Putinizimi i Zgjedhjeve  

Fakti/Rama zgjedh të shkojë në Beograd veç si tifoz, sjellje prej lypsari

 

Dhjetë ditë para 21 qershorit, po provohet se zgjedhjet vendore s’do të jenë as të drejta e as të barabarta. Pushteti është angazhuar pasivisht në fushatën e partive qeveritare, opozitës po i pamundësohet edhe regjistrimi i kandidatëve, ndërkohë që KQZ-ja u tha dje medieve se mund të bëjnë propagandë për mazhorancën, pasi s’ka ndërmend t’i gjobisë. Putinizimi i zgjedhjeve po realizohet përmes talljes me procesin e dekriminalizimit, ndërkohë që ka mbetur vetëm 21 qershori, si një mundësi që zgjedhjet të jenë të paktën të lira e pas kësaj date të nisë ndëshkimi i atyre që po shkatërrojnë demokracinë në Shqipëri

 

 

 

S’ka nevojë të presim 21 qershorin për të kuptuar se zgjedhjet vendore të Shqipërisë nuk do të jenë as të drejta e as të barabarta. Këto prerogativa të sistemit demokratik, kanë rënë gjatë historikut paraelektoral dhe vëzhgimit të procesit prej 21 majit, kur ka nisur edhe zyrtarisht fushata zgjedhore. Precedentët e zgjedhjeve të drejta janë rrënuar nga pamundësimi i opozitës për të konkurruar në bashkinë e Kurbinit, ndoshta komuniteti më i rreshtuar pro-PD-së gjatë 20 viteve të pluralizmit. Mjaft të mendoni se në këtë bashki përfshihen komunitetet e Laçit, Mamurrasit e Fushë-Kuqes, për të kuptuar se sa politikë ka brenda betejës “procedurale” që shteti, nëpërmjet PS-së, KQZ-së e Kolegjit Zgjedhor ndoqi për t’ia pamundësuar opozitës konkurrimin. Rasti specifik i pamundësimit për të patur zgjedhje zgjerohet me një panoramë të frikshme në shkallë kombëtare, e cila nga ana e pushtetit nuk ka konkurrentë, por dy superkryetarë bashkish, Edi Ramën dhe Ilir Metën, si “patronët” e kryebashkiakëve të ardhshëm, ndërkohë që poshtë tyre lëvrijnë mamuthët socialistë të herët së dytë e të tretë nëpër bashki, pagatorët që duan të ndërrojnë karrierë nga biznesi në administratë apo besnikët e rinj të PS-së e LSI-së, të cilët kanë punuar për pastrimin e partive nga “armiqtë e brendshëm”. Këta dy superkryebashkiakë po zhvillojnë fushatë fshat më fshat e qytet më qytet, kryesisht tek zonat ku duket se megjithë “prishjen e peshores”, ata ende s’e kanë nënshtruar, shurdhuar e memecëruar popullsinë. Bashkë me ta, e gjithë llurba shtetërore, e ministrive, drejtorive, bashkive ekzistuese, organizatave partnere që janë shndërruar në kliente të pushtetit, bile edhe kategori të tilla aq autonome sa mësuesit e mjekët, janë pas tyre, në një mekanizëm që s’është parë, të paktën qysh prej vitit 2001, kur Shqipëria u bë gazi i botës me përdorimin e policisë për hapjen e përdhosjen e kutive të votimit. Ky stacion është cekur paraprakisht edhe tani, teksa forcat policore kanë ndërhyrë për të ndërprerë tubime paraelektorale, ndërkohë që për raportimet e dhunës nëpër qelitë e komisariateve ndaj simpatizantëve të opozitës, as që ia vlen të regjistrohen rast pas rasti, aq të shumta janë.

Shkatërrimi i barazisë së zgjedhjeve ka marrë goditje fatale jo veç në publik, tek institucionet që s’ua masim dot performancën si media apo komunikimi masiv, por edhe tek KQZ-ja dhe tek pasqyrimi mediatik, sa kohë ai është i rregulluar me ligj. Në mënyrë të frikshme, thuajse të gjithë kandidatët disidentë, që tentuan të regjistrohen si të pavarur, u bllokuan nga KQZ-ja, e cila në një interpretim thuajse ushtarak në favor të PS-së, ri-interpretoi Kodin Zgjedhor dhe rrënoi aspiratat e kandidatëve për t’u përfshirë në fletën e votimit. Kjo shumicë ushtarake në favor të Edi Ramës, e cila u mohoi laçjanëve e mamurrzakëve mundësinë për të zgjedhur, u shfaq dje në mënyrë të shëmtuar në një interpretim edhe më bajat të Kodit Zgjedhor, teksa tha se ishte e pafuqishme të vendoste rregull në tregun mediatik, meqenëse kishte frikë se zbatimi i prerogativave të Kodit Zgjedhor, mbi shkeljen e “par condicio”-s, mund të sillte në falimentimin e shumë operatorëve televizivë. Ky “merak” solli edhe votimin në shumicë të KQZ-së për moszbatimin e Kodit Zgjedhor, një rekord i zi që fare pak herë është verifikuar dhe sa herë është verifikuar, është regjistruar “mot a mot” si i tillë në raportin e ODIHR-it, duke njollosur njëherë e mirë standardin e zgjedhjeve tona. Dhe s’është ndonjë gjë për t’u kaluar pa u ndjerë. Imagjinoni se propozimi i Bordit të Monitorimit të Mediave ishte për gjobitjen e tre televizioneve kombëtare dhe të gjitha kanaleve televizive me audiencë të konsiderueshme, të cilat, 100 përqind kishin shkelur Kodin Zgjedhor, duke u dhënë në shumicë hapësirë partive PS e LSI, në dëm të partive të opozitës. Pra, një zhbalancim 100 përqind i medias dhe një shkelje 100 përqind e Kodit Zgjedhor u shoqërua nga një mesazh i shumicës partiake të KQZ-së se s’ka ndëmend të ndërhyrë në këtë situatë.

Por zyrtarizimi i këtij rekordi s’ka nevojë të presë aq gjatë. Qysh në raportin e ndërmjetëm të ODIHR-it, zgjedhjet shqiptare i kanë bjerrë standardet, pasi ka mungesë transparence në shpalljen e listës së zgjedhjeve, njëanshmëri të frikshme në vendimet e KQZ-së si dhe përdorim masiv të administratës shtetërore për fushatë elektorale. Përtej këtyre konfirmimeve, kemi tashmë fushatën masive të PS e LSI për blerjen e votave, denoncimet në disa zona për intimidimin e mbështetësve të Partisë Demokratike, si dhe rekordin e zi të tentativës për të goditur me karrige liderin e opozitës në Leskovik, një rekord që është regjistruar me të njëjtin gravitet veç në jo-zgjedhjet e 1997-s. Mjaft të kujtojmë se mediat pro-qeveritare (televizione dhe gazeta) kanë nisur këto ditë ta cilësojnë pasqyrimin e aktiviteteve të opozitës si një “hapësirë marketingu” dhe jo si një “informim publik”.

Që 10 ditë para zgjedhjeve, është kuptuar se Shqipëria s’do të ketë as zgjedhje të drejta e as zgjedhje të barabarta. Opozita ka përballë administratën shtetërore si një formacion elektoral, administratën policore si një formacion intimidues dhe struktura okulte, si stacione terminale që do të mundësojnë regjistrimin e “fitores plebishitare”, pasi Edi Rama është “lider maximo”, kurse mbështetësit e opozitës janë budallenj dhe në PD politikanët “flenë gjumë”. Kjo ëndërr kërkohet të projektohet si një realitet elektoral i pas21qershorit, prandaj edhe tashmë standardi i zgjedhjeve të drejta dhe të barabarta ka rënë që tani, sepse ky standard mat situatën parazgjedhore dhe fushatën elektorale dhe jo ditën e votimit. Letra e lakmusit ishte dekriminalizimi, të paktën dekriminalizimi i listës së kandidatëve, por edhe aty, në kushte super të pafavorshme, veç opozita dha modelin e vet, ndërkohë që Edi Rama ka nisur një kurs karshillëku ndaj faktorit ndërkombëtar, i cili mund ta çojë veç në abortim kryebashkiakësh, por jo në zgjedhje kryebashkiakësh.

Kursi i përplasjes me Perëndimin dhe standardet e tij është kursi i putinizmit, stacionet e të cilit i dimë dhe pasojat që mund të sjellë zbatimi i tij në botën shqiptarë gjithashtu i merr me mend secili prej nesh. Për të ndalur një formalizim të putinizmit, të cilin sekretari amerikan i shtetit e cilëson me një gjuhë teorike si “instalim i regjimit të oligarkisë”, ka mbetur vetëm një pengesë, mbajtja e zgjedhjeve të lira, pra mospërdhosja e ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit të votave. Alarmi se do të ketë kudo vëzhgues s’po e ndal buliminë e nomenklaturës edviniste. Si përgjigje kemi marrë veç bajatizmin e deklaratave se edhe për Edi Ramën, edhe për Ilir Metën, edhe për mazhorancën, standardet e zgjedhjeve janë më të rëndësishme sesa rezultati i tyre. Për momentin kemi administratën shtetërore që është shndërruar si mish për top, kemi KQZ-në që pushkaton kandidatët disidentë dhe u thotë medieve se mund të rreshtohen majtas, pasi s’ka ndërmend t’i ndëshkojë, si dhe kemi fushatën masive e të kombinuar të blerjes së votave dhe intimidimit të votuesve të djathtë.

Si perspektivë duhet të shpëtojmë 21 qershorin dhe periudhën pas kësaj date, nëse nuk duam të rreshtohemi formalisht nga partnerët ndërkombëtarë si një vend që është sëmurur nga Putinizmi dhe që po rrezikon të shndërrohet në eksportues të këtij virusi edhe në rajon.