Prej një pllake spiune po del nami i qeverisë!

Keqardhje zonja Kumbaro, nuk flet kështu një ministre

 

 

Nuk e di a ka këshilltarë që mbulon trashëgiminë kulturore ministrja Kumbaro, por me daljet e saj publike ka treguar se sa mjeran e ka stafin dhe sa pak ka lidhje me drejtoritë vartëse; Sepse, duket se në reagimin e parë, ministrja nuk ia kishte idenë se çfarë ishte pllaka e Sulejmanit.

Shikoni mënyrën skandaloze të reagimit të parë të saj: ” …dënoj me forcë çdo veprim që cënon kulturën, trashëgiminë, gjurmët e historisë, monumentet e kulturës siç të parët na i kanë lënë!”

Natyrisht, ndjen keqardhje kur Ministrja e vendit tënd flet me këtë gjuhë. E para, se është krejt larg realitetit, dhe e dyta, se është në fakt e kulturuar dhe në një farë mënyre pamja europiane e shqiptarëve, pamje që e ka manifestuar me vizitat jashtë.

Niset për të folur për një realitet konkret dhe meqenëse nuk është përgatitur, nuk ka në krah zyrtarët e Ministrisë që mbulojnë monumentet, Kumbaro vazhdon “kodra mbas bregut”: “Ne kemi detyrë të mbrojmë e të ruajmë çdo gur e shpirt që kemi sot! Kemi detyrë t’ua përcjellim brezave! Gjithçka është pjesë e identitetit tonë kulturor, kombëtar, ballkanik, europian, njerëzor!”.

Nuk ruhet çdo gur dhe çdo shpirt Ministre, por vetëm ato që kanë vlerë historike.

Pllaka me mbishkrimin e Sulejmanit nuk është pjesë e identitetit tonë kombëtar kulturor, por ju për të qenë brenda shtoni dhe ballkanik, europian dhe njerëzor. Kjo është jashtë kontekstit, se nuk ishe në një konferencë shkencore, por duke folur për një rast konkret.

Për të qartësuar lexuesit, po sqarojmë se ne kërkojmë që pllaka e Sulejmanit të ruhet, madje të ruhet fort dhe kjo ruajtje më mirë bëhet në muze. Ne jemi kundër që pllaka e Sulejmanit të vendoset mbi portën hyrëse të kalase, por nuk jemi kundër asnjë mbishkrimi turko-osman që janë pjesë e trashëgimisë së njerëzimit. Në deklaratën e dytë ministrja Kumbaro zgjodhi të flasë me gojën e një punonjësi të trashëgimisë kulturore, Gjerak Karaiskaj, të cilin e citon në thojza: “Po bëj një sqarim si specialist i paanshem (partiak apo “nacionalist”) për pllakën e vendosur mbi portën e kalasë së Lezhës që është bërë objekt i madh diskutimi. Theodor Ippen, historian dhe konsull i Austrisë në Shkodër, në një nga librat e tij e përshkruan pllakën e vendosur mbi portën e kalasë, që në vitin 1900. Për mua si historian vlen ashtu si çdo pllakë apo mbishkrim tjetër që ndihmon në datimin e saktë të historisë së një monumenti. Ajo që më shqetëson në kalanë e Lezhës, janë ndërtimet pa leje që e kanë dëmtuar barbarisht. Shtëpitë janë ndërtuar me gurët e kalasë dhe ajo që për mua është edhe më skandaloze është që në vend që të mos ishin lejuar, në vend që të prishen, po bëhen përpjekje që të çojnë edhe kanalizimet e ujit, etj. Më bëjnë shumë përshtypje shumë fejsbuksa nga Lezha që shqetësohen aq shumë nga një pllakë datimi dhe nuk thonë asnjë fjalë për bashkëqytetarët e tyre që e kanë shkatërruar kalanë në mënyrë barbare”!

Paraprakisht, dua të sqaroj se edhe Karaiskaj është pjesë e përgjegjësisë për këtë katandisje të monumenteve të tilla të kulturës si Kalaja e Lezhës, si ish drejtues i Monumenteve të Kulturës. Nëse ai do të dëshmonte publikisht prova se ka bërë përpjekje institucionale si drejtues që të mos lejoheshin ato objekte që të ndërtoheshin, që të mos lejohej legalizimi i tyre, apo që të ishte pjesë e nismave konkrete për heqjen e objekteve të tjera, do të tërhiqesha dhe do të kërkoja ndjesë. Por, faktet tregojnë se edhe Karaiskaj është pjesë e barbarisë, që nis që nga koha kur urdhi ushtria e sulltanit në vendin tonë.

Nëse pushtuesi turk e vendosi në vitin 1909, rreth 500 vjet pas riparimit që bëri, si mund të ishte pjesë dhe e riparimit?! I vendosur në vitin 1900, ai mbishkrim, më tepër ngjan më një pllakë propagandistike, që ka mbetur edhe pak vite të tjera në atë vend. Askush nuk jep përgjigje për mënyrën e heqjes. Thonë vetëm u hoq dhe kjo tregon mungesë serioziteti maksimal, sepse pllaka, aty në hyrje të kalasë nuk e kishte vendin dhe mund të jetë hequr me procedura të rregullta ligjore nga zyrtarët përkatës të shtetit shqiptar.

Pse duhet vënë në vendin ku ishte pllaka e një pushtuesi gjakosës të shqiptarëve që erdhi në Shqipëri me një ushtri prej 300 mijë ushtarësh, sigurisht jo për turizëm. Ezel Kural Show shkruan: Në vitin 1537, Sulejmani udhëhoqi një ushtri prej 300,000 trupash prej Stambolli në Shqipëri, me objektiv për t’i kaluar në Itali me flotë” (Ezel Kural Shaw, History of the Ottoman Empire and modern Turkey Ezel Kural Shaw, p.97).

Kur pushtuesi përdor të drejtën e tij si dhunues dhe na imponohet mbi portën e kalasë, aty ku nuk e ka vendin, mbas ardhjes së lirisë. Rregullimi i teprimeve është pjesë e natyrshme e historisë dhe trashëgimisë kulturore. Ne sot kemi qindra e qindra objekte italiane të kohës së Musolinit, por nuk kemi pllakë të tij mbi to.

Zonja Ministre! Në vendin tonë ekziston koncepti klanor i shokëve të klasës, të rrugës, të kopshtit, të shkollës, të ekipit në sport, të “tironsve”, etj., dhe sipas këtij koncepti, meqenëse Tarja bën pjesë në një nga këto kategori me ju dhe ndonjë tjetër, duhet t’ia falni, e të merrni mbi vete kosto nga veprimet e tij” Po, ju atje nuk përfaqësoni veten Ministre! Detyra e kërkon që të mbani qëndrim zyrtar në problemet shtetërore. Karaiskaj përdor termin “injorante” për banorët e asaj treve. Mësojeni mirë, nëse nuk e dini, se nga ajo zone, bash nga ajo zonë dolën shkollat e para shqipe: Në Velë, në Kurbin, në Pdhane dhe në Blinisht; mësojeni Ministre se në atë zonë, pas mbylljes përdhunisht nga pushtuesi osman i këtyre shkollave, nuk pati as shkolla turke, as greke dhe as bullgare. Populli mbeti vërtetë analfabet. Mësojeni se klerikët që dolën nga kjo trevë, pra njerëzit që munden të shkollohen, janë ndër figurat më të shquara të kulturës kombëtare të kohës së vet dhe në vitin 1912 – 1944, ata mbajtën gjallë krejt kulturën kombëtare.

Dhe e fundit, pse nuk ka një reagim zyrtar, pse nuk flitet fare për procedurat që janë ndjekur, për ligjet që janë zbatuar për vendosjen e asaj pllake mbi portën e Kalasë. Çfarë procedurash janë ndjekur për heqjen e saj kohë më parë? Kush e paska bërë këtë “krim”? Ajo që ka ndodhur këto ditë në Kalanë e Lezhës është tejet e rëndë, sepse flasim çdo ditë për shtet ligjor dhe zbatim ligjesh. Nga ana tjetër, mos lini nam duke na u ankuar për ndërtimet pa leje, sikur nuk jeni ju shteti, por ne qytetarët.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>