Qeverisja e sotme, fotokopje e diktaturës – PD do t’i rikthejë shpresën Tropojës

besnik-dushaj

Sa herë vjen kjo ditë e përkujtimit të lirisë na pushton një ndjenje e fuqishme krenarie, pasi Tropoja dhe bijtë e bijat e saj ishin dhe mbeten kurora e mrekullueshme e lëvizjes kundër diktaturës dhe themeluesit e parë të Partisë Demokratike, e cila i dha Shqipërisë rrugën drejt Europës dhe këto 26 vite e priu popullin shqiptar drejt prosperitetit.

Jam i bindur që si unë dhe shumica prej jush, keni pyetur të paktën një herë veten se si lindi, u rrit dhe sot është bërë e pathyeshme lidhja midis Partisë Demokratike dhe malësorëve të Tropojës. Dhe përgjigja është e thjeshtë, tropojanët janë njerëz të lirisë dhe prosperitetit, vlera që ecin krah për krah me Partinë Demokratike, vlera që frymëzuan shpirtin guximtar të Azemit të pavdekshëm, vlera që u rrezatuan ndër çerek shekulli udhëheqje nga burri i madh i kombit shqiptar, Prof. Dr. Sali Berisha dhe janë vlerat që jetojnë dhe pasqyrohen çdo ditë, çdo çast nga lideri i Partisë Demokratike, z.Lulzim Basha.

Ky zinxhir vlerash është lidhja e pazgjidhshme e qytetarëve të Tropojës me Partinë Demokratike, dhe është kjo lidhje e krijuar atë 10 janar të 91, që vazhdon dhe sot pas 26 vitesh.

Kjo ditë e ftohtë dhe e vështirë janari na kujton çdo vit mundin dhe dëshirën e pakufishme të gjithsecilit prej nesh për të ndezur zjarrin e ngrohtë të lirisë, shpresës dhe frymëzimit në një kohë të ftohtë diktature, një i ftohtë dhune, terrori dhe mjerimi.

Sot, kur ajo liri e fituar me shumë mund, gjak e sakrifica po cënohet, shpresa po shuhet dhe mjerimi po rritet, na nevojitet ai kujtim i zjarrit të lirisë, që ngrohte si dielli shpirtin e gjithsecilit prej nesh, na nevojitet në thellësinë e qenies sonë, ai kujtim i forcës së bashkimit dhe vullnetit për te mposhtur te keqen.

Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për heronjtë e 10 janarit 1991, për të ndezur shpresën e Tropojës, që në 3 vite është goditur, shkelur, venitur nga arroganca e kësaj qeverie.

Në 3 vite kjo qeveri dha 1.5 milion euro investime nga buxheti i shtetit për Tropojën, dhe janë shumë herë më pak investime se sa për Skraparin apo Tepelenën e bashki të tjera të majta, një statistikë e papajtueshme.

Pavarësisht përpjekjeve të bashkisë sonë, pavarësisht numrit të madh të projekteve të dorëzuara nga ana jonë, financimet e kërkuara mungojnë.

Kjo qeverisje e sotme, që në një kuptim është fotokopje e diktaturës komuniste, në aspektin e propagandës dhe luftës së pamëshirshme ndaj kundërshtarëve politik, ka sjellë mjerim dhe dëshpërim tek populli shqiptar e veçanërisht te tropojanët liridashës, të cilët me dhimbje kanë marrë këto tre vite rrugët e Europës për shpresë, siguri dhe jetë më të mirë, sidomos për fëmijët e tyre.

Unë e di që me të drejtë qytetarët e Tropojës i drejtojnë sytë prej nesh, prej Partisë Demokratike. Dhe kjo na jep krenari, sepse vërteton që nuk kemi humbur besimin qytetar, por gjithashtu na vendos para përgjegjësish të mëdha.

Megjithë arritjet e shumta që patëm në Tropojë gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, shumë demokratë kanë pritë më shumë, si në zhvillimin e Tropojës dhe në punësim.

Unë e di që pritet shumë nga bashkia Tropojë, që pritet shumë nga unë, dhe ju siguroj se po bëjmë të gjitha përpjekjet për të justifikuar besimin tuaj, i cili nuk ka munguar ndër vite, një besim që tek unë ka pasqyruar dhe do pasqyrojë çdo ditë, çdo orë, çdo çast krenari dhe përgjegjësi.

Ne do të vazhdojmë me këmbëngulje e pa ndërprerje punën në shërbim të qytetarëve të Tropojës dhe do të ofrojmë bashkëpunimin tonë me çdo institucion qeveritar dhe joqeveritar për të përmirësuar jetën e bashkëqytetarëve tanë.

Vëllezër e motra,

Ndjehem krenar, që me këmbënguljen tonë dhe kontributin e shumë personaliteteve e biznesmenëve brenda vendit dhe në diasporë, ndërtuam në qytetin tonë sheshin e Heroit dhe së shpejti do të vendoset aty, përballë Olimpit tonë të shenjtë, Shkëlzenit, përmendorja e tribunit të përjetshëm Azem Hajdari, si simbol i shkrirë në bronx i guximit, lirisë dhe frymëzimit.

Ne kemi bërë dhe do të bëjmë çdo gjë që është e mundur, që qyteti në prehër të Alpeve të jetë emblemë për zhvillimin e jetës e sidomos të turizmit.

Unë kam kënaqësi kur shoh e dëgjoj, që tropojanët këtu dhe në rrethe të tjera i aprovojnë këto investime, dhe shprehin krenarinë për punën e bërë. Por pavarësisht gjithë punës sonë duhet pranuar që vështirësitë janë të shumta dhe pritshmëritë e demokratëve dhe qytetarëve të Tropojës janë në shumë raste të parealizueshme. Shumë projekte mbeten pa financimin e qeverisë, punësimi ka hasur vështirësi dhe në disa raste krijon pakënaqësi, madje kjo ndodhte edhe atëherë kur ne kishim dhe pushtetin qendror, sepse pavarësisht përpjekjeve tona, pavarësisht dëshirës për të ndihmuar, punësuar çdo qytetar në vështirësi, kjo është e pamundur dhe si rrjedhojë detyrohemi të bëjmë zgjedhjet më të mira të mundshme, duke u përpjekur që të gjejmë një balancë mes kontributit dhe kualifikimit, zgjedhje të cilat shumë herë ngjallin hatërmbetje. Por ju siguroj se përpjekja jonë për t’i ardhur në ndihmë çdo demokrati, çdo qytetari të Tropojës nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë. Kjo përpjekje e pamunguar në çdo çast është pasqyra e dëshirës sonë për t’ju ndihmuar dhe gjetur zgjidhje për çdo njërin prej jush, por dhe lind kërkesën për mirëkuptimin tuaj për vështirësitë e mëdha me të cilat hasemi. Gjej rastin t’ju kërkoj ju të nxitni këtë mirëkuptim, i cili do t’i shërbente bashkimit që do sjellë fitoren në zgjedhjet e qershorit, fitore e cila do ti jepte zgjidhje çdo problem. Gjithashtu dua t’ju kërkoj të vëzhgoni në çdo moment punën e bashkisë Tropojë, punën e çdo punonjësi të saj, të shfaqni kritikat për çdo punë, në çdo çast, por dhe të mbroni sukseset e kësaj bashkie, të cilat në këtë situatë të vështirë mendoj se kanë qenë mbresëlënëse.

Ne kemi qenë gjithë këtë kohë me punë konkrete në terren, në çdo cep të Tropojës, jemi dhe do vazhdojmë të jemi tek çdo familje tropojane në hall, për t’i ofruar zgjidhje konkrete dhe jo fjalë virtuale në rrjetet sociale.

Vëllezër e motra. Unë e di që kemi borxhe të mëdha për disa demokratë qëndrestarë, të cilët megjithëse përfituan më pak se një pjesë tjetër nga Partia Demokratike, na mbështetën me forcë, dhe ne po mundohemi pak nga pak të shlyejmë këtë borxh moral të akumuluar ndër vite. Ne e dimë që Tropoja dhe qytetarët e saj hasin në shumë vështirësi, por të gjithë ne jemi dhe duhet të jemi të bindur se zgjidhja e tyre buron nga Partia Demokratike. Ne e dimë që Partia Demokratike është në një situatë të vështirë përballë forcave politike më regresive qe mund të ketë një demokraci, forca politike, që kanë për mision marrjen e zgjedhjeve me çdo kusht, qoftë me blerje, manipulim dhe lloj-lloj kërcënimi, por ne e dimë që forca jonë qëndron te bashkimi, forca jonë qëndron te dashuria që kemi për Tropojën dhe vendin, forca jonë qëndron te ajo çfarë ofron Partia Demokratike dhe kryetari ynë, z. Lulzim Basha.

Prandaj, ne demokratët në Tropojë dhe në gjithë Shqipërinë, me energji e vullnet dhe duke punuar çdo ditë, çdo orë, çdo minutë, me çdo bashkëqytetar tonin, duhet dhe do të mposhtim të keqën dhe do t’i rikthejmë shpresën Tropojës dhe tropojanëve. Nder përjetë demokratëve të Tropojës dhe gjithë Shqipërisë! Gëzuar festën! Faleminderit!.

Fjala e kryetarit të Bashkisë Tropojë në 26-vjetorin e themelimit të degës lokale të PD-së

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>