Bashkimi i komuniteteve fetare me frontin e propagandës së Edi Ramës, një zhvillim shqetësues

E Enjte, 11 October 2018 10:30

Nga Ilir Nikolla

Nuk është hera e parë që Edi Rama synon t’i përdorë nomenklaturat e komuniteteve fetare për agjendën e tij të ditës. Pasi doli mbi ujë realiteti se kazinotë dhe lojërat e fatit ishin katërfishuar gjatë 4-vjetëshit të parë të qeverimit të tij, me pasoja katastrofike jo vetëm për shoqërinë, por edhe për financat e shtetit, kryeministri, në një stil krejt të vjetër, të denjë vetëm për levat partiake të viteve ’70, kërkoi dhe imponoi shprehjen publike të të gjitha komuniteteve fetare mbi vendimin e tij “a posteriori” për ndalimin e të gjitha kazinove në qytet dhe për monopolizimin e basteve sportive në sektorin online.  

Të gjithëve na kujtohet marrja e disa prej krerëve të komuniteteve fetare si dekor për marshimin e Edi Ramës në Paris, edhe pse në Shqipëri shqetësimet për rritjen e ekstremizmit fetar dhe furnizimin e Sirisë me “foreign fighters” nga trojet shqiptare mbetet një problem i patrajtuar. Por kryeministri nuk ndalet. Ai luajti gjithë kohën “arkitektin” e xhamisë së re në kryeqytet dhe disa prej myftinjve kryesorë të Shqipërisë i ka shndërruar në skifterë të dorës së parë në debatin publik për të mbrojtur qeverinë. Rreshtimi publik i myftiut Ylli Gurra në krah të Taulant Ballës dhe Edmond Begos është vetëm njëri prej precedentëve që mund të përmendim.

Paralelisht me këtë, bojkotimi i kryetarit të Komunitetit Mysliman Skënder Bruçaj shkon në linjë me tezat sovjetike të Edi Ramës se i takon kryeministrit të emërojë nomenklaturën e komuniteteve fetare dhe kur s’i shkojnë sipas midesë, t’i zëvendësojë ata.    

Por dje pamë një nivel të ri të shndërrimit të komuniteteve fetare gati në një avant-post propagandistik të qeverisë. Kryegjyshata Botërore e para e më pas edhe Komuniteti Mysliman e për në fund edhe Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë “përshëndetën nismën e qeverisë për nxjerrjen jashtë ligjit të basteve dhe kazinove elektronike”. Në fakt çështja nuk është fare krejt ashtu dhe pas këtij vendimi, fshihet një histori katërvjeçare abuzimi, që ka çuar qindra milionë euro në duart e disa oligarkëve të lidhur me qeverinë e që sillen si sherifa rrugëve të Tiranës e që tashmë, me vendimin e ri, pritet që ky fluks qindra milionësh, të kanalizohet edhe në më pak duar, e që sipas opozitës, çon ujë vetëm tek një monopol i lidhur drejtpërdrejt me vëllain e kryeministrit.

Këtë skemë financiare, që s’ka thuajse fare lidhje as me industrinë e kumarit e as me taksat korrektuese që një shtet laik synon t’i përdorë për vepra sociale, komunitetet fetare e përshëndetën dje si me komandë.

Në këtë shfaqje publike të komuniteteve fetare ka boll ç’të shqetësohemi mbi laicitetin, politikën dhe të drejtat e njeriut. Debati për kumarin është një debat i vjetër, ndoshta i kryer në publik qysh prej revolucionit francez e këndej, dhe leximet përmes rreshtave të deklaratave të komuniteteve fetare, enden sa nga nevoja për të jetuar e ngrënë “shëndetshëm e hallall” e deri tek nevoja për ngritjen e institucioneve të ludopatisë (për rehabilitimin e viktimave).

Por më integralistja në propagandë, është vetë qeveria, e cila, pasi i ka porositur këto deklarata, po mundohet t’i përdorë ato tekste të shkruara nga kortezia (edhe miopia njëkohësisht) për të mbytur debatin që duhet të lindë mbi vendimin. Edi Rama s’po e lufton kumarin dhe mbështetja popullore për kufizimin e kësaj industrie mund të ekzistojë, por propaganda raporton një sondazh 90 përqindësh kundër kumarit, për ta shitur atë si mbështetje për një vendim që veç sa përqendron industrinë e kumarit nën kontrollin e kryeministrit.

Përshëndetjet e komuniteteve fetare lanë shije shumë të keqe në publik, sidomos për shkak se ato ishin qëndrime të panevojshme, të vonuara dhe pjesë e propagandës së qeverisë. Edi Rama është fajtori kryesor për masivizimin e kumarit dhe basteve sportive, ai gjithashtu është përgjegjës se qeveritë e tij kanë dhënë zero lekë për ngritjen e çfarëdolloj qendre për rehabilitimin e viktimave nga kjo varësi. Komunitetet fetare heshtën për këtë realitet dhe interesimit tim të herëpas’hershëm për këtë heshtje, disa përfaqësues të Kishës Katolike në Shqipëri i janë përgjigjur se reagimi i tyre kishte qenë brenda grigjës (komunitetit), pasi ky ishte edhe pozicioni që ata gëzojnë me kushtetutë.

Në fakt, Konferenca Ipeshkvnore doli mbrëmë nga sinori që i pat paracaktuar vetes, dhe përshëndeti vendimin e qeverisë, duke kujtuar me të drejtë mungesën e institucioneve për ludopatinë, por pa u menduar dy herë, nëse vendimi i qeverisë ishte në fakt në rrugën e duhur apo jo.

Për të luajtur disi edhe Avokatin e Djallit, duhet të mendojmë edhe për arritjet mbi 100 vjeçare të laicitetit shqiptar, të cilat e kanë rrënjën në Rilindjen tonë Kombëtare. Industria e Kumarit është pjesë e fitoreve të vogla që pjesë të kësaj shoqërie kanë arritur kohë pas kohe, duke nisur që nga vota e gruas apo e drejta e abortit. Në emër të këtij laiciteti, duhet pyetur a është i volitshëm ky Front Integralist i Ramës me komunitetet fetare. Më vonë, Rama do i grishë në kauzë edhe që opozita të mos dalë në rrugë për hir të stabilitetit, më vonë edhe që hëpërhë të mos votohet e të mos ketë rotacion pushteti për hir të interesit kombëtar e në fund mund të mbërrihet që komunitetet fetare të vetëshpërndahen, pasi interesat e tyre i mbron qeveria.

Ky front është një front propagande, s’ka asnjë lidhje as me kufizimin e industrisë së kumarit e as me një përgjigje popullore që kryeministri ndërmerr ndaj interesimit të komuniteteve fetare. Në këndvështrimin konservator, deklaratat e komuniteteve fetare në mbështetje të kryeministrit ishin të padenja e të padobishme, kurse në këndvështrimin liberaldemokrat, deklaratat e komuniteteve fetare ishin zhgënjyese dhe shqetësuese.

Modifikuar më Premte, 12 October 2018 10:31

Lini komentin tuaj!

Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me fshirjen e komentit tuaj.

Lajmet e fundit

Arrestimet e dy ish-deputetëve, Shehu: Qeveria ka marrë fund

Politikë

Arrestimet e dy ish-deputetëve, Shehu: Qeveria ka marrë fund

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu ka komentuar arrestimet e bujshme të dy ish-deputetëve socialistë Arben Çuko dhe Arben Ndoka. Sipas tij arrestimet tregojnë atë që opozita e ka thënë...

VIDEO/ Kërkon që t’i fshihet mungesa, i vë pistoletën në kokë mësueses

Globi

VIDEO/ Kërkon që t’i fshihet mungesa, i vë pistoletën në kokë mësueses

Një nxënës i ka vënë pistoletën në kokë mësueses së tij në mënyrë që ajo t’i hiqte mungesën. Pamjet janë xhiruar në një shkollë të mesme në Creteil të Francës. Edhe...

Buna kthehet në një moçal të shëmtuar

Aktualitet

Buna kthehet në një moçal të shëmtuar

Këto ditë vjeshte pa reshje shiu kanë dhënë alarmin në Lumin Buna. Uji është tërhequr dhe lumi i ngjan një moçali. Banorët, por edhe ekspertët e mjedisin thonë se gjendja është...

Sondazh

Nothing found!

Sondazh

Nothing found!