Presidenti Nishani: Shqiptarët, faktorë të pazëvendësueshëm për stabilitetin e rajonit

nishani

Kreu i Shtetit: “Qeveria të eliminojë barrierat ekonomike me Kosovën”

 

 

 

Axhenda e Shqipërisë dhe Kosovës përputhet me atë që quhet interes kombëtar. Barrierat për bizneset e Kosovës duhet të eliminohen. Fatkeqësisht, në disa vende të rajonit ende vazhdon të jetë e përhapur albanofobia. Pavarësisht kësaj, shqiptarët kudo që jetojnë janë faktor stabiliteti. Shqipëria s’duhet të sillet me paternalizëm ndaj shqiptarëve të Kosovës, Luginës së Preshevës, Malit të Zi e Maqedonisë. Jam miq me të gjithë. Por, President vetëm i shqiptarëve të Shqipërisë ka thënë Presidenti Bujar Nishani në një intervistë për gazetën kosovare Express.

Gjatë kësaj interviste, kreu i shtetit shqiptar e sheh të dëmshme dhe të panevojshme rolin paternalist të Shqipërisë ndaj Kosovës. Madje, një qasje të tillë e konsideron të dëmshme për kauzën e kombit shqiptar në përgjithësi. Në këtë situatë, ai thotë se Tirana s’duhet të bëhet “make-up” për Serbinë. “Shqipëria nuk mund të ketë një rol paternaliteti ndaj askujt ndër shqiptarët”, thotë Nishani, derisa flet për politikën zyrtare të Tiranës

 

President, po e nisim këtë bisedë me vizitën e fundit të Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga, e cila u takua para dhjetë ditësh me ju. Cilat ishin kërkesat e palës kosovare për ju?

Agjenda e diskutimeve dhe bashkëpunimit midis Kosovës dhe Shqipërisë është një agjendë shumë e gjerë. Një agjendë e cila, pa diskutim, përputhet mbi të gjitha në atë që quhet interesi kombëtar i shqiptarëve. Që ka të bëjë me krijimin e një bashkëpunimi, veçanërisht, në aspektin rajonal për sa i takon garancive të mëdha të sigurisë dhe stabilitetit rajonal, ku shqiptarët, kudo që jetojnë janë një faktor kyç dhe i pazëvendësueshëm. Qoftë, pastaj, edhe në aspektin e bashkëpunimit dypalësh. Shqipëria me Kosovën ka marrëdhënie krejt të veçanta krahasuar me të gjitha vendet tjera të Ballkanit. Janë marrëdhënie vëllazërore. Por, gjithashtu, janë marrëdhënie të një bashkëpunimi shtetëror në aspektin strategjik.

Pavarësisht raporteve të veçanta Kosovë-Shqipëri, posa u kthye delegacioni i Kosovës nga vizita në Tiranë treguan problemin se bizneset kosovare s’po mund të eksportojnë rrush në Shqipëri. Ka barriera teknike për bizneset kosovare, ndërkohë, Kosova i ka hequr pothuajse të gjitha barrierat për bizneset shqiptare Kjo kërkon menjëherë një qasje serioze, një koordinim, në mënyrë të tillë që ato produkte të cilat janë të kërkuara nga tregu në Shqipëri – produktet e Kosovës – t’i krijohen të njëjtat lehtësira që tregu i Kosovës krijon për produkte bujqësore të prodhuara në Shqipëri. Nuk shoh këtu asnjë arsye apo pengesë reale, përveçse, me sa duket, burokracitë e ekzagjeruara, të cilat reflektojnë çështjet e vullnetit. Prandaj, unë personalisht nuk pajtohem me këtë situatë. E përshëndes dhe e vlerësoj shumë sjelljen institucionale të autoriteteve në Kosovë. Por, kjo duhet të shtrihet edhe në Shqipëri.

 

Jeni interesuar personalisht, z. President, për të parë se pse s’po zbatohen gjithë ato marrëveshje të lidhura ndërmjet dy Qeverive?

Pa diskutim, jo që jam interesuar, por jam shumë i interesuar. Por, përtej interesimit është edhe një detyrë kushtetuese për Presidentin e Republikës, i cili duhet të kërkojë informacione të detajuara dhe të hollësishme nga ana e institucioneve shqiptare dhe unë këtë jam duke e bërë.

 

Në njëqind vjetorin e Shtetit shqiptar u shfaqë përsëri njëfarë lloj albanofobie. Si e shihni rolin e shqiptarëve në Ballkan?

Albanofobia vazhdon të mbetet një tezë dhe një realitet i hidhur, për fatin e keq. Natyrisht, kjo nuk është e përhapur në të gjitha institucionet zyrtare të vendeve tjera të rajonit, por segmente të politikës të vendeve të caktuara e kanë shfaqur për fat të keq, dhe, vazhdojnë ta kenë. Një refleks, pikërisht, i kësaj është edhe teza e ashtuquajtur “Shqipëri e Madhe”, e cila është ngritur dhe sajuar nga jo miqtë e Shqipërisë. Ka qenë një tezë dhe një platformë, pikërisht, për të penguar përparimin e botës shqiptare, prosperitetin e botës shqiptare dhe integrimin e botës shqiptare, qoftë në proceset civilizuese europianizuese e kështu me radhë.Por, gjithsesi, kjo as nuk duhet t’i ligështoi shqiptarët, as nuk duhet t’i demoralizoi shqiptarët. Përkundrazi, fakti që shqiptarët historikisht kanë qenë gjithmonë një komb që kurrë nuk ka agresuar të tjerët. Përkundrazi. Shqiptarët janë copëtuar në trojet e tyre, në territoret e tyre. Mbetet shqetësim situata, veçanërisht, ekonomike e sociale e shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Por, të gjitha këto realitete dhe kontribute e konfirmojnë faktin se jo vetëm të qenit një aktor dhe faktor kyç i stabilitetit në rajon, por edhe i pazëvendësueshëm.

 

Si e shihni ju veprimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët imituan pakicat serbe në Kosovë dhe themeluan Asociacionin e Komunave Shqiptarë atje?

Unë nuk do të ndërhyj dhe nuk do të gjykoj asnjë veprim dhe asnjë qëndrim që ka të bëjë me vendimmarrjen e përfaqësuesve politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Shqipëria nuk mund të ketë një rol paternaliteti ndaj askujt ndër shqiptarët. Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë përfaqësuesit e tyre politikë, të cilët i gjykojnë dhe mbajnë të gjitha përgjegjësitë politike për aktet dhe vendimet e tyre që marrin në aspektin politik. Por, ajo që kam nënvizuar, dhe vazhdoj ta nënvizoj me forcë, duke i kërkuar edhe Qeverisë shqiptare, por njëkohësisht edhe autoriteteve të Beogradit, që situata veçanërisht ekonomike, sociale dhe ajo e arsimimit që ka të bëjë me kulturë dhe identitetin kombëtar të shqiptarëve në Luginë të Preshevës është një situatë jo pozitive. E cila kërkon një angazhim konkret. Janë çështje të cilat duhet të qëndrojnë në tryezën e bisedimeve intensive midis Shqipërisë dhe Serbisë. Gjatë vizitës që Kryeministri i Serbisë z. Vucic bëri në Tiranë – e cila ishte një vizitë shumë e rëndësishme dhe e mirëpritur – një nga çështjet me të cilën unë ndava me te, ishte pikërisht çështja e njohjes së diplomave të studentëve të Luginës së Preshevës, situata e tyre ekonomike, punësimi i tyre, çështjet sociale të ruajtjes së identitetit të tyre kulturor, të cilat janë të garantuara nga konventat ndërkombëtare.

 

Deklaruat se nuk e shihni Shqipërinë me qasje paternaliste, por, kemi parë liderë të Shqipërisë duke u sjellë me njëfarë paternalizmi mbi Kosovën. Sidomos kemi parë një qasje të tillë në raportet Shqipëri-Serbi. Cili është vlerësimi juaj mbi këtë çështje?

Ajo nuk është aspak ndihmëse për Kosovën. Nuk është aspak ndihmëse për rajonin. Unë besoj se nuk ka për të pasur dhe nuk ka asnjë lloj ndikimi – nëse ka një sjellje të tillë paternaliste – është një sjellje e sforcuar pa kurrfarë produkti as në interesin e Shqipërisë, as në interesin e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë. Veçanërisht në aspektin e marrëdhënieve dhe të dialogut midis Serbisë dhe Kosovës. Shqipëria, duhet të respektojë tërësisht, në radhë të parë, pikërisht, autoritetet e Kosovës, të cilët kanë vendosur dhe kanë edhe mandatin e tyre të përfaqësimit në këto bisedime. Duhet të respektojnë në tërësi qasjen dhe frymën që ka ofruar, qoftë BE, qoftë SHBA – dy aleatët kryesorë strategjik të Shqipërisë dhe shqiptarëve – ndërsa, çdo përpjekje e sforcuar, unë, mendoj se nuk do të ketë kurrfarë rezultati. Përkundrazi, nuk i shërben as objektivave që ka shteti i Kosovës dhe as në tërësi, le të themi, çështjes kombëtare shqiptare.

 

Në intervistën e juaj të fundit në TV Klan deklaruat se Shqipëria po shërben si lloj “make up” ose makijazh për Serbinë. Në fakt, a mund ta na e sqaroni pak më shumë këtë konstatim tuajin?

Më ekzaktësisht, dhe në mënyrë korrekte, ka qenë që Shqipëria nuk mund të shërbejë si një “make up” – jo po shërben – por nuk mund të shërbejë, që do të thotë, duhet të kemi shumë kujdes për arsye, sepse Shqipëria është dhe duhet të jetë e interesuar, po aq sa edhe Serbia, në çështjen e relaksimit të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë. Jemi dy vende të rajonit të Ballkanit. Padyshim, që Shqipëria reflekton problematikën e madhe që pati lufta dhe gjenocidi i egër i Serbisë së Miloshevicit ndaj shqiptarëve në Kosovë. Por, nga ana tjetër, Shqipëria është dhe do të mbetet në qasjen për të parë nga e ardhmja në mënyrë të tillë, që, duke mos harruar atë kalvar vuajtjesh që solli lufta dhe tentativa për spastrim etnik dhe gjenocidi që u ushtrua ndaj shqiptarëve në Kosovë. Ne duhet të krijojmë një ambient të ri, një ambient bashkëpunimi, një ambient ku mosbesimi të zëvendësohet nga besimi. Proceset integruese europiane, janë procese që e ndihmojë, padiskutim, këtë frymë dhe këtë qasje. Por, nga ana tjetër, Shqipëria nuk mundet dhe nuk duhet assesi që të zhvendos rëndësinë e vëmendjes dhe realitetin rajonal që ka dialogu midis Serbisë dhe Kosovës në kontekstin e një dialogu midis Serbisë dhe Shqipërisë. Pra, dialogu dhe bashkëpunimi midis Serbisë dhe Shqipërisë ka një profil krejt tjetër.

Sa mund të ndihmojë Shqipëria në pajtimin e popujve të Ballkanit e sidomos në pajtimin midis Kosovës dhe Shqipërisë?

Për hir të së vërtetës, në pajtim, roli dhe kontributi duhet të jetë i njëjtë i të gjitha vendeve për të pasur një pajtim real dhe për të pasur një perspektivë krejt të pastërtë dhe të hapur në rajon. Por, duhet të jemi të sinqertë, Shqipëria vazhdimisht ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në aspektin e një konsolidimi të stabilitetit. Shqipëria ka një politik, të konsoliduar tashmë rajonale dhe të pandryshuar të kontributit dhe promovimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, të mirëkuptimit, të bashkëpunimit dhe dialogut, dhe, unë, besoj se Shqipëria ka mundësi sikurse të gjitha vendet e tjera. E ka luajtur këtë rol. Vazhdon ta luajë. Në duhet të jemi të gjithë, pavarësisht, cila Qeveri e cilës forcë, e cilit krahë politikë vjen në fuqi në Shqipëri – ky është dimensioni i demokracisë dhe i lirisë – por për sa i takon aspekteve të politikës së jashtme ne kemi tashme një eksperiencë të konsoliduar që duhet ta ruajmë posaçërisht në raporte rajonale.

 

Cili është vlerësimi juaj për elitën politike në Kosovë. Sa është e aftë ajo t’i çojë përpara proceset që kanë të bëjnë me pajtimin me Serbinë, me proceset integruese…?

Unë besoj se është krejt normale në kontekstin e maturimit të një shoqëria demokratike. Për sa kohë janë njerëz vendimmarrës dhe kanë përgjegjësitë e tyre për zhvillimet politike, ekonomike, sociale e kulturore, të cilat kanë sfida shumë të mëdha. Por, unë e vlerësoj maksimalisht angazhimin e elitës politike në Kosovë të të gjitha krahëve të aspektit politik atje. Për sa kohë sa partitë politike janë të interesuara në shërbim të identitetit të tyre kombëtar – kuptohet, flas këtu për partitë shqiptare – dhe për sa i takon angazhimeve të tyre në interes të zhvillimit të demokracisë në Kosovë, të zhvillimit të ekonomisë në Kosovë, duke nisur që para luftës për çlirimin e Kosovës, mendimtarët, njerëzit e kulturës e arsimit, shkencës në Kosovë, politikologët e rinia kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në përgatitjen le të themi të një ambienti të sjelljes së çështjes shqiptare në vëmendjen, jo vetëm të rajonit, por aspektit të vëmendjes ndërkombëtare.

 

Mirëpo, në Shqipëri kohëve të fundit, janë publikuar dosje kriminale të njerëzve të zgjedhur. Cili është vlerësimi juaj për këtë gjendje?

Çdo përfshirje në akte të kundërligjshme dhe deri në akte kriminale është një përfshirje individuale. Kushdo individë, i cili ka kryer një akt në kundërshtim me ligjet e vendit, në kundërshtim me standardet, kushdo që ka kryer një veprimtari të caktuar kriminale, padiskutim, që mban përgjegjësi individuale. Kjo përgjegjësi mbahet në raport me ligjin. Nuk mund të gjykoj dhe as të paragjykoj asnjë individ për sa kohë që këto çështje duhet të shqyrtohen nga drejtësia. Padyshim, se duhet të jetë, së pari, një drejtësi e pavarur, transparente dhe e mbështetur tërësisht në Kushtetutë dhe në ligj. Ndërsa, raporti në parim: individ-ligj; individë-institucione ligjore, kjo padyshim është çështje e domosdoshme dhe pjesë e kulturës shtetërore dhe ligjore.

 

Kosova dhe Shqipëria janë përfshirë në luftën kundër terrorizmit. Ndërkohë, qytetarët e të dy shteteve janë përfshirë në luftëra qoftë në Siri, qoftë në vende të tjera. Cili është vlerësimi juaj pse po shkojnë shqiptarët në këto luftëra?

Nëse do ta marrim edhe në raport me vendet tjera të Europës numri i shqiptarëve qoftë nga Shqipëria, qoftë nga Kosova është shumë më i vogël dhe më ulët. Por, kjo nuk ka rëndësi qoftë nëse edhe një grup i vogël i individëve janë bashkuar, kjo është një çështje serioze, një çështje e cila kërkon vëmendje të madhe, e cila kërkon një hetim, kërkon një investigim, kërkon një monitorim, kërkon një analizë, një hulumtim në të gjitha aspektet. Në aspektin ligjor, në aspektin politik, në aspektin social. Nuk di t’ju them në mënyrë detaje se nuk jam familjar me rastet që kanë shkuar nga Kosova. Por, nëse ju referohemi qytetarëve që u janë bashkuar grupeve terroriste dhe veprimtarive terroriste në Siri e Irak nga Shqipëria mund t’ju them që rezulton që në shumicën dërrmuese të tyre janë individë, të cilët vijnë nga një realitet që dominohet nga varfëria e madhe ekonomike. Nga mungesa e theksuar e zhvillimit social. Pra, përtej pjesë së propagandës që mund të ketë ndikuar te këta individë të caktuar që merren me procesin e rekrutimit dhe që s’kanë asgjë të përbashkët, përkundrazi, unë i kam konsideruar dhe vazhdoj t’i konsideroj si armiq të çështjes kombëtare shqiptare, të identitet kombëtar shqiptar.

 

Me këtë qasje shqiptarët a po bëhen armiq të perëndimit?

Absolutisht, nuk bëhen armiq të perëndimit. Shqiptarët janë aleatë ndër më besnikët të perëndimit. Është shumë e vjetër dhe jo pabazë shprehja që për “shqiptarët dielli lind kah perëndon”. Kjo është filozofike, por, nga ana tjetër reflekton eksperiencë shumë të gjatë të jetës dhe historisë së shqiptarëve. Shqipëria është anëtare e NATO’s. Shqipëria ka qenë mjaftë aktive në të gjitha aleancat kundër terrorit. Kanë luftuar djemtë e Shqipërisë kundër terrorit dhe terroristëve në Irak e Afganistan. Së fundi, Shqipëria ka qenë mjaft aktive dhe efiçiente, gjithashtu, në koalicionin antiterror kudër ISIS. Po ashtu, Kosova, jam i bindur se është jo vetëm një partner e aleate jo vetëm e rëndësishme, por, edhe e besueshme e perëndimit. Jo më kot SHBA dhe BE janë aleatët dhe miqtë më të ngushtë të Kosovës ashtu siç janë edhe të Shqipërisë. Proceset e përballjes me sfidat që sjell sot terrorizmi janë procese globale. Janë procese që kanë infektuar çdo cep të globit. Por e rëndësishme është që, jo vetëm t’i bëjmë analizat e duhura, por, jo vetëm t’i nxjerrim konkluzionet e drejta, por edhe të veprojmë në mënyrë të përbashkët. Veprimi në mënyrë të përbashkët do të na sjellë gjithmonë që të jemi, jo vetëm fitues, por te jemi efiçientë në këtë përballje.

 

Të njëjtat arsye jepen edhe në Kosovë kur flitet për shkuarjen e qytetarëve në Siri e Irak. Rrjedhimisht, shteti ka dështuar t’ju ofrojë mundësi më të mëdha në mënyrë që ata të mos e shohin perspektivën jashtë atdheut, në luftëra të dyshimta?

Unë nuk do ta konsideroja si një dështim. Nëse do të flisnim për dështime atëherë do të binim në një lloj pesimizmi. Por, padyshim se nuk është dështim, por nga ana tjetër është përgjegjësi. Është një përgjegjësi, e cila kërkon angazhime. Së pari, kërkon një angazhim të organeve të zbatimit të ligjit, të forcave të policisë dhe të Prokurorisë për të hetuar veprimtarinë kriminale dhe për ta penalizuar më pas nga institucionet e drejtësisë si një veprimtari të rëndë kriminale. Nga ana tjetër kërkon me doemos edhe trajtimin nga aspekti social. Pra, për të realizuar një politik parandaluese që individë që janë në procesin e rekrutimit të mos jenë më të suksesshëm për të rekrutuar resurse njerëzore nga të rinjtë që gjenden përballë vështirësive të ndryshme dhe mungesë së një alternative të punësimit apo të ndërtimit të jetës së tyre. Pra, në këtë aspekt, unë e shikoj si një përgjegjësi tërësisht të institucioneve të Shtetit dhe duhet parë në këtë dimension.

 

Ka ndonjë lajm të mirë sa i përket njohjeve të reja për Kosovën pasi ju keni qenë i përfshirë në këtë proces. E dëgjova një intervistë tuajën në Radio Vatikani. Mund të lëvizë ky shtet drejt njohjes së Kosovës?

Shqipëria ka kontribuuar, ka punuar dhe unë dëshiroj të shprehi mirënjohjen dhe vlerësimin tim për të gjithë ato autoritete dhe institucione të shtetit shqiptar që kanë punuar ndër dekada për këtë çështje. Por, padyshim në radhë të parë, ka qenë puna e vetë qytetarëve të Kosovës, e institucioneve të Kosovës dhe e dy aleatëve tanë kryesor SHBA dhe BE, të cilët kanë punuar dhe e kanë mbështetur procesin e njohjes së Kosovës. Unë besoj se ky lloj harmonie, pra, në radhë të parë institucionet e Kosovës, aleatët kryesor dhe Shqipëria do të vazhdojnë ta koordinojnë procesin e njohjeve të Kosovës. Kjo është në interesin edhe të rajonit dhe të stabilitetit të rajonit. Pavarësinë e Kosovës, unë, e kam gjykuar, gjithmonë, si një akt, i cili nuk ka qenë një akt armiqësor kundër askujt. Përkundrazi, ka qenë një akt, i cili i ka shërbyer stabilitetit të rajonit.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>