Presidenti Trump dominon G20-n në Hamburg, i flet Putinit për vijat e kuqe të Perëndimit

trumputinpr

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe ai i Rusisë, Vladumir Putin, u takuan të premten në margjina të samitit të G20-ës – grupit të vendeve më të industrializuara – në Hamburg. Takimi zgjati më shumë se dy orë, ndërsa ishte planifikuar vetëm 35 minuta. Në komentet e shkurtra për mediat, përpara takimit, presidenti Trump tha se pret “shumë gjëra pozitive” për Moskën dhe Uashingtonin. Trump tha se është “nder” për të të takojë homologun rus, ndërsa Putin tha se është “i lumtur” të takojë presidentin amerikan. Ata nuk u përgjigjen në pyetjet e gazetarëve përpara se të hynin në takimin privat.

Pas bisedimeve me dyer të mbyllura, Putin u tha mediave ruse se ka diskutuar një sërë çështjesh me presidentin amerikan, “përfshirë Ukrainën, Sirinë, probleme të tjera dhe disa çështje dypalëshe”. “I jemi rikthyer edhe luftës kundër terrorizmit dhe sigurisë kibernetike”, tha Putin. Takimi, i pari i tyre sy më sy prejse Trump ka marrë detyrën në janar, vjen në kohën e një krizë të thellë në marrëdhëniet dypalëshe, për shkak të konflikteve në Siri dhe Ukrainë, si dhe ndërhyrjes së dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA. Trump, vazhdimisht, ka bërë thirrje për përmirësimin e marrëdhënieve me Moskën, edhe pse administrata e tij, publikisht, ka vazhduar presionin mbi Rusinë, për shkak të aneksimit të paligjshëm të gadishullit ukrainas të Krimesë dhe mbështetjes për separatistët e armatosur në lindje të Ukrainës. Të enjten, në një fjalim në Varshavë, Trump i ka bërë thirrje Rusisë “të ndalojë aktivitetet destabilizuese në Ukrainë dhe gjetkë”, si dhe ka theksuar përkushtimin e Uashingtonit ndaj NATO-s, të cilën Putin, prej kohësh, e akuzon për rritje të tensioneve në lindje të Evropës. Takimi Trump-Putin po ashtu vjen në kohën e tensioneve midis 20 vendeve më të industrializuara të botës, për shkak të tregtisë dhe ndryshimeve klimatike. Samiti i tyre në Hamburg, që ka nisur të premten dhe vazhdon të shtunën, po përcillet me protesta të dhunshme antikapitaliste.

Protestuesit kanë sulmuar një stacion të policisë, u kanë vënë zjarrin makinave policore dhe kanë sulmuar sigurimin e hotelit ku qëndron Putini dhe udhëheqës të tjerë të huaj. Autoritetet njoftuan për së paku 11 protestues të plagosur rëndë në përleshjet me policinë. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se protestat e dhunshme, me qëllim prishjen e samitit, janë të papranueshme. Zëdhënësi i policisë, Andy Grote, tha se 45 protestues janë arrestuar, ndërsa 15 të tjerë janë dërguar në stacion të policisë. Protestat dhe dhuna bllokuan Zonjën e Parë të Shteteve të Bashkuara, Melania Trump, në rezidencën e saj në Hamburg, dhe e penguan të marrë pjesë në një ngjarje për ndryshimet klimatike për bashkëshortët e udhëheqësve politikë. “Policia e Hamburgut nuk na dha leje për t’u larguar (nga rezidenca)”, tha zëdhënësja e Trumpit, Stephanie Grisham. Të enjten, në rrugët e Hamburgut, kanë protestuar rreth 13000 njerëz, përfshirë rreth 1000 anarkistë të maskuar dhe të veshur në të zeza. Policia tha se pret rreth 100000 protestues të mblidhen të premten dhe të shtunën. Autoritetet kanë shpërndarë rreth 20000 policë për të ofruar siguri.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>