Presidenti Nishani: Grupe të botës së krimit po influencojnë zgjedhjet

nishani

Në takimin e përvitshëm me përfaqësues të medias, Presidenti Bujar Nishani ka ngritur alarmin për tentativat e krimit të organizuar që të influencojë në zgjedhjet parlamentare të Qershorit. Duke folur për “evidenca serioze”, kreu i shtetit i ka bërë thirrje medias që “të monitorojë e të denoncojë çdo tentative që bota e krimit të influencojë në të ardhmen tonë”, si një detyrë kombëtare e “pushtetit të katërt” të vendit

Me fillimin e vitit të ri 2017, Shqipëria ka hyrë edhe zyrtarisht në vitin zgjedhor, ku përveç zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës do të votohet nga shqiptarët edhe për qeverinë e re që do të drejtojë vendin në katër vitet e ardhshme. Për zgjedhjet që do të mbahen në 18 qershor zgjodhi të flasë ditën e djeshme Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i cili gjatë fjalës së mbajtur në një pritje me personalitete të medias në vend ngriti shqetësimin se grupe të caktuara të krimit do të tentojnë të influencojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kreu i shtetit pas konstatimit në fjalë i bëri thirrje klasës politike që të adresojë këtë sfidë me përgjegjësi dhe t’i sigurojë shqiptarëve një proces zgjedhor të ndershëm, e me standarde demokratike. Nën bindjen se krimi dhe bota e krimit po i dëmton, kërcënon dhe i prek të gjithë shqiptarët dhe strukturat institucionale, Nishani kërkoi nga klasa politike marrjen përsipër të përgjegjësisë për të ndjekur me shumë seriozitet këtë çështje.“ Ndaj shqetësimin tim, pasi evidenca serioze tregojnë se grupe të caktuara të krimit do të tentojnë të influencojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe ky është një problem që duhet të na preokupojë të gjithëve. Në radhë të parë i bëj thirrje partive politike, lidershipit politik që me përgjegjësinë që kanë të adresojnë me shumë kujdes këtë sfidë të madhe sepse krimi dhe bota e krimit i dëmton, i kërcënon dhe i prek të gjithë. Krimi nuk ka ngjyrim, ai është i zi dhe kthehet në një dëm të madh për këdo. Prandaj është përgjegjësi e politikës për të adresuar me shumë seriozitet këtë çështje. Por nga ana tjetër media të monitorojë dhe të denoncojë çdo tentative që bota e krimit të influencojë në të ardhmen tonë”, tha Presidenti. Në vijim Presidenti Nishani e vuri theksin te reforma në drejtësi. Duke vlerësuar si një proces që pritet të ngjallë shumë debate edhe në 2017, Nishani u kërkoi mediave të pranishme në sallë të monitorojnë zbatimin re reformës.“ Reforma e drejtësisë ka qenë pjesa më e debatuar e vitit që shkoi dhe besoj do jetë pjesa më e debatuar. Ne nuk mund t’u kërkojmë qytetarëve të thjeshtë të jenë ata monitorues dhe të adresimit të sfidave që do të ketë zbatimi i reformës në drejtësi, por pushtetit të medias, njerëzve dhe komunitetit të medias pse jo”, tha Presidenti. Kreu i Shtetit ka ndërtuar raporte shumë korrekte me median në vend duke qenë ndërkohë një ndër drejtuesit e shtetit më mediatik. Ai ia ka dalë të jetë prezentë në mesazhe të rëndësishme për vendin dhe politikën duke gjetur një pasqyrim të gjerë dhe kryesisht të paanshëm në të gjitha mediat shqiptare.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>