Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian

Aspiratat e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian filluan menjëherë pas rënies së regjimit komunist në vitet 1991 – 1992. Moment historik ku Shqipëria dhe shqiptarët për herë të parë po kërkonin njëzëri që të bëheshin pjesë e Evropës Perëndimore në kuptimin e demokratizimit të shoqërisë dhe shtetit. Që nga ato vite të largëta dhe sot në 2017, integrimi i Shqipërisë në BE mbetet i konsoliduar si objektivi strategjik më madhor i shtetit dhe shoqërisë dhe për këtë arsye gjendet në majën e piramidës së agjendës politike dhe diplomatike të qeverisë shqiptare. Shqipëria dhe shqiptarët janë Evropian dhe ndodhen në kontinentin Evropian, historia, gjeografia dhe identiteti autokton si pasardhës të Iliro – Pellazgëve na krijojnë një lidhje të pashmangshme me bashkësinë historike dhe atë të sotme Evropiane, prandaj duhet që Shqipëria të vazhdojë më tej me integrimin në BE për tu ndjerë plotësisht të realizuar në aspektin ekonomik, politik dhe social edhe pse kjo kërkon një punë dhe sakrificë të madhe nga ana jonë. Në aspektin e dëshirës së shqiptarëve për të qenë pjesë e BE-së, sondazhet tregojnë se 85% e popullsisë janë pro anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Kjo nënkupton që shoqëria shqiptare dëshiron të demokratizohet dhe të përkrah vlerat dhe parimet e BE-së, në mënyrë që t’i japi fund këtij tranzicioni 27-vjeçar dhe konsolidimin e shtetit me institucione demokratike.

Procesi i Integrimit të Shqipërisë në BE/Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Komunitetit Ekonomik Evropian u vendosën në vitin 1991, më tej në vitin 1992 u nënshkrua Marrëveshja e Tregtisë dhe Bashkëpunimit Ekonomik dhe më pas u nënshkrua dhe Deklarata e Përbashkët Politike Shqipëri – Komuniteti Evropian, fakt interesant është që Shqipëria ishte vendi i parë në rajon që nënshkroi një marrëveshje të këtij karakteri. Në vitin 1997 u përcaktuan kushtet politike dhe ekonomike për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së. Ndërsa Samiti i Zagrebit i vitit 2000 lançoi Proçesin e Stabilizim – Asocimit për 5 vende të Evropës Juglindore, që u finalizua me Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit në 2006, që nënkuptonte një qasje graduale politike, ekonomike dhe shoqërore të Shqipërisë në BE. Në vitin 2010 hynë në fuqi liberalizimi i vizave, pra qytetarët shqiptarë pa viza drejt hapësirës “Schengen”. Më datë 24 qeshor 2014 Bashkimi Evropian vendosi ti japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, ndërsa në vitin 2015 u çel “Procesi i Berlinit” nga Kancelarja Angela Merkel e organizuar në Berlin, në të cilën u dhanë direktiva për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, infrastrukturës së transportit, energjisë ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor. Këto direktiva u avancuan dhe u konkretizuan me tej në Samitin e Ballkanit Perëndimorë në Vjenë më 27 gusht 2015, ne Samitin e Parisit 4 korrik 2016 dhe së fundi në Samitin e Triestes më 12 korrik 2017.

E Ardhmja e Shqipërisë në BE/Progresi në marrëdhëniet Shqipëri-BE që nga fillimi deri sot pavarësisht ulje-ngritjeve vitet e fundit kanë pasur përparime të dukshme. Sigurisht Shqipërisë dhe shqiptarëve do ti duhet të punojnë fort në luftën kundër krimit dhe korrupsionit të cilët sot përbëjnë problematikat kryesore të vendit. Integrimi i plotë i Shqipërisë në BE do ta bënte demokracinë më të qëndrueshme, Shqipërinë më të emancipuar dhe ekonomine më të zhvilluar. Por pët këtë kërkohet përqafimi i vlerave dhe parimeve të BE-së forcimin e shtetit të së drejtës, mirëqeverisjen, modernizimin ekonomik dhe social, mirëqenien qytetare, institucione të qëndrueshme, zgjedhje demokratike, respektimi i rekomandimeve politike, sociale dhe ekonomike të BE-së, marrëdhënie kompromisi për reforma madhore për vendin ndërmjet qeverisë dhe opozitës si rasti i “Reformës në Drejtësi”, standarde Evropiane jetese, promovim i profesionalizmit, meritokracisë. Tre reformat kryesore që i kërkohen Shqipërisë nga BE-ja janë Drejtësia, Korrupsioni dhe Ligji Elektoral. Hapja e negociatave dhe më pas anëtarësimi në BE kërkon me patjetër afrimin e këtyre kritereve dhe standardeve të kërkuara nga BE-ja, si dhe krijimin e infrastrukturës për rritjen ekonomike të vendit që është thelbësore për realizimin e kërkesave të “acquis communataire”. Sfidat për integrimin e Shqipërisë në BE janë shumëdimensionale dhe kanë të bëjnë me faktore si identiteti, ekonomia, siguria pra sfida jetike por të realizueshme. E ardhmja e Shqipërisë është e lidhur në mënyrë të ngushtë me integrimin në Bashkimin Evropian. Kjo përforcohet nga fakti se integrimi në realitet nuk është aspiratë e poltikës por e gjithë shoqërisë shqiptare dhe nëse do të bëhej sot ndonjë referendum me shumë gjasa 90% e shqiptarëve do të ishin pro antarësimit në BE. Fakti se sot BE-ja ka problematika të ndryshme me vendet anëtare të karakterit ekonomik dhe politik, tregon se duhet të marren masa për forcimin e stabilitetit dhe sigurisë Evropiane dhe kundërpërgjigjja e duhur do të ishte antarësimi i Ballkanit Perëndimorë dhe konkretisht Shqipërisë në BE. Në konceptin e marrëdhënieve ndërkombëtare hapja e negociatave dhe më pas antarësimi i Shqipërisë në BE do të thotë rritje e statusit dhe rolit të saj si shtet dhe siguri e mirëqënie për qytatarët shqiptarë, prandaj le të jemi optimist.

Autori është Specialist i Marrëdhënieve Ndërkombëtare

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>