Presidenti Trump: Koreja e Veriut, “vend i papërgjegjshëm” – në rend dite zgjidhja ushtarake

Pas provës së bombës me hidrogjen, Perëndimi ka nisur të flasë për domosdoshmërinë e një ndërhyrjeje ushtarake. Dënimet formale i kanë shqiptuar edhe kancelaritë e Pekinit dhe Moskës, por nga të dyja kryeqytetet, propagandistët po fërkojnë duart, se lufta bërthamore po afron. Kostot e luftës pritet t’i përballojnë vendet e NATO-s, por çmimi i jetëve njerëzore do të jetë i papërballueshëm për koreanoveriorët

 

Presidenti Donald Trump dënoi Korenë e Veriut për provën më të madhe bërthamore që ka zhvilluar deri më sot, duke e cilësuar “një vend të papërgjegjshëm, retorika dhe veprimet e të cilit vazhdojnë të jenë armiqësore dhe të rrezikshme për Shtetet e Bashkuara.” Përmes komenteve të tij në Twitter Presidenti amerikan tha se Koreja e Veriut “është bërë një kërcënim i madh për Kinën, që po përpiqet të ndihmojë për çështjen e krizës koreane, por pa patur suksesin e duhur”. Presidenti kritikoi aleaten e SHBA-sç, Korenë e Jugut, duke thënë se “Seuli siç u kam thënë unë, po sheh se bisedimet për zbutjen e situatës me Korenë e Veriut nuk do të kenë sukses”. Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti dhe ekipi i Sigurisë Kombëtare po takohen për të diskutuar për çështjen e Koresë së Veriut. Sekretari i Thesarit Steve Mnuchin tha në një intervistë për televizionin “Fox News” se është duke u shqyrtuar një paketë e re sanksionesh ekonomike ndaj Koresë së Veriut. Koreja e Veriut kreu të dielën provën e gjashtë bërthamore, duke thënë se ka shpërthyer me sukses bombën bërthamore me hidrogjen, që mund të vendoset në një raketë ndërkontinentale. Në një njoftim të agjencisë shtetërore të lajmeve të Phenianit KCNA, thuhet se bomba me hidrogjen, e përgatitur për t’u përshtatur me një raketë ndërkontinentale (ICMB) është në përputhje me planin e Partisë së Punëtorëve për ngritjen e një force strategjike bërthamore”.

Televizioni shtetëror koreano-verior tha se prova e bombës ishte “sukses i përkryer”, ndërsa theksoi se nuk ka radioaktivitet në atmosferë pas provës, një gjë që avionët amerikanë dhe japonezë me pajisje të posaçme po provojnë ta vërtetojnë.

Sizmologët amerikanë dhe kinezë thanë se shpërthimi shkaktoi dy tërmete të cekëta në rajonin Punggye-ri, ku ndodhet objekti i provave bërthamore. Autoritetet në Japoni, Kore të Jugut dhe një numër ekspertësh joqeveritar në Shtetet e Bashkuara, konfirmuan se tërmetet ishin rrjedhojë e provës bërthamore. Tërmeti i parë ishte prej 6.3 shkallësh, që është e barabartë me shpërthimin e një bombe hidrogjenike prej 1 megatoni. Sipas agjencive japoneze dhe koreano-jugore, shpërthimi ishte ta paktën 10 herë më i fuqishëm sesa prova e fundit bërthamore e kryer më 9 shtator të vitit 2016, që shkaktoi një tërmet prej 5.3 shkallësh. Pesë minuta më pas, sizmologët regjistruan një tërmet prej 4.6 shkallësh, që mund të jetë rrjedhojë e rrëzimit të tunelit ku ishte e vendosur pajisja bërthamore. “Nëse Koreja e Veriut ka kryer një provë bërthamore, kjo është absolutisht e papranueshme dhe ne do të duhet të protestojmë fuqishëm. Këshilli i Sigurisë Kombëtare tani do të takohet që mbledhë informacione dhe për të analizuar këtë”, tha kryeministri japonez Shinzo Abe.

Synimi afatgjatë i Koresë së Veriut/Jeffery Lewis, drejtor i programit për Azinë Lindore në Qendrën James Martin, tha se nuk është i befasuar që Koreja Veriore ka arritur mundësitë për të kryer një provë termobërthamore të plotë. “U kam thënë njerëzve për vite të tëra se ky rrëfim do të përfundojë kështu”, i tha ai Zërit të Amerikës. “Koreano veriorët kanë thënë se ky është synimi i tyre për një kohë të gjatë”.

Sekretari i kabinetit japonez, u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara që të vendosin sanksione të mëtejshme ekonomike, përfshirë edhe kufizimin e importeve të naftës në Korenë e Veriut. Në korrik Këshilli i Sigurimit i OKB-së, njëzëri vendosi kufizime që përfshijnë ndalimin e eksporteve të peshkut, qymyrit dhe mineraleve tjera fitimprurëse që mund të privojnë Phenianin nga më shumë se 1 miliardë dollarë të ardhura. Gazeta japoneze Shimbun, raportoi në edicionin e së shtunës se Koreja e Veriut ka vendosur të ruajë naftën dhe benzinën në pritje të një embargoje të naftës. Gazeta tha se autoritetet e Koresë së Veriut synon të ruajë rreth 1 milion ton rezerva të naftës. Ministria e jashtme kineze lëshoi një deklaratë të dielën duke e dënuar provën bërthamore dhe i bëri thirrje Koresë së Veriut që t’u jap fund veprime “të gabuara” dhe të respektojë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Koreja e Jugut bëri thirrje për “përgjigjen më ashpër të mundshme”, përfshirë edhe sanksionet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që do “izolonin plotësisht” Korenë Veriore. Chung Eui-yong, këshilltar i sigurisë kombëtare të Koresë së Jugut, tha se Seouli dhe Washingtoni kanë diskutuar po ashtu vendosjen e pajisjeve strategjike ushtarake amerikane në Gadishullin korean.

Diktatori i Koresë së veriut, Kim Jong Un, i ka dhënë përparësi zhvillimit të raketave bërthamore ndërkontinentale që mund të godasin tokën amerikane. Prova e së dielës u parapri nga lëshimi i 21 raketave gjatë këtij viti, përfshirë edhe dy raketave balistike në muajin korrik. Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka përsëritur se zhvillimi i mundësive të Koresë së Veriut për të hedhur raketa bërthamore me rreze të gjatë veprimi, do të paraqes kërcënim të papranueshëm për sigurinë. Zyrtarët amerikanë kanë nënvizuar nevojën për të shtuar trysninë nëpërmjet sanksioneve mbi Phenianin që të ndryshojë sjelljen e tij, por kanë paralajmëruar po ashtu se po shqyrtohen të gjitha mundësitë, përfshirë edhe veprimet ushtarake. Sipas një njoftimi nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Trump dhe kryeministri japonez biseduan me telefon të shtunën para provës bërthamore dhe theksuan nevojën për bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet të dyja vendeve dhe Koresë së Jugut përballë kërcënimeve bërthamore në rritje nga Koreja e Veriut. Të dy udhëheqësit janë pajtuar që duhet rritur trysninë mbi Korenë e Veriut, u tha gazetarëve kryeministri japonez. Presidenti i Koresë së Jugut dhe kryeministri japonez, kanë caktuar mbledhjet e Këshillave të Sigurisë Kombëtare, pak pas provës së të dielës. Koreja e Veriut kreu provën e parë bërthamore më 9 tetor të vitit 2006.

Kronika ndërkombëtare – Moska proteston për “kontrollin e paligjshëm” në ndërtesat e saj diplomatike/Ministria e Jashtme e Rusisë thirri të shtunën një diplomat amerikan në Moskë, si protestë zyrtare për kontrollet në objektet diplomatike të Moskës në Shtetet e Bashkuara. Përmes një deklarate, Ministria e Jashtme ruse thirri zëvendës ambasadorin amerikan në Moskë, lidhur me “kontrollin e paligjshëm” në një ndërtesë diplomatike ruse në Uashington, e cila është në plan të mbyllet të shtunën. Rusët e cilësuan inspektimin “një veprim agresiv i paprecedent”. duke thënë se autoritetet amerikane mund ta shfrytëzojnë këtë rast si një mundësi për “vendosjen e objekteve kompromentuese” në ndërtesë. Zyrtarët amerikanë të enjten i kërkuan Rusinë të mbyllë tre ndërtesa diplomatike në Shtetet e Bashkuara, në Uashington, në San Francisko dhe në Nju Jork, pjesë e konfliktit të vazhdueshëm midis të dy vendeve rreth sanksioneve amerikane ndaj Moskës. Zyrtarët amerikanë thonë se veprimi u ndërmor në përgjigje të kërkesës që Moska i bëri Uashingtonit muajin e kaluar për pakësimin me 755 vetë të personelit të saj diplomatik në Rusi. Shtetet e Bashkuara nuk kanë komentuar lidhur me inspektimet në ndërtesat diplomatike ruse. Ministria e jashtme e Rusisë më parë akuzoi FBI-në për planifikimin e kontrolleve në konsullatën e saj në San Francisco, pas urdhërit amerikan për mbylljen e kësaj konsullate. Një zëdhënëse e ministrisë, tha se kontrollet, të cilat zyrtarët amerikanë nuk i kanë konfirmuar, “do të përbënin një kërcënim të drejtpëdrejtë për sigurinë e shtetasve rusë”. Ndërkohë, në konsullatë janë thirrur zjarrfikësit, pasi nga oxhaku i ndërtesës u pa të dilte tym i zi, por ata nuk janë lejuar të hyjnë. Zjarrfikësit arritën në përfundimin se zjarri është kufizuar tek një oxhak diku në godinë. Një zëdhënëse e zjarrfikëseve të San Franciscos i tha gazetarëve se ishte e pakuptimtë ndezja e oxhakut në një ditë kur temperatura jashtë është 35 gradë Celsius.

Kronika ndërkombëtare – Presidenti i Meksikës zotohet të mbrojë dinjitetin e vendit të tij/Presidenti meksikan Enrique Pena Nieto tha të shtunën se vendi i tij nuk do të pranojë asnjë propozim nga Shtetet e Bashkuara që shkon kundër dinjitetit kombëtar të Meksikës. Në fjalimin e tij të parë në Shtetet e Bashkuara, që kur Presidenti Donald Trump mori detyrën, presidenti Pena Nieto tha, “Marrëdhëniet me qeverinë e re të Shteteve të Bashkuara, si çdo komb tjetër, duhet të bazohen në parime të parevokueshme: sovranitet, mbrojtje të interesit kombëtar dhe mbrojtjen e emigrantëve tanë “. Gjatë fushatës së tij presidenciale, Donald Trump ishte veçanërisht i ashpër në qëndrimin e tij për Meksikën, duke i cilësuar emigrantët meksikanë në SHBA si vrasës dhe përdhunues. Zoti Trump gjithashtu deklaroi se SHBA do të ndërtonte një mur mes Meksikës dhe SHBA-së për të frenuar rrjedhën e emigrantëve në SHBA dhe gjithashtu premtoi se do ta detyronte Meksikën të paguante për murin. Zoti Trump ka qenë gjithashtu kritik i fortë i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut, ose NAFTA, dhe ka kërcënuar të tërhiqet nga pakti. Negociatorët nga të tre vendet po punojnë aktualisht për marrëveshje të reja të NAFTA-s. Presidenti Pena Nieto mbrojti NAFTA në fjalimin e tij. “Objektivi i Meksikës është të konsolidojë këtë marrëveshje si një instrument i integrimit rajonal, duke dhënë siguri për tregtinë dhe investimet midis Meksikës, Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara,” tha zoti Pena Nieto. Presidenti Pena Nieto gjithashtu përshëndeti edhe “ëndërrimtarët”, siç quhen fëmijët e emigrantëve të cilët u sollën në SHBA në mënyrë të paligjshme nga prindërit e tyre. Shumë prej tyre janë meksikane dhe presidenti Trump është gati të shpallë brenda disa ditësh, nëse do të mbështesë një urdhër ekzekutiv të administratës së presidentit Obama, që u jep këtyre fëmijëve leje të përkohshme për të qëndruar në SHBA.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>