Trump: Gjermania, anëtar i NATO-s, por peng i gazit rus!

E mërkurë, 11 July 2018 19:28

Presidenti amerikan Donald Trump kritikoi publikisht dhe ashpër Gjermaninë në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në Bruksel. Kritikat e zotit Trump shënuan fillimin e një dite të tensionuar takimesh të tij me udhëheqësit e aleancës ushtarake. Presidenti amerikan është përplasur me aleatët e NATO-s për çështjen e shpenzimeve të tyre ushtarake, që ai i quan të pamjaftueshme.

Presidenti amerikan Donald Trump e nisi ditën e sotme në Bruksel me kritika të ashpra dhe publike ndaj Gjermanisë, në takimin e nivelit të lartë të NATO-s që u hap në Bruksel.

Kritikat e zotit Trump i drejtoheshin mbështetjes së Gjermanisë ndaj një marrëveshjeje me Rusinë për gazin e Detit Baltik.

“Po ta shohësh me kujdes, Gjermania është bërë peng i Rusisë, duke mbyllur uzinat e qymyrgurit dhe reaktorët bërthamorë. Fakti që ajo po merr aq shumë naftë dhe gaz nga Rusia mendoj se është diçka që NATO-ja duhet ta shikojë me kujdes. Mendoj se është diçka shumë e pavend. Unë dhe ju jemi dakord që është e pavend.Nuk e di se çfarë mund të bëhet tani, por sigurisht nuk duket se ka kuptim që ata t’i paguajnë Rusisë miliarda dollarë dhe tani ne të na duhet t’i mbrojmë nga Rusia,” tha Presidenti Trump.

Kancelarja Merkel më vonë iu përgjigj kritikave të zotit Trump, duke thënë se Gjermania, një nga kontribuesit më të mëdhenj me trupa në misionet e NATO-s, është e lirë nga kontrolli rus që nga rënia e Murit të Berlinit.

Ajo kujtoi rininë e saj në Gjermaninë Lindore të dominuar nga sovjetikët dhe tha se ishte “shumë e lumtur që sot vendi është i bashkuar në liri.”

“Mund të themi se për shkak të kësaj, ne mund të hartojmë politikat tona të pavarura dhe të marrim vendimet tona të pavarura”, tha ajo.

Ndërkohë, gjatë dhe pas takimit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s reagoi ndaj kritikave, duke theksuar se anëtarët e NATO-s kanë qenë në gjendje të punojnë së bashku, pavarësisht nga dallimet mes tyre.

“Ne jemi më të fortë së bashku sesa të ndarë. NATO-ja duhet të jetë e fortë për të mbrojtur aleatët. Ne do të forcojmë mbrojtjen kolektive, që do të thotë se trupat e SHBA, trupat kanadeze, trupat evropiane do të bëjnë më shumë së bashku”.

Zoti Stoltenberg u tha gjithashtu gazetarëve se Presidenti Trump kishte përdorur një “gjuhë shumë të drejtpërdrejtë”, por të gjithë aleatët e NATO-s janë dakord se kostoja e shpenzimeve të mbrojtjes duhet të bjerë mbi të gjithë.

Shkëmbimi dramatik i fjalëve midis Presidentit Trump dhe zotit Stoltenberg vendosi tonin për atë që pritej të ishte një ditë e tensionuar takimesh me udhëheqësit e aleancës ushtarake.

Takimi i nivelit të lartë vjen në një klimë marrëdhëniesh të tensionuara midis presidentit amerikan dhe aleatëve më të afërt të Shteteve të Bashkuara.

Zoti Trump është përplasur me aleatët e NATO-s për çështjen e shpenzimeve të tyre ushtarake.

“Shtetet e Bashkuara po paguajnë shumë ndërsa vendet e tjera nuk paguajnë sa duhet,” u ankua Presidenti Trump. “Kjo, tha ai, po ndodh prej dekadash, është e shpërpjestuar dhe jo e drejtë ndaj taksapaguesve amerikanë.”

Presidenti Trump gjithashtu i njohu meritën vetes për fillimin e një prirjeje të re midis anëtarëve të NATO-s, ndryshe nga e kaluara, kur shprenzimet e mbrojtjes kishin ardhur duke rënë./VOA

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Flet avokati i dhunuar

Aktualitet

Flet avokati i dhunuar

Një avokat në Durrës ka denoncuar se është dhunuar nga dy persona. Avokati Ilia Ilia thotë se është dhunuar para prokurorisë së Durrësit. Ngjarja sipas policisë u shënua rreth orës 10:45...

Shpërthen Vasili: Mazhorancë pazarxhinjsh që Reformën në Drejtësi e ka thjesht një plaçkë tregu

Aktualitet

Shpërthen Vasili: Mazhorancë pazarxhinjsh që Reformën në Drejtësi e ka thjesht një plaçkë tregu

Kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili ka reaguar në një shënim në rrjetet sociale për qëndrimin e mazhoranës ndaj ligjit të magjistraturës por edhe ndaj reformës në drejtësi...

Kapen 12 sirianë dhe iranianë që kaluan kufirin shqiptar

Aktualitet

Kapen 12 sirianë dhe iranianë që kaluan kufirin shqiptar

12 refugjatë nga Lindja e Mesme janë kapur në orët e pasdites së sotme në pikën kufitare të Kapshticës në tentativë për të kaluar kufirin. Emigrantët me origjinë nga Irani dhe...