Rama bllokon hetimet, zgjedh shpifjet dhe intrigat

rama

 

 

Vuloset rreshtimi kundër hetimit ndërkombëtar i Edi Ramës. I zënë në flagrancë, në vjedhjen masive të 600 milionë eurove, me firmën e tij personale, kryeministri dha urdhër dje të bllokohen hetimet e të mos dalin para shqiptarëve, jo veç emrat e hajdutëve, por edhe shpifjet, intrigat e stërkëmbëshat që ai lëshon, kundër ortakut në qeverisje dhe paraardhësve të tij në opozitë

 

Dje në Kuvend u vulos marrëveshja e Edi Ramës me korrupsionin. Ashtu si miratimi i ligjit të vjedhjes dhe amnistisë së hajdutëve që i fali CEZ-it 600 milionë euro, Edvini me refuzimin e hetimit ndërkombëtar la në fuqi mega-aferën korruptive më të madhe në 24 viteve të fundit dhe dëshmoi se është kryeministri i kryekorrupsionit. Ndonëse vetë i fshihet hetimit, ai është angazhuar në një fushatë të egër shpifjesh dhe intrigash ndaj opozitës dhe kundërshtarëve të tjerë, nëpërmjet të cilave do që të mbajë gjallë ato akuza që i shërbejnë oreksit të pushtetit të tij. Ai detyroi Gramoz Ruçin që të shpikte lloj-lloj shkeljesh kinse kushtetuese, ligjore dhe kundërshti me precedentë për të refuzuar hetimin ndërkombëtar të propozuar nga Opozita. Këto justifikime janë aq qesharake sa vetoja çeke dhe tre ligjet, të cilat Rama i përdor si ambalazh për korrupsionin 600 milionë dollarësh me kompaninë çeke.

Ligji që vlon nga antikushtetueshmëria dhe korrupsioni është marrëveshja e miratuar në Kuvend nga Edi Rama e cila jo vetëm “legjitimon” vjedhjen prej 600 milionë dollarësh por amniston edhe hajdutët. Siç shihet, korrupsioni qeveritar ka fituar një privilegj të tillë saqë vjedhjen e bën ligj. I gjithë sistemi i drejtësisë dhe procesi ligjvënës është shkelmuar me 600 milionë këmbë nga Edvini dhe duket se nuk shihet asnjë refleksion, pavarësisht presionit opozitar dhe ndërkombëtar. Vjedhja e 600 milionë eurove në një marrëveshje makabre për vendin dhe shqiptarët me CEZ-in ka lënë gjurmë tek vizitat e eksponentëve të kompanisë çeke me Edi Ramën qysh kur ishte në opozitë, para zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Njerëz të njohur kombëtarisht e ndërkombëtarisht, me lidhje me CEZ-in janë takuar me Edi Ramën ku kinse në tryezën për integrimin evropian të Shqipërisë u mbivendos një nga aferat më të mëdha në historinë e 24 viteve të fundit. Kështu korrupsioni u mbivendos mbi integrimin në BE të Shqipërisë duke shpikur veto nga çekia dhe tre ligjet e famshme për statusin e vendit kandidat si justifikime për të mbuluar mega-aferën.

Marrëveshja e miratuar në Kuvend ku CEZ-it i falen 600 milionë dollarët e shqiptarëve është një provë mëse inkriminuese. Kur shëtit neper nenet e kësaj marrëveshje duket sikur po shëtit nëpër rrathët e ferrit, sa më shumë thellohesh në të aq më e zezë zbulohet të jetë kjo marrëveshje për interesat financiare të vendit dhe për vetë fatet e shqiptareve. Kjo është një marrëveshje që nuk ka luajtur vetëm me fatin ekonomik të Shqipërisë por edhe me fatin e jetëve të shqiptarëve. Numërohen me dhjetëra të vetëvrarë për shkak se nuk kishin t’i paguanin një këst prej 30 mijë lekësh të vjetra OSHE. Sakaq, nuk është toleruar, e nuk është amnistuar asnjë grupim shoqëror, nga invalidët e deri tek ata që jetonin me një llambë sa për t’u ndriçuar natën. Një energji negative është përhapur në të gjithë Shqipërinë nga aksioni i Ramës për të prerë tela, për të zbrazur xhepat e shqiptarëve e për të futur në burg, prindër bashkë me fëmijë. Madje, në një rast, kryefamiljari është arrestuar pasi ka lidhur energjinë elektrike për një aparaturë për të shpëtuar jetën e fëmijës së tij që vuante nga astma sepse duhej patjetër të vihej në punë aparati që prodhonte oksigjenin. Kjo marrëveshje kapërcen edhe “kontratën me djallin”. Ligji i miratuar në parlament nga Edvini ka një klauzolë që ia kalon edhe “kontratës me djallin”. Në një nen të këtij ligji ku i falen 600 milionë ÇEZ-it përcaktohet shprehimisht përjashtimi nga ndjekja penale e personave të përfshirë në aferën e CEZ-it. Përballë këtyre provave, Edi Rama është i vetëdijëshëm se del cullak në përgjegjësinë e tij në këtë mega-aferë korruptive dha bllokoi hetimet. Tashmë ai ka zgjedhur shpifjet dhe intrigat, si një gjiriz ku të mund të njollosë të tjerët duke ruajtur imunitetin e vetes.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>