Pllaka e Sulejmanit na kujton vetëm se ka patur sulltanë dhunues, ajo s’është monument kulture

Një kujtesë për ministren e Kulturë

 

 

Disa qytetarë kërkojne të hiqet pllaka e Sulejman Pushtuesit nga kalaja e Dukagjinëve Arbërorë në Lezhë. Ministrja e Kultures ndërhyn dhe deklaron: “Mos kini frikë nga monumentet e kulturës!”. Kë quan monument kulture zonja në fjalë, kalanë që njihet si e tillë, apo fermanin e dhunuesit të shqiptarëve! Në ligjin për monumentet njihet Kalaja. Mbishkrimi i sulltan Sulejmanit nuk është monument kulture, por thjeshtë një objekt që është gjetur në Kala. Ky është statusi i deritanishëm i kësaj pllake. “Monumentet janë dëshmitarë të historisë, por nuk e shkruajnë atë”- thotë zonja.

Po, duke mos qenë monument, pse fermani i dhunuesit të shqiptarëve të bëhet dëshmitar, aq më tepër se ato dëshmi janë shumë të dhimbshme për kujtesën tonë historike.

Se sa banale është puna e asaj pllake, e tregon fakti se riparimet në kalatë e pushtuara janë praktika rutinë, sepse kalatë përgjithësisht merren me luftë dhe natyrisht dëmtohen gjatë saj.

Për të gjitha kalatë, zotëruesi i ri, si punë të parë kishte riparimin e dëmtimeve, ndryshe kalaja dilte jashtë funksionit.

Meqenëse zonja qenka aq e përkushtuar për të ruajtur “çdo gur e shpirt që kemi sot”,- siç thotë vetë, a nuk e ka parë të arsyeshme të evidentohen në atë Kala gjurmët e Dukagjinëve që e kanë patur seli të vetën dhe janë pjesëmarrës aktivë në ngjarje historike me rëndësi të madhe për kombin tonë dhe udhëheqës të betejave antiturke.

Pse nuk e ka nje pllakë ajo kala për luftën e shqiptarëve të udhëhequr nga Terenc Toçi dhe Prengë Marka Prenga, që me flamurin tonë kombëtar e sulmuan garnizonin turk të kalasë dhe vunë mbi të flamurin e Skënderbeut, një vit e gjysëm para se ai të shpallet në Vlorë.

Meqenëse riparimet e kalave janë praktikë rutinë dhe bëheshin si nga dhunuesit pushtues e veglat e tyre renegatë, ashtu dhe nga fisnikë vendës, siç kane vepruar Bushatllinjtë, Ali Pashë Tepelena, Kurt Pasha i Beratit, Vlorajt në Kaninë, etj, a ka pllaka për riparimet e kalave nga këta bujarë shqiptarë?

Ministre, riparimet e detyrueshme që u bëhen kalave që shkatërrohen gjatë luftës nuk quhen ndërtime, por meremetime dhe janë bërë nga çdo pushtues. Ato nuk fshihen nga historia se nuk janë fare në histori, por ti nuk e di(!)

Popujt kanë kujtesë përzgjedhëse dhe ruajnë vetëm vlera që i shërbejnë ruajtjes së identitetit të tyre kombëtar. Veprat e pushtuesve i ruan kujtesa selektive e popujve, vetëm nëse ato kanë lënë gjurmë në jetën e tyre ekonomike dhe shoqërore, siç është rruga “Egnatia”, qytetet antike të Butrintit, Apolonisë, pjesës antike të Durrësit e dhjetëra ndërtimeve të tjera të periudhës romake dhe bizantine.

Turqit shkatërruan gjithçka dhe nuk ndërtuan asgjë, prandaj nuk kemi çfarë të ruajmë prej tyre. Pllaka e Sulejmanit është shumë e parëndësishme për t’u quajt monument kulture. Mbishkrimi i saj na kujton vetëm se ka patur sulltan dhunues që na shkatërroi kalatë dhe renegatë që pas pushtimit i meremetuan ato. Ai mbishkrim na kujton më parë barbarinë e pushtimit dhe pastaj rikthimin e kalasë në funksionim.

Marrë nga portali “dielli.al”

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>