Presidenti i Turqisë po e destabilizon vendin për të marrë më shumë pushtet

 

 

Bombardimet ruse nuk janë i vetmi faktor i ndërlikuar teksa administrata Obama vijon të kërkojë një strategji për Sirinë. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan u duk i gatshëm t’i bashkohej Shteteve të Bashkuara në një fushatë më të vendosur kundër Shtetit Islamik në korrik, kur pranoi që t’i lejonte avionët amerikanë që të kryenin misione duke u nisur nga bazat ajrore turke. Tani një gjë e tillë duket si një shtirje. Në ditët pas marrëveshjes, ushtarët turq ndërmorën një sulm të gjerë jo ndaj Islamistëve por ndaj kryengritësve Kurdë në Turqi dhe në Irak, duke thyer një armëpushim dy-vjeçar. Në vend që t’i lehtësojë operacionet amerikane, kjo fushatë po i ndërlikon përpjekjet amerikane për të mbështetur milicitë kurde brenda Sirisë që kanë rezultuar të jenë forca kryesore dhe më e fortë tokësore kundër Shtetit Islamik.

Na doli se qëllimi i Z. Erdogan nuk ishte që të frenonte valën e luftës në Siri por që ta përdorte këtë situatë për t’i dhënë një tjetër rrjedhë dështimit të forcimit të pushtetit të tij në Turqi. Në qershor ai që priste të bëhej njeriu më i fuqishëm doli si humbësi më i madh i zgjedhjeve parlamentare që ai shpresonte se do ti jepnin AK-së së tij një shumicë të mjaftueshme për ta rishkruar Kushtetutën, çka do t’i garantonte atij një pushtet Putinesk. Partia qeverisëse jo vetëm që dështoi në arritjen e këtij pikësynimi por njëkohësisht humbi edhe shumicën, kryesisht falë rritjes së një partie të majtë kurde. Partia Demokratike e Popullit (HDP) mori jo vetëm mbështetjen e minoritetit më tën madh në vend, atij kurd, por edhe atë të laikëve dhe të liberalëve të cilët donin t’i pengonin ambiciet e Z. Erdogan.

Pasi ndërmori fushatën e tij ushtarake kundër kryengritësve të Partisë së Punërorëve të Kurdistanit (PKK), Z. Erdogan e përdori pozicionin e tij si president për të penguar krijimin e një qeverie të re dhe shpalli zgjedhje të reja më 1 nëntor. Qëllimi i tij është që ta shtyjë partinë kurde nën 10 përqindëshin e votave të nevojshme për të hyrë në Parlament, ndërkohë që po kërkon të marë votat e turqve që më parë mbështesnin partitë nacionaliste të krahut të djathtë. Një gjë e tillë, shpreson ai, do t’i japë atij supermazhorancën për të cilën ai ka nevojë, ose të paktën një qeveri të re të AK-së që do ta trajtojë atë de facto si një të plotfuqishëm edhe pa ndryshimet kushtetuese. Deri tani, sondazhet tregojnë se ky hap i presidentit mund të dështojë. Por ai po ia del mbanë që të destabilizojë Turqinë. Pjesa më e madhe e juglindjes së vendit është kthyer në zonë ushtarake dhe janë vrarë me qindra njerëz nga të dyja palët. Në përgjigje të fjalimeve nxitëse të Z. Erdogan, turmat pro-qeveritare kanë sulmuar rreth 200 ndërtesa që i përkasin HDP-së, përfshi edhe zyrat në Stamboll të një prej gazetave kryesore të vendit. Gazetarët e huaj janë përzënë nga Turqia dhe një prokuror po kërcënon se do ta zhveshë udhëheqësin e HDP-së nga imuniteti i tij politik me akuza për nxitje të dhunës. Nga ana e tij, udhëheqësi kurd Selahattin Demirtas, ka paralajmëruar se vendi ndodhet në pragun e luftës civile.

Duke patur parasysh mundësinë për ndërprerjen e luftës ndaj Shtetit Islamik, administrata Obama ka reaguar butësisht ndaj fushatës së Erdoganit. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit ka qenë kritik për sulmet në media, duke thënë se “cilësia e demokracisë së Turqisë na shqetëson”. Ai tha gjithashtu se administrata është në bisedime me qeverinë turke lidhur me mbështetjen amerikane për forcat kurde në Siri. Duke parë shanset e pakta që Z. Erdogan të reagojë në mënyrë të arsyeshme, Uashingtonit i mbetet vetëm të shpresojë që votuesit turq ta refuzojnë sërish.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>