Presidenti Nishani: Rikthimi i simboleve të diktaturës po cenon ekuilibrat e shoqërisë shqiptare

nishani

Të lidhur me pranga, ish-të përndjekur vazhdojnë protestën kundër ndërtimit të bunkerit pranë Ministrisë së Brendshme– priten në një takim nga Kreu i Shtetit, Bujar Nishani

 

 

Të lidhur me pranga, ish-të përndjekurit politikë kanë protestuar dje përsëri kundër ndërtimit të bunkerit pranë Ministrisë së Brendshme. Nën thirrjen “Demokraci Po, diktaturë Jo” ata marshuan drejt kryeministrisë, më pas u ndalën pranë kryesisë së Kuvendit për të vijuar në fund për në institucionin e Presidencës. Një përfaqësi e kësaj shoqate u prit nga presidenti Bujar Nishani, duke i shprehur Kreut të Shtetit

shqetësimin kundër rikthimit të simboleve të diktaturës komuniste, siç është edhe ndërtimi së fundmi i një bunkeri–simbol të diktaturës në oborrin e Ministrisë së Brendshme. Gjatë këtij takimi pune, Presidenti Nishani u njoh me kërkesat e përfaqësisë së ish-të përndjekurve politikë, të cilët pasi falënderuan fillimisht për pritjen e rezervuar, i kërkuan Kreut të Shtetit që të ndërhyjë dhe të bëhet mbrojtës i shtresës së tyre ende të pa integruar plotësisht, duke i dorëzuar edhe Notën e tyre të Protestës. Gjithashtu, duke shprehur shqetësimin dhe protestën e tyre të ligjshme kundër “rikthimit të simboleve të diktaturës në vendet publike dhe mos dënimin e krimeve të diktaturës”, përfaqësuesit e ish-të përndjekurve parashtruan njëkohësisht nevojën për mbështetje nga shteti në përgjithësi ndaj kauzës dhe problemeve të tyre, si dhe nga Presidenti Nishani në veçanti, si simbol i unitetit të popullit.

Presidenti i Republikës, duke vlerësuar përpjekjet konstante dhe aktive të ish-të përndjekurve politikë për rritjen e ndërgjegjësimit publik ndaj çështjes dhe problematikave të tyre, theksoi se po ndjek me vëmendje dhe shqetësim tendencat e vazhdueshme për të risjellë mesazhet dhe simbolet e së kaluarës diktatoriale, të cilat mund të cenojnë ekuilibrat e shoqërisë shqiptare. Presidenti Nishani u shpreh se do të bëjë të gjitha përpjekjet personale dhe institucionale “gjithnjë në zbatim të Kushtetutës dhe brenda të gjithë kuadrit ligjor” për t’i përcjellë shqetësimet e shtresës së ish-burgosurve politikë tek qytetarët dhe institucionet e shtetit shqiptar, në mënyrë që të mbahet gjallë reflektimi mbi të kaluarën e hidhur, duke mos lejuar që të përsëriten më përvojat fatkeqe dhe format e terrorit, qoftë edhe psikologjik, të diktaturës gjysmëshekullore, sidomos gjatë këtij viti në kuadër të 25-vjetorit të rënies zyrtare të komunizmit.

Kronika- Protestat, jo vetëm për ish-të përndjekurit, por për të gjithë shoqërinë shqiptare/Sekretari i Shoqatës Besim Ndregjoni pas takimit me presidentin Bujar Nishani iu drejtua me një apel kryeministrit dhe kryetarit të Parlamentit: “Një apel për kryeministrin dhe kreun e parlamentit le të festojnë me familjet e tyre ditëlindjen e Enver Hoxhës por jo me shoqërinë shqiptare e cila është shkëputur nga e kaluara. I kemi kërkuar presidentit të ndalet trysnia ndaj medias që të mos jetë megafoni i qeverisë por i shoqërisë. I kërkuam hapjen e dosjeve për të gjithë shqiptarët. I kërkuam të largohen ata juristë që kanë mbi 30 vjet punë që kanë dënuar shokët tanë dhe të mos marrin pjesë në reformën në drejtësi. Ky aktivitet nuk i shërben ish-të përndjekurve politikë por të gjithë shoqërisë shqiptare”, tha Ndregjoni.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>