Pushteti vendor: Decentralizim, pastaj reformë territoriale

Përfaqësuesit e bashkive dhe komunave kërkojnë konsulencë të gjerë për reformën territoriale, kërkojnë që zëri i tyre të dëgjohet, dhe theksojnë se rritja e autonomisë dhe decentralizimi janë më të rëndësishme se sa kufinjtë dhe hartat Shoqatat e të zgjedhurve vendor organizuan sot konferencën: “Zgjerimi i autonomisë vendore, reformë e qëndrueshme territorial”, ku morën pjesë kryetarë komunash e bashkish, ekspertë dhe grupe interesi. Sot ishte etapa e parë e konferencës, ku u theksua se autonomia vendore funksionin dhe është në shërbim të qytetarëve. “Deri në vitin 2001 qeverisja vendore kishte një rol shumë të kufizuar. Në vitet 2002-2005 kemi një rritje të moderuar të fuqisë financiare të qeverisjes vendore kombinuar me një shkalle maksimale të autonomise fiskale dhe financiare. Në vitet 2006-2009, kemi një shumefishim të fuqisë financiare të qeverisjes vendore, ndërsa ne vitet 2010-2013 kemi një rritje tjetër të moderuar te fuqise financiare”, u shpreh Drejtori i Shoqatës së bashkive, Fatos Hodaj. Duke analizuar procesin e decentralizimit, forcimit të kapaciteteve dhe rritjes së shërbimeve që ofrojnë njësitë e zgjedhura vendore, u konkludua se komunat dhe bashkitë kanë nevojë për të tepër autonomi dhe pushtet për të rritur rolin e tyre si pushteti më i afërt me qytetarin. “Në se pranojmë që kemi një model që ka nevoje për permiresime atëherë duhet të japim një zgjidhje alternative. Nëse duam zgjidhje të re të pranueshme dhe të qëndrueshme atëherë ka nevojë të padiskutueshme për gjithpërfshirje dhe konsensus vertikal dhe horizontal. Zgjidhja e re duhet të kapitalizojë të gjithë eksperiencën dhe avantazhet e sistemit të derisotëm”, tha Agron Haxhimali, drejtor i Shoqatës së Komunave. Më e rëndësishme se sa vizatimi i kufinjve dhe i hartës elektorale është përmirësimi i kapacitetit dhe i autonomisë së pushtetit vendor. “Procesi duhet të rinisë me metoden e duhur pra, strategji decentralizuese që con në ndarje të re territoriale dhe jo e kundërta. I kemi të gjitha kapacitetet për të ecur shpejt. Asnjë studim, analizë, draft-produkt i bërë deri më sot nuk ka pse të shkoje dem. Gjithcka duhet ripare në funksion të vizionit strategjik. Nuk kemi asnjë situate emergjente për të nxituar “si te marre”, u shpreh, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Nevila Xhindi. Të zgjedhurit, përfaqësuesit e shoqatave përsëritën sot qëndrimin se demonizimi i njësive vendore nga qeverisja qendrore, nuk është qëndrim realist dhe nuk i shërben interesave të qytetarëve. Konferenca e mbledhur sot, do të ketë edhe dy etapa të tjera. Në etapën e dytë do të diskutohet mbi reformën administrative dhe konsolidimin territorial. Dhe në etapën e fundit, do të ketë një prezantim të konkluzioneve pas këtij diskutimi dhe konsultimi publik të të zgjedhurve vendorë me ekspertët dhe grupet e interesit.