Plot një muaj rezistencë qytetare/Kreu i Opozitës në forumin për papunësinë

me-te-papunet

“Qeveria jonë do jetë qeveria më përkrahëse për sipërmarrjen që Shqipëria ka njohur në 27 vite”

Paraditen e djeshme në Sheshin e Lirisë, kryetari demokrat Lulzim Basha, bashkëbisedoi me pedagogë, profesionistë dhe student, për problemet e tyre lidhur me papunësinë. Arbi Agalliu, pedagog në Universitetin e Ekonomisë prej thuajse 10 vitesh, tha se studentët sot gjenden të pambështetur, jo vetëm nga shteti por edhe nga bizneset të cilat i kanë tkurrur politikat e këtij kabineti. Agalliu denoncoi faktin se qeveria nuk ka asnjë plan B për personat të cilët sot po mbeten pa punë. Ledina Aliolli, pedagoge në Universitetin e Korçës, tha se çelja e vendeve të reja të punës është dhe thelbi i rritjes ekonomike të një vendi. Kësaj qeverie i mungon vizioni për çeljen e vendeve të reja të punës, tha Ledina, e them me plotë bindje sepse papunësia sot ka arritur në 30% të popullsisë. Fredian Shehu tha se në mënyrë që Shqipëria të kthehet në një vend tërheqës për bizneset duhet të ekzistojnë tre kushte, rendi dhe siguria, konkurrenca e ndershme dhe taksat e ulëta, tre kushte të cilat Shqipërisë i mungojnë prej vitesh. Një e re ngriti shqetësimin se ç’do të ndodhë me ata qindra mijëra të rinj, të cilët gjenden në mes të rrugës pas mbylljes së bizneseve si rasti i Call-Center-ave. Kryetari Lulzim Basha tha se detyra numër një e Republikës së Re do të jetë punësimi i qytetarëve shqiptarë dhe ndihma ndaj miliona shqiptarëve të cilët meritojnë vëmendjen dhe zgjidhjen më të shpejtë në ekonomi. “Ne jemi gati që me zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe me besimin e shqiptarëve të nisim që nesër qeverisjen e Shqipërisë me një program që do ta nxjerrë atë nga kriza ekonomike, nga varfëria, drejt zhvillimit të pandalshëm ekonomik. Qeveria jonë do jetë qeveria më përkrahëse për sipërmarrjen që Shqipëria ka njohur në 27 vite. Sepse sipërmarrja do jetë aleati ynë kryesor për punësimin. Shtet do të thotë shtet ligjor, jo shtet i kryeministrit. Do të thotë mbrojtje sipas ligjit. Në radhë të parë do të thotë goditje e krimit dhe e bandave. Ky do të jetë akti i parë i qeverisjes së re në Republikën e Re. Luftë pa kompromis kundër bandave dhe krimit, shtet ligjor dhe garanci ligjore për sipërmarrjen dhe për ç’do qytetar të Republikës. Konkurrencë e lirë.” Në këto katër vjet ekonomia shqiptare, bizneset, fuqia blerëse e qytetarëve ka rënë dhe kjo sipas krye demokratit Basha vjen si pasojë e tregut të sunduar nga oligarkët. “Edi Rama rriti taksat, rriti çmimin e naftës duke rritur dy vite radhazi me 120 lekë akcizën mbi naftën. 3 faktorë që kanë ndikuar në rritjen e drejtpërdrejtë të kostos së prodhimit në Shqipëri. Shto këtu edhe korrupsionin qeveritar galopant, siç thotë raporti i DASH në raportin e kësaj jave. Dhe në këtë treg të vogël për përmasat e tregjeve evropiane, e vetmja formulë për gjallërimin e ekonomisë është konkurrenca e ndershme që garanton rritjen e cilësisë, uljen e kostos dhe një treg funksional. Por kjo që kemi ne nuk është ekonomia e tregut të lirë. Kjo është ekonomia e tregut të kontrolluar nga qeveria.” Zgjidhja për demokratët vjen përmes një pakete fiskale dhe krijimit të kushteve për një treg të lirë me konkurrencë të drejtë. “Për biznesin e vogël, për 1.5% të xhiros do të ketë një pullë të demonstruar në ambientin e biznesit të vogël. Do të thotë që taksidarët nuk do të duken më në ambientet e biznesit të vogël. Themeli i këtij sistemi evropian i taksimit, është vetë deklarimi nga sipërmarrja, që do të thotë ta trajtosh sipërmarrjen si partner, jo si hajdut të pagjykuar. Vetë deklarimi, taksa 9%, ulja e çmimit të naftës dhe çmimit të energjisë për aktivitetin prodhues në Shqipëri, do të jenë stimuj të fuqishëm ekonomikë. Me këtë platformë ekonomike, të gjitha këto masa lehtësuese kuantifikohen në një sasi prej afro 1 miliardë euro më shumë në ekonominë shqiptare, që në vitin e parë, vetëm përmes masave lehtësuese fiskale.”

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>