Presidenti Trump njeh Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit – arabët rinisin muzikën e vjetër të konfliktit

trumpp

Duke ia faturuar si një dështim administratave të mëparshme amerikane, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës shpalli sot në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë se Amerika njeh Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe se shumë shpejt do të nisë edhe procedura e zhvendosjes së Ambasadës së SHBA-ve në Jeruzalem. Pak më herët, Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se u kishte nisur këtë të mërkurë një kabllogram të gjitha përfaqësive diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës anembanë botës, ku iu kërkohet zyrtarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme drejt Izraelit, Jeruzalemit apo Bregut Perëndimor deri më 20 dhjetor. Lajmi publikohet nga agjencia e lajmeve “Reuters”, e cila ka mundur të disponojë një kopje të kabllogramit. “Ambasada e Tel Avivit dhe Konsullata e Përgjithshme e Jeruzalemit u kërkon vizitorëve që të shmangin udhëtimet e panevojshme drejt Izraelit, Jeruzalemit apo Bregut Perëndimor, nga data 4 dhjetor deri më 20 dhjetor 2017”, thuhet në kabllogramin e publikuar pak minuta më parë. Në kabllogram, megjithatë, nuk specifikohet arsyeja e kësaj kërkese. Gjithsesi, një gjë e tillë është fort e kuptueshme që mund të ketë lidhje me tensionimin e situatës në Lindjen e Mesme, pasi brenda pak minutash presidenti Donald Trump do të mbajë një fjalim ku do të njohë zyrtarisht Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Ndërsa Presidenti Donald Trump më herët po bëhej gati të njoftonte vendimin, Papa Françesku shprehu “shqetësimin e thellë” për këtë lëvizje, ndërsa Turqia bëri thirrje për një takim të Organizatës për Bashkëpunimin Islamik për të koordinuar një reagim. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu nuk e përmendi këtë çështje në një dalje publike më herët të mërkurën. Sekretari i jashtëm britanik, Boris Johnson tha se vendi i tij nuk ka plane ta zhvendosë ambasadën në Tel Aviv. “Ne i shohim këto njoftimet me shqetësim sepse ne mendojmë se Jeruzalemi natyrisht duhet të jetë pjesë e një marrëveshjeje përfundimtare mes izraelitëve dhe palestinezëve, një marrëveshje që ne duam të arrihet”, tha zoti Johnson.Shtetet arabe dhe myslimane kanë paralajmëruar se çdo vendim për të zhvendosur ambasadën amerikane mund të ndezë tensionet në rajon dhe të shkatërrojë përpjekjet amerikane për të arritur një marrëveshje paqeje arabo-izraelite. Shtëpia e Bardhë thotë se presidenti thjesht po njeh një realitet historik dhe modern. Para njoftimit, Presidenti Trump u telefonoi pesë udhëheqësve ë Lindjes së Mesme të martën, për t’i informuar për vendimin: kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, udhëheqësin palestinez Mahmoud Abbas, mbretin jordanez Abdullah, ëresidentin egjiptian Abdel Fattah el-Sissi dhe mbretin saudit, Salman Bin Abdulaziz Al Saud. Një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë, nuk jepte shumë detaje për bisedat përveçse “udhëheqësit diskutuan gjithashtu vendime të mundshme përsa i takon Jeruzalemit”. Aty shtohej se zoti Trump rikonfirmonte angazhimin për të çuar përpara bisedimet izraelite-palestineze të paqes dhe rëndësinë e mbështetjes së atyre bisedimeve. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë të martën në mbrëmje se zoti Trump e njeh Jeruzalemin jo vetëm si kryeqytetin historik të popullit hebre, por ka qenë vendndodhja e qeverisë izraelite që nga themelimi i Izraelit modern në vitin 1948. Sipas një ligji të nënshkruar nga Presidenti Bill Clinton në vitin 1995, ambasada duhet të zhvendoset në Jeruzalem, nëse presidenti nuk nënshkruan një dokument çdo gjashtë muaj, sipas së cilit kjo zhvendosje do të rrezikonte sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Çdo president që nga presidenti Clinton deri tek presidenti Trump, e ka nënshkruar këtë dokument. “Shtetet e Bashkuara kanë me qera një hapësirë toke në Jeruzalemin Perëndimor për të cilën paguajnë një dollar në vit. Por do të duhej të bëhej një punë e jashtazakonshme jo vetëm përsa i takon ndërtimit, por edhe për lëvizjen e njerëzve dhe objekteve nga Tel Avivi”, i tha Zërit të Amerikës, Michael Fischbach, profesor historie i Universitetit “Randolph-Macon”. Dennis Ross ishte zyrtari kryesor amerikan për procesin e paqes së Lindjes së Mesme, për tre president dhe ka punuar me izraelitë dhe palestinezë për të arritur marrëveshjen kalimtare të vitit 1995. Ai tha të martën se zoti Trump duket se po lë hapësirë të konsiderueshme si për izraelitët, ashtu edhe arabët, për të manovruar në ambjentin e ri. Disa zyrtarë në Uashington kanë shprehur shqetësimin për mundësinë e një reagimi të dhunshëm kundër interesave izraelite dhe amerikane në rajon. E pyetur nëse Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson është dakord me këtë vendim që mund t’i vendosë qytetarët dhe trupat amerikane në Lindjen e Mesme në rrezik, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert tha se sekretari “Ia ka bërë qëndrimet e tij të qarta Shtëpisë së Bardhë, dhe mendoj edhe Departamenti i Mbrojtjes. Por në fund të fundit i takon presidentit vendimi përfundimtar”.

Izraeli mori kontrollin e Jeruzalemit në Luftën Gjashtëditëshe të vitit 1967. Më pas e aneksoi Jeruzalemin Lindor. Izaeli ka thënë gjithmonë se një Jerzalem i pandarë është kryeqyteti i përjetshëm I tij. Palestinezët duan që Jeruzalemi Lindor të jetë kryeqyteti i një shteti të ardhshëm. Në Jeruzalem ndodhet Xhamia Al Aqsa, objekti i tretë më i shenjtë i Islamit. Për hebrenjtë është Tempulli Mount, vendi më i shenjtë. Zyrtari i lartë palestinez, Nabil Shaath tha se zoti Trump nuk do të shihet më si një negociator i besueshëm. “Autoriteti palestinez nuk e pranon dhunën, por mund të mos jetë në gjendje t’i kontrollojë rrugët dhe të parandalojë një kryengritje të tretë palestineze”, tha ai, duke folur në arabisht.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>