Qeveritarët janë ngrohtë, qeverisja ka ngrirë

debore

Shfaqjet qeveritare me parashikime moti dhe mbledhje emergjencash ku flitet për gjithë të mirat, s’e fshehin dot mungesën e qeverisjes në emergjencën e parë të 2017-s. Fondet për luksin e zyrave dhe shtimin e propagandistëve në zyrën e Edi Ramës tashmë kanë kaluar dhe pritet thjesht lëvrimi i qerasjeve paraelektorale, por qeverisja ka ngrirë, që nga mungesa e kripës nëpër rrugë e deri tek mbyllja e paprecedentë e shkollave për më shumë se dy javë

Shqipëria gjatë ditëve të fundit i është dorëzuar pushtetit që ka marrë në dorë moti i keq, i shoqëruar nga reshjet e dëborës në pjesën më të madhe të territorit, ngricat, temperaturat nën zero dhe epidemia e gripit, që ka paralizuar sistemin arsimor dhe punën në administratë. Situata e rënduar që po kalon vendi ka qenë e paralajmëruar dhe një mot i tillë ishte parashikuar prej kohësh nga sinoptikanët, por e vetmja që shfaqet si e paditur dhe e kapur në vështirësi është qeveria Rama, që nuk ka marrë përsipër përgjegjësit që i takojnë dhe ka hezituar t’i gjendet pranë banorëve në zonat e bllokuara nga dëbora dhe mungesa e komunikimit për shkak të ndërprerjes së energjisë. Qeveria që premtoi “Rilindjen” në 2013-ën përveçse i zhyti shqiptarët në llumin e varfërisë, ka treguar përgjatë kësaj jave se është e paaftë për të përballuar situatat e emergjencës që krijohen në vend dhe të varfrit që prodhoi sistemi i tyre korruptiv i ka lënë të vetëm në betejën me motin e keq. Kështu pra ndërkohë që kryeministri dhe sahanlëpirësit e tij që kanë vjedhur edhe fondet e dedikuara për kripën, që nevojitet për të shkrirë akullin në rrugët e bllokuara, zhvillojnë mbledhje nën emrin e Shtabit të Emergjencave Civile për të dhuruar shfaqje në ekranet televizive, gjysma e territorit të vendit është e bllokuar dhe përballet me vështirësi si mungesa e energjisë, ujit por edhe medikamenteve për personat e sëmurë. Edi Rama tashmë e ka bërë zakon që të braktisë qytetarët e vendit dhe t’i lërë tërësisht të vetëm pa asnjë ndihmë sa herë që ata gjenden përballë vështirësive që lindin nga moti i keq. Kështu veproi kreu i qeverisë një muaj më parë kur zgjodhi të udhëtonte në Nju Jork gjatë kohës që reshjet arritën të nënshtronin shqiptarët duke shkatërruar çdo të mbjellë, shtëpi dhe biznes, e të njëjtën gjë ka marrë përsipër të realizojë edhe tani. Rama nuk bën gjë tjetër përveçse e shet situatën si të normalizuar në mediat e paguara prej tij. Është e turpshme mënyra sesi qeveria po e lë në baltë popullin e vetë, duke mos pasur as kripë dhe skorje për t’u hedhur rrugëve të bllokuara që kanë paralizuar qarkullimin në të gjithë veriun dhe veri-lindjen e vendit. Sipas raportimeve nga terreni zona të tëra në Kukës, Has, Dibër, Pukë, Bulqizë, Shkodër e Malësi të madhe janë të izoluara totalisht prej më shumë se 24-orësh dhe banorët vuajnë mungesën e energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm, ndërkohë që epidemia e gripit, e cila ka lënë pas edhe disa viktima është një tjetër problem madhor, pasi është bërë pothuajse e pamundur ose e vështirë furnizimi i këtyre zonave me ilaçe apo transportimi i të sëmurëve në spitale. Në situatën e rënduar që po kalon vendi kryeministri e bën gjumin e qetë dhe nuk shqetësohet fare për hallet e qytetarëve dhe faktin se është paralizuar gjysma e territorit. Edi Rama e ka treguar se e ka të vështirë të ndahet nga linja e tij e propagandës dhe nuk po e mënjanon aspak këtë të fundit duke tentuar që njerëzve t’i vijë në ndihmë me llafe boshe, ndërkohë që mungon prania në terren e borëpastruesve dhe specialistëve të OSSHE-së që duhet të garantojnë energji për zonat e bllokuara. Qeveria e “Rrënimit”ka harruar ata që e votuan në 2013 dhe nuk ka marrë përsipër të hap as rrugë të bllokuara, nuk ka furnizuar me ushqime, ujë apo medikamente qytetarët e mbetur të bllokuar nga dëbora. Por në një moment që situata ka percepituar në gjendjen aktuale, ku thirrjet për ndihmë nga qytetarët e bllokuar në akset kombëtare të veriut të vendit sa vijnë e shtohen, shqetësimi duhet të shtohet në rrethin e qytetarëve pasi moti në fundjavë pritet të përkeqësohet dhe ata do të mbeten po të vetëm dhe të pa ndihmuar nga qeveria për të kaluar këtë gjendje. Qeveria e krimit dhe drogës i ka harruar qytetarët dhe nuk mund t’iu gjendet pranë atyre pasi lekët e predispozuara për t’u përdorur në të tilla situata kanë përfunduar në xhepat e hajdutëve dhe kriminelëve që Rama ka dekoruar me poste të rëndësishme. Realisht situata që po kalon Shqipëria në këto ditë të para të 2017-ës, është e vështirë për t’u përballuar pa ndihmën e strukturave përkatëse, por shqiptarët e braktisur nga qeveria e tyre duhet të kuptojnë se kur në vetë mbledhjen e shtabit qendror të emergjencave pranohet se ka mungesë kripe për të zhbllokuar rrugët e zëna nga dëbora dhe akulli, papërgjegjshmëria dhe abuzimi kanë kaluar në ekstrem dhe beteja me motin e keq duhet fituar me forcat e veta, pasi qeveria ka dështuar t’iu ofrojë ndihmë.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>