Presidenti Nishani mban ligjëratë në “Oxford Union”

nishani2

Ligjërata e Presidentit të Shqipërisë i kushtohej situatës në Ballkanin Perëndimor, rolit dhe kontributit të shqiptarëve në rajon, procesit të integrimit evropian situatës dhe gjendjes së paqes e sigurisë globale dhe kontributit të Shqipërisë në këtë drejtim, si dhe sfidat me të cilat përballet brezi i ri në ditët e sotme

 

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me ftesë të veçantë nga Presidenti i “Oxford Union”, Michael Li, me të cilin zhvilloi një takim paraprak e të posaçëm ku u njoh me historikun dhe veprimtarinë e “Unionit” e të anëtarëve studentë të Komitetit drejtues, mbajti në mjediset e Universitetit prestigjioz të Oksfordit një ligjëratë kushtuar situatës në Ballkanin Perëndimor, rolit dhe kontributit të shqiptarëve në rajon, procesit të integrimit evropian situatës dhe gjendjes së paqes e sigurisë globale dhe kontributit të Shqipërisë në këtë drejtim, si dhe sfidat me të cilat përballet brezi i ri në ditët e sotme.

Në ligjëratën e Tij, Presidenti Nishani duke vënë në dukje se të ftuarit e mëparshëm kanë qenë figura të shquara në të gjitha fushat e jetës: politikanë, akademikë, artistë, veprimtarë shoqërorë, u shpreh se: “Ajo që më bën edhe më shumë të nderuar është fakti që këtij auditori i është adresuar edhe një shqiptare shumë e madhe, Nënë Tereza, e cila që prej shtatorit të vitit të shkuar është Shën Tereza e Kalkutës. Dëshiroj që edhe të përgëzoj Unionin e Oxfordit për rolin që luan për orientimin e debateve në tematikat më të mprehta të kohës. Ndaj dhe unë sot do të dëshiroja të ndaja me ju dy çështje që mendoj se janë thelbësore, si për vendin tim, ashtu edhe për sigurinë tonë të përbashkët.”

Presidenti Nishani vuri në pah faktin se Ballkani i njohur dikur me termin “fuçi baruti e Evropës”, tashmë pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, shpërbërjes jokonsensuale të ish-Jugosllavisë dhe konfliktet etnike që e shoqëruan, por sidomos pas fitimit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës: “hapi një kapitull të ri. Të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit u përfshinë në dialog me njëri-tjetrin. Axhendat e tyre u orientuan drejt pajtimit, bashkëpunimit dhe zhvillimit të përbashkët.

Shqipëria ka mbështetur e vijon të mbështesë fort dhe qartazi ecjen përpara të rajonit dhe po jep kontributin e saj konkret dhe shumë domethënës për konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërshtetërore, bazuar në parimet e fqinjësisë së mirë, mirëkuptimit dhe respektit reciprok.”

“Situata post-zgjedhore në Maqedoni është e tensionuar dhe forca të ndryshme politike kërkojnë ta devijojnë krizën politike dhe ta transferojnë në domenin e rrezikshëm ndëretnik. Po kështu, situata në Bosnje-Hercegovinë, është larg të qenit një shtet normal.” – shpreh Kreu i Shtetit shqiptar.

“Vetëm vijimi me vendosmëri i rrugës së reformave të thella dhe i orientimit euroatlantik dhe Evropian i vendeve të rajonit, deri në anëtarësimin e plotë në këto organizata, do të mund ta shkëpusë rajonin e Ballkanit nga e kaluara konfliktuale, si dhe çliruar nga metafora e ‘fuçisë së barutit’. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s në rajon, dhe këtë e sheh si përgjegjësi dhe mundësi për të kontribuar sa më shumë të mundet e me të gjitha kapacitetet e saj që rajoni, mos të vërë më në pikëpyetje paqen, por të rrisë sigurinë e bashkëpunimin. Sigurisht, që këtu në Mbretërinë e Bashkuar, çështja e integrimit evropian merr një vëmendje e ngarkesë të veçantë në këto momente, por për Shqipërinë dhe shqiptarët, e besoj edhe për vendet e tjera të rajonit, mbetet projekti strategjik më madhor. Por sigurisht që çështja nuk është vetëm se, kur këto vende do të kenë mbushur kriteret dhe standardet për të qene vende anëtare, por edhe kur vetë Unioni do të jetë gati për t’i pranuar.” – nënvizoi Presidenti Nishani.

Duke folur për situatën e përgjithshme globale të paqes dhe sigurisë si dhe sfidat nga terrorizmi me baza fetare dhe ekstremizmi i dhunshëm, Presidenti Nishani vuri në dukje se: “Hapësira të pasigurta e shumë pika të dobëta kanë rritur mundësinë që shoqëria njerëzore dhe garancitë e deritanishme për vlerat tona të përbashkëta, të jenë seriozisht të kërcënuara. Turbulencat e fuqishme ekonomike, në shkallë shumë më të gjerë se krizat e mëparshme, ndryshimet klimatike, konfliktet dhe luftërat lokale me implikimet e rrezikshme etnike, fetare e rajonale, po e dëmtojnë shumë strukturën e sigurisë sonë, si dhe po prodhojnë kriza të tjera shumë më të rrezikshme e të paparashikueshme.

Nisur nga eksperienca shumë shekullore e bashkëjetesës paqësore e harmonike fetare por edhe nevoja për adresimin e këtij kërcënimi brenda vendit, Shqipëria po aplikon një program pilot për parandalimin dhe kundërvënien ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm përmes edukimit, me ambicien për ta kthyer këtë program në një platformë me dimension më të të gjerë se ai nacional. Shqipëria është e gatshme ta ndajë eksperiencën e saj edhe me vendet dhe popujt e tjerë. Besojmë se, përmes programeve të veçanta të edukimit dhe ruajtjes së kohezionit social mund t’i kundërvihemi në mënyrë efikase radikalizmit të dhunshëm dhe ekstremizmit. Ndërsa në nivel rajonal është rritur bashkëpunimi me vendet fqinje për shkëmbim informacioni dhe koordinim veprimesh.

Shqipëria ka ndjeshmërinë e duhur ndaj sfidave me të cilat përballet bota sot dhe mbështet të gjitha përpjekjet e përbashkëta për përballimin e tyre, me bindjen e palëkundur se parandalimi i konflikteve dhe sigurimi i paqes e sigurisë globale, ku në qendër është vëmendja për njerëzit dhe shoqërinë njerëzore, kërkojnë bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë. Mbretëria e Bashkuar e ka mbështetur fort Shqipërinë në procesin e demokratizimit të vendit, në forcimin e shtetit ligjor dhe të institucioneve shtetërore, si dhe konsolidimin e institucioneve demokratike. Një bashkëpunim shumë të mirë për çështjet e sigurisë, ka mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, bashkëpunim ky që ka ardhur duke u forcuar gjithnjë e më shumë.” – tha Presidenti Nishani.

Presidenti Nishani tha se është e rëndësishme për brezin e ri që të marrë përsipër përgjegjësitë e të rrisë rolin e të ngrejë zërin e vet, duke ushtruar trysni pozitive ndaj aktorëve vendimmarrës të shoqërisë duke filluar që nga politikanët, intelektualët, media, shoqëria civile që të jenë të përgjegjshëm, në mënyrë që këto sfida të përballohen me sukses e të tejkalohen, duke theksuar se: “brezi i ri duhet inkurajuar se këtë mund ta arrijë vetëm nëpërmjet arsimit cilësor, kontributeve në politikë, ekonomi, shkencë, kulturë si dhe duke u frymëzuar nga shembujt pozitivë të harmonisë, bashkëjetesës dhe respektit fetar, ku Shqipëria dhe shqiptarët ofrojnë një shembull dhe rast unik vlerash të provuara historikisht në këtë drejtim. Brezi i ri, ju dhe bashkëmoshatarët tuaj jeni të përkushtuar ndaj zhvillimit të shoqërisë suaj, vendit tuaj dhe botës e vlerave të civilizimit. Ajo që është më e rëndësishme është ndjenja juaj e përgjegjësisë dhe e përfshirjes në ndërtimin e së ardhmes sonë të përbashkët.”

Në përfundim të ligjëratës së Tij, Presidenti i Republikës zhvilloi një bashkëbisedim të hapur e të sinqertë me studentët, profesorët dhe akademikët e pranishëm, duke iu përgjigjur një serie pyetjesh mbi tema të ndryshme si integrimi i Shqipërisë dhe arritja e standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian, situata aktuale politike dhe rëndësia e zgjedhjeve të lira e të ndershme, zhvillimi dhe promovimi i mëtejshëm i imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në sytë e botës, nevoja që brezi i ri të pajiset me shpresë, mundësi reale e të prekshme dhe arsim cilësor për të ndërtuar të ardhmen në vendin e vet, etj. Mina HYSA

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>