Presidenti i Shqipërisë, vizitë në Kosovë, takim me krerët e lartë të shtetit

Meta: Boom-i i kërkesave për pasaporta shqiptare nuk është rruga e duhur për të çarë bllokadën e lëvizjes së lirë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta nisi një vizitë shtetërore dyditore në Republikën e Kosovës me ftesë të homologut të Tij, Hashim Thaci.  Në konferencën e përbashkët për shtyp, Meta pranoi se ka një boom kërkesash nga personalitete dhe qytetarë të Kosovës për të marrë pasaportën shqiptare, por sipas tij kjo nuk është rruga e duhur për të çarë bllokadën e lëvizjes së lirë në zonën Shengen. Presidenti shqiptar apeloi politikën kosovare të gjejë sa më parë një zgjidhje për Demarkacionin me Malin e Zi, duke e vlerësuar si çështje të rëndësishme jo vetëm për liberalizimin e vizave por për gjithë procesin euroatlantik të shtetit të Kosovës. “Lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave nuk mund të ketë për momentin një pozitë më të vështirë se sa e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për të folur për këtë çështje. Për arsye se ka presione dhe kërkesa pafund nga personalitete dhe qytetarë të Kosovës për të marrë edhe nënshtetësinë e Republikës së Shqipërisë me qëllim kryesor për ti shpëtuar kësaj bllokade ku padrejtësisht qytetarët e Kosovës ndodhen prej disa vitesh. Unë kam pasur një takim para pak ditësh edhe me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjermin Z. Danielsson në Tiranë, i cili para një jave ka qenë edhe në Prishtinë por edhe në takimet që kemi pasur në Gjermani me presidentin Steinmeier apo në Itali, me çdo personalitet me të cilin kemi pasur mundësi të takohemi por edhe me përfaqësues të tjerë të institucioneve të Shqipërisë, theksojmë domosdoshmërinë e dhënies fund të këtij izolimi, për mos thënë këtij diskriminimi që po përjetojnë qytetarët e Kosovës dhe që ka sjellë këtu një frustrim për shkak të faktit se janë të vetmit qytetarë në Ballkanin Perëndimor që nuk e gëzojnë këtë mundësi. Përgjigjja më e mirë është ta zgjidhim së bashku. Zgjidhja nuk është të merret nënshtetësi shqiptare për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht dëshirës për të kaluar këtë problem. Jo për shkak të mungesës së dëshirës nga ana ime apo e institucioneve të Shqipërisë, por zgjidhja është tejkalimi i këtij problemi. Shpresoj që pas zgjedhjeve të ardhshme vendore me një dialog edhe më aktiv me BE e Malin e Zi të zhbllokojë këtë çështje pasi nuk bëhet fjalë vetëm për liberalizimin e vizave”, u shpreh Meta.

Presidenti Meta nderohet në Kosovë me Dekoratën ‘Urdhri i Pavarësisë’

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta u nderua gjatë një ceremonie solemne të zhvilluar në selinë e Presidencës së Kosovës me Dekoratën e lartë “Urdhri i Pavarësisë” me këtë motivacion: “Për kontribut të lartë për pavarësinë e Kosovës.” Presidenti Thaçi vlerësoi kontributin personal të Presidentit Meta, angazhimin prej afro tre dekadash për Kosovën në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e të popullit të Kosovës dhe të përmbushjes së aspiratës për pavarësi gjithashtu edhe për njohjet e mëtejshme ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Pasi mori në dorëzim dekoratën nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Presidenti i Shqipërisë Meta në fjalën e Tij vuri në dukje se vizita në Kosovë si President i Republikës është një kënaqësi e jashtëzakonshme dhe emocion i rrallë.  “Kjo dekoratë është një surprizë e veçantë, por e marr si një vlerësim për gjithçka që qytetarët e Shqipërisë kanë bërë në mbështetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Dhe njëkohësisht duke e pranuar me shumë përgjegjësi këtë dekoratë, dua të zotohem këtu për angazhimin e mëtejshëm në forcimin e pavarësisë, rritjes së njohjeve të saj ndërkombëtare dhe realizimit të aspiratës së perspektivës evropiane, tërësisht të prekshme të saj dhe të gjithë rajonit, sepse perspektiva evropiane e Kosovës është tepër e rëndësishme për të ardhmen e rajonit tonë.” – u shpreh Presidenti Meta.

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>