodhimeve “Made in Albania, edhe nëpërmjet lidhjeve të saj që ka me biznesin më të rëndësishëm evropian. Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së garantoi në mbështetjen e fuqishme të mazhorancës për biznesin fason, duke nënvizuar edhe faktin që ky biznes eksporton 30% të të gjitha eksporteve shqiptare me një vlerë rreth 500 milionë euro. “Vizita jonë këtu është në vijim të nismës së përbashkët të ndërmarrë në bashkëpunim të Parlamentit dhe të qeverisë shqiptare për të trajtuar me të gjithë gjerësinë e tij problematikën e biznesit fason. Ne edhe sot jemi këtu në një biznes i cili punon dhe prodhon për kompani shumë të rëndësishme evropiane dhe shumë të njohura. E kemi thënë dhe e përsërisim që vëmendja jonë maksimale lidhet në radhë të parë me faktin që është një biznes i cili gjeneron punësim masiv, gjë që vërehet edhe këtu. Jemi në një vend në të cilin punojnë me qindra punonjës. Së dyti nuk duhet të harrojmë që ky biznes gjeneron një të tretën e eksporteve të vendit. Gjithashtu nuk duhet të harrojmë që në tërësinë e tij ky biznes gjeneron rreth 500 milionë euro eksporte të Shqipërisë, që është një volum i jashtëzakonshëm. Këto arsye të mëdha: punësimi, gjenerimi i këtyre eksporteve të rëndësishme dhe njohësish çuarja e produkteve “Made in Albania”në Evropë por njëkohësisht edhe mbajtja e lidhjeve e biznesit të rëndësishëm evropian me Shqipërinë e bëjnë biznesin fason të një rëndësie të veçantë dhe të jashtëzakonshme për vendin.  Ndaj edhe paketa integruese, që Parlamenti dhe qeveria shqiptare së bashku po punojnë për ta formësuar, do t’i japë një seri përgjigjesh të munguara ndër vite për këtë biznes, i cili ka shumë probleme dhe nevoja dhe kërkon mjaft përgjigje. Kjo jo vetëm nga pikëpamja fiskale por edhe në pikëpamje të procedurave dhe të mjaft elementeve të tjerë të karakterit administrativ, të cilat lehtësojnë punën dhe i japin mundësi të marrë frymë. Mbi të gjitha të vazhdojë të mbetet konkurrues në rajon sepse edhe rajoni tashmë po përpiqet të jetë sa më konkurrues në këtë gjë ndaj dhe ne duhet të ecim me një hap më të shpejtë që të vazhdojmë të jemi një vend tërheqës për biznesin e huaj në Shqipëri”, tha ndër të tjera në prononcimin e tij kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili.