Prodi në Tiranë: Integrimi arrihet me reforma, duhet vullnet për drejtësinë dhe luftën kundër krimit

Universiteti i Tiranës ka zhvilluar ditën e djeshme konferencën me temë “Roli i partnerëve në tranzicionin e Shqipërisë”, ku pjesëmarrës ka qenë edhe ish-kryeministri i Italisë, Romano Prodi. Si një mik i vjetër i vendit tonë, Prodi në ligjëratën e tij theksoi se Shqipërisë duhet t’i jepet ndihmë për të realizuar procesin e integrimit, i cili do të kalojë në një proces të gjatë. “Ne dëshirojmë të shtojmë përpjekjet nuk jemi të kënaqur vetëm me kaq. Ka kritika. Nuk bëhet fjalë vetëm për rritjen ekonomike, por edhe çështja e sigurisë. Të jemi të gjithë të sigurt në  BE dhe në NATO. Do të vazhdojmë me procesin”, tha Prodi. Ish-kreu i ekzekutivit italian u kujdes të theksonte se pa realizimin e reformave të diktuara nga BE dhe në mungesë të një lufte kundër drogës e krimit, Shqipëria nuk do t’i bashkohej kurrë vendeve të unionit. “Theksi është tek zbatimi i reformave në Shqipëri, e para zbatimi i reformës në drejtësi. Ky është prioritet absolut. E dyta është lufta kundër korrupsionit dhe krimit. Shqipëria duhet të tregojë vullnet të madh për reformën në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar. Duam të bëhen përpjekje siç është orientuar nga BE”, nënvizoi Prodi.

Lubonja: Shqipëria po shkon drejt Putinizmit/Gjatë konferencës mbi rolin e ndërkombtarëve në tranzicionin e Shqipërisë që po zhvillohet në Tiranë, gazetari i njohur z. Fatos Lubonja ka deklaruar se “Shqipëria po shkon drejt Putinizmit”. Sipas publicistit Lubonja: “Po shkojmë nga pluralizmi i oligarkëve, që mbështesnin të gjitha partitë, drejt eleminimit të oligarkëve të tjerë, këto i shohim tek rrethi i Putinit, që kanë mbetur pranë tij”. Ndër të tjera, gazetari Lubonja nënvizoi se “krimi organizuar dëshiron të ketë qeveri dhe polici, por jo opozitë. Kam frikë se po shkojmë drejt putinizmit ose erdoganizmit”.

Berisha: Diskutuam me Prodin për ekonominë, korrupsioni i qeverisë Rama mban larg investimet e huaja dhe ato italiane/Ish-kryeministri italian Romano Prodi gjendej dje në Shqipëri në kuadër të disa konferencave mbi integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, por ai nuk i ka shmangur takimet me aktorët kryesorë të klasës politike vendase. Kështu, ish-kryeministri Sali Berisha njoftoi me anë të një postimi në Facebook se kishte pritur në zyrën e tij Romano Prodin, të cilin e ka falenderuar për ndihmën e përhershme të Italisë për vendin tonë. “Takim me ish-kryeministrin e Italisë, zotin Romano Prodi! Të dashur miq, sot prita në një takim ish-kryeministrin italian zotin Romano Prodi, i cili ndodhet në vendin tonë për të marrë pjesë në disa aktivitete që organizohen në përkujtim te 20-vjetorit te misionit “Alba” në vendin tonë. E falënderova përzemërsisht ish-kryeministrin Prodi, si mik i madh i Shqipërisë për ndihmën, mbështetjen dhe miqësinë që ai personalisht, qeveritë dhe populli italian i kanë dhënë Shqipërisë gjatë këtyre viteve. Ndihma e Italisë ka qenë tejet e rëndësishme për zhvillimin e demokracisë dhe të ardhmen e vendit tonë. Ish-kryeministri Prodi ka dhënë një kontribut të çmuar personal në mbështetje të përpjekjeve integruese të Shqipërisë pasi vendi ynë hapi negociatat për MSA-në në një kohë kur zoti Prodi ishte President i Komisionit të BE-së”, shprehet Berisha. Gjatë takimit midis dy politikanëve është diskutuar për investimet e përfituara nga BE-ja gjatë qeverisë së djathtë dhe faktit se qeveria Rama në mandatin e parë dhe të dytë nuk ka marrë asnjë fond për investimet. Sipas postimit të ish-kryeministrit Berisha thuhet se në takim është diskutuar edhe për gazsjellësin TAP dhe investimin e bërë deri më tani. “Në takim diskutuam për progresin që ka bërë Shqipëria si dhe raportet ekonomike midis dy vendeve tona, për të cilat vlerësuam se mund të jenë shumë herë më të mëdha. Theksova se investimet e huaja janë jetike për vendin tonë. E njoha zotin Prodi me faktin se në vitet 2008-2013 Shqipëria arrinte të merrte mbi 1 miliard euro investime në vit, ndërkohë që gjatë këtyre katër viteve të fundit investimet e huaja apo ato italiane janë thuajse zero. Theksova se rritja e krimit dhe e kriminalitetit si dhe korrupsionit janë arsyeja kryesore që frenon dhe tremb investitorët e huaj të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri. Me zotin Prodi diskutuam edhe mbi gazsjellësin TAP, të negociuar dhe firmosur gjatë qeverisjes së mëparshme, rëndësinë e tij të madhe strategjike dhe progresin e tij si dhe mbi projektet e mëdha energjetike të vendit tonë. Takimi ishte miqësor dhe i hapur”, nënvizon ish-kreu i ekzekutivit.

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>