Projekt-ligj në Kongresin Amerikan për sanksione kundër Rusisë  

kongresi

Një grup senatorësh republikanë dhe demokratë pritet të paraqesin sot një projekt-ligj që synon vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë për shkak të sulmeve të saj kibernetrike si dhe qëndrimit të Moskës ndaj Sirisë dhe Ukrainës. Në grupin e 10 senatorëve që do të paraqesin projekt-ligjin janë republikanët John McCain, Lindsey Graham, Marco Rubio, Ben Sasse dhe Rob Portman si dhe demokratët Ben Cardin, Robert Menendez, Jeanne Shaheen, Amy Klobuchar dhe Richard Durbin. Mbështetja nga të dyja partitë i shton shanset që propozimi të miratohet duke u kthyer në ligj. Ka njoftime se një projekt-ligj i ngjashëm po shqyrtohet edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve. Projekt-ligji mund të sjellë përplasjen e parë të madhe mes kongresit të kontrolluar nga republikanët dhe presidentit të ri Donald Trump, i cili në të kaluarën e ka vlerësuar disa herë pozitivisht presidentit Putin. Rusia i ka mohuar përfundimet e agjencive amerikane të zbulimit sipas të cilave Moska është përpjekur të ndërhyjë në procesin e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara. Zëdhënësi i presidentit Putin, Dmitry Peskov tha sot se projekt-ligji amerikan për vendosjen e sanksioneve është një përpjekje për t’i dëmtuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve. Zëdhënësi rus shtoi se Rusia mohon kategorikisht çdo përfshirje, siç është akuzuar, për vjedhjen e mijëra e-maileve nga kompjuterat e Komitetit Kombëtar Demokrat si dhe bërjen e tyre publike përmes Wikileaks. Sipas një përmbledhje të sanksioneve që ka parë agjencia Reuters, ndër masat ndëshkimore përfshihen mos-dhënia e vizave dhe bllokimi i pasurive të individëve që janë angazhuar në sulme kibernetike. Zyrtarët amerikanë e akuzojnë Rusinë se u përpoq të minonte shanset për t’u zgjedhur kandidates demokrate Hillary Clinton dhe u përpoq të ndihmonte rivalin e saj republikan Donald Trump. Ligjvënësit amerikanë kishin kohë që kërkonin një përgjigje më të ashpër ndaj Rusisë për shkak të rolit të saj në Siri dhe Ukrainë. Raporti i agjencive amerikane të zbulimit javën e kaluar që theksonte se presidenti Putin kishte urdhëruar sulmet kibernetike ndaj Shteteve të Bashkuara e bëri edhe më të ngutshëm veprimin e Kongresit. Projekt ligji po ashtu parashikon të kthejë në ligj, disa urdhëra ekzekutivë të presidentit Obama, mes të cilëve moslejimin e investimeve mbi 20 milionë dollarë në sektorin naftës dhe gazit në Rusi. Projekt-ligji paraqitet në ditë para seancave dëgjimore në Kongres për konfirmimin e kandidaturës së presidentit Trump për sekretar shteti, Rex Tillerson, ish drejtori ekzekutiv i gjigandit amerikan të energjitikës Exxon Mobil me interesa të shumta biznesi në Rusi.

Fokus – Tranzicioni, nga Obama tek Trump/“Garantoj çdo qytetar të vendit, se do të jem një president për të gjithë Amerikanët dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua”. Janë këto fjalët e presidentit të zgjedhur Donald Trump. Transferimi paqësor i pushtetit nga një komandant i forcave të armatosura tek tjetri është një nga shtyllat e demokracisë amerikane. Menjëherë pas fitores së zotit Trump, dy personalitetet u takuan në Shtëpinë e Bardhë, duke garantuar bashkëpunim të mëtejshëm. “Ne do të bëjmë gjithshka që ju të jeni i suksesshëm, sepse nëse ju ia dilni, ky do të jetë sukses edhe për vendin”, tha zoti OBama. “Zoti President, është një nder të jem me ju dhe po aq nder të kem mundësi të takohemi edhe shumë herë të tjera në të ardhmen”, tha presidenti i zgjedhur Donald Trump. Procesi i tranzicionit mes administratës që ikën dhe asaj që vjen është sfidues. Por kjo nuk e ndali presidentin e zgjedhur të zhvillojë një tur nëpër gjithë vendin për të falenderuar mbështetësit. “Ata thonë se si president unë s’duhet të bëj mitingje, por unë them se duhet, apo jo?!” Zoti Trump theu dhe traditën e kabineteve pararendëse, duke emëruar ish shefin ekzekutiv të firmës financiare “Goldman Sachs” si Sekretar të Thesarit dhe zotin Rex Tillerson të kompanisë ExxonMobil si Sekretar Shteti.

Presidenti Trump emëron dhëndrin e tij si këshilltar/Presidenti i zgjedhur Donald Trump emëroi dhëndrin e tij, Jared Kushner, si këshilltarin e tij. Kjo i shtyu ligjvënësit demokratë që t’i kërkonin Departamentit të Drejtësisë dhe Zyrës së Etikës, që ta shqyrtonin këtë rast, në se ka shkelje të ligjeve kundër nepotizmit dhe për konflikt interesi. Një avokat i zotit Kushner tha se ai ka në plan të heqë dorë nga të gjitha pronat jashtë vendit, sikurse edhe nga interesat e tij në një firmë investimesh dhe në një ndërtesë zyrash në Nju Jork. Zoti Kushner po ashtu ka thënë do të japë dorëheqjen si drejtori ekzekutiv i kompanive Kushner dhe si botues i gazetës the New York Observer para se të fillojë punën në Shtëpinë e Bardhë. Gjashtë anëtarë të Kongresit i shkruan një letër Prokurores së Përgjithshme Loretta Lynch dhe Zyrës së Etikës në qeverinë e Shteteve të Bashkuara, ku i referoheshin një ligji të vitit 1967, sipas të cilit, një zyrtari publik nuk i lejohet të emërojë anëtarë të familjes në të njëjtën agjenci ku ai shërben. Avokati i zotit Kushner, Jamie Gorelick, tha se ky rregull nuk prek presidentin, pasi Shtëpia e Bardhë nuk është agjenci shtetërore. Në letrën e tyre ligjvënësit po ashtu thonë deklarata e avokatit Gorelick se Kushner do të tërhiqej nga çështjet që lidhen me interesat e tij financiare pasi të jetë larguar nga kompanitë e tij, do të thotë se ai ka për të vazhduar t’i mbajë pronat, të cilat mund të preken nga politikat qeveritare që lidhen me punën e tij të përditshme. Ekipi i tranzicionit i zotit Trump tha se roli e zotit Kushner do të përfshijë edhe tregtinë në Lindjen e Mesme dhe se ai do të punojë afër me Shefin e Personelit të Shtëpisë së Bardhë Reince Priebus, si dhe me strategun kryesor Stephen Bannon. Në ndryshim nga anëtarët e tjerë të kabinetit të zotit Trump, pozicioni i Kushnerit nuk kërkon miratimin e Senatit. 35-vjeçari Kushner është martuar me vajzën e zotit Trump, Ivanka. Gazetarët e pyetën dje Donald Trumpin lidhur me rolin e mundshëm të Kushnerit dhe ai u përgjigj “do të flasim për këtë të mërkurën”. Të mërkurën presidenti i zgjedhur ka në plan të mbajë konferencën e shumëpritur të shtypit, e para që pas zgjedhjes së tij më 8 nëntor. Ceremonia e Inaugurimit të zotit Trump do të mbahet më 20 janar.

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>