Presidenti Ilir Meta takon Kryeparlamentaren italiane, Laura Boldrini dhe Presidentin e Senatit, Pietro Grasso

Meta: Sfida si krimi i organizuar dhe trafiku i lëndëve narkotike përballohen duke intensifikuar bashkëpunimin dypalësh

 

Presidenti Ilir Meta ka vijuar takimet e nivelit të lartë në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Itali. Ditën e djeshme Meta u prit në një takim nga Kryetarja e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit italian, Laura Boldrini. Fokusi i takimit u vendos tek bashkëpunimi rajonal dhe progresi i deritanishëm i këtij bashkëpunimi. Presidenti Meta vlerësoi rolin dhe kontributin real të Italisë për paqen, stabilitetin dhe integrimin e vendeve të këtij rajoni në Bashkimimn Evropian dhe theksoi se angazhimi dhe prezenca më e madhe politike, institucionale dhe ekonomike e Italisë në rajonin e Ballkanit do të ishte shumë e mirëpritur. Kreu i Shtetit gjithashtu vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera e të partneritetit strategjik midis dy vendeve, si dhe shprehu vendosmërinë për promovimin dhe forcimin e mëtejshëm të tyre në të gjitha fushat. Intensifikimi i bashkëpunimit ndër parlamentar, në mënyrë të veçantë ai mes grupeve parlamentare të miqësisë, u konsiderua jashtëzakonisht i rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe për mbështetjen e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Ndërkohë, Boldrini e garantoi Metën për mbështetjen e saj personale në zgjidhjen e çështjes së eliminimit të taksës për mjetet shqiptare të transportit që tranzitojnë territorin italian. Meta vlerësoi maksimalisht kontributin e zonjës Boldrini si përfaqësuese e UNHCR-së në zonat verilindore të Shqipërisë, në përballimin e pasojave humanitare të konfliktit të vitit 1999 në Kosovë. Të dy bashkëbiseduesit u dakordësuan për nevojën e nxitjes të iniciativave ligjore, që u hapin rrugën projekteve konkrete për njohjen e kontributit të shqiptarëve që jetojnë në Itali me qëllim garantimin e një gjithë përfshirjeje të drejtë për ta dhe familjet e tyre. Më vonë gjatë ditës, Presidenti Meta u takua me Presidentin e Senatit italian, Pietro Grasso. Në këtë takim theksi u vendos tek vullneti i përbashkët për të rritur e zgjeruar më tej bashkëpunimin dhe koordinimit mes ligjvënësve të të dy vendeve. Meta dhe Grasso theksuan se vetëm përmes rritjes së bashkëpunimit, shkëmbimit në kohë të informacionit dhe ndërmarrjes së veprimeve të mirë-koordinuara mes dy vendeve, por edhe me vende e organizata të tjera partnere, mund të përballohen me sukses sfida që lidhen me krimin e organizuar dhe trafikun e lëndëve narkotike. Bashkëpunimi mes dy parlamenteve zuri një vend të rëndësishëm në funksion jo vetëm të shkëmbimit të informacionit mbi zhvillimet politike në dy vendet respektive, por edhe të avancimit të nismave ligjore në dobi të qytetarëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Itali që prej viteve 90. Presidenti Meta dhe Zoti Grasso vlerësuan komunitetin arbëresh, trashëgiminë e tij historike e kulturore, veçanërisht në kuadër të vitit të Skënderbeut, si një vlerë të rëndësishme të marrëdhënieve dypalëshe që kërkon të promovohet në vazhdimësi.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>