Rama do të qeverisë me fletërrufe e spiunime

rama-tahiri

Nismat e kryeministrit për administratën janë njëlloj me atë të “luftës kundër burokratizmit”, në funksion të ekzekutimit proletar të parullës “kur flet masa, nuk flet burokracia”. Nën shembullin e diktatorit Hoxha, Rama po ndërmerr disa takime të llojit “gju më gjë me popullit”, ku po promovon përditë e më tepër një lloj “qeverisje me popullin”, si formë e maskuar e kinezërisë komuniste të keqqeverisjes. Në shtator ai pritet të formalizojë format demaskuese me fletërrufe në bazë të spiunllëqeve në kuadrin e “pjesëmarrjes popullore në qeverisje”

 

Tashmë nuk është më çudi për asgjë. Kryeministri i dalë nga një fushatë pa program, por vetëm me tregime gazmore, të tillë do ta ketë edhe vijimin e mandatit. I veshuri si për sport, tregoi me këtë simbolikë gjatë fushatës se e tillë do të jetë qeverisja e së ardhmes. Tanimë, nën shembullin e atit të tij shpirtëror, Enver Hoxhës, Rama po ndërmerr disa takime të llojit “gju më gjë me popullit”, për ta bërë popullin pjesë të qeverisjes së tij, sepse sikurse ka thënë dikur partia, pushteti buron nga populli dhe i takon popullit. Rama po promovon përditë e më tepër një lloj “qeverisje me popullin”, si formë e maskuar e kinezërisë komuniste të keqqeverisjes. Kjo mënyrë qeverisjeje e prirur nga asgjëja është afërmendsh se nuk do sjellë asgjë pozitive.

Nga fshatra të ndryshme, Rama po përçon teza të vjetra të Hoxhës. Dikur ai i shpallte planet e tij nga fjalime të quajtura “historike” si në Mat, p.sh. Tani, Rama po i promovon këto ide në fshatra të vendit. Dje për shembull ishte në Vaqarr. Përçoi fshatçe teorinë e tij për demaskimin dhe spiunllëkun. Qeverisja e këtij çasti e Ramës, po ngjan përditë e më shumë me revolucionin kulturor kinez të nisur në Shqipëri në vitin 1966, të shoqëruar me lloj-lloj marrish, anekënd vendit. Administrata komuniste ishte një makinë primitive thellësisht e politizuar në të cilën luftonte shumica e paaftë me pakicën e aftë. E ashtuquajtura “luftë kundër burokratizmit” nuk ishte gjë tjetër veçse metodë komuniste që paraqitej sikur mbronte parimet e ruante administratën nga shkëputja e mundshme e saj nga klasa punëtore e fshatarësia kooperativiste. Në kuadër të kësaj, Hoxha në atë kohë përpiqej të mbante nën tutelë gjithë jetën e vendit, në mënyrë që kjo të ishte gjithnjë nën frikë, duke përjetuar tmerr pa fund. Me këto metoda Enveri siguronte besnikërinë e gjithë makinës shtetërore. Kjo marri e Hoxhës u mbyll në atë kohë me goditjen e brendshme që i bëri partisë së vet me grupet armiqësore në ushtri, ekonomi e kulturë.

Teoria e fletërrufesë është e njohur tashmë në Shqipëri. Ajo synon degradimin e mëtejshëm njerëzor në funksion të krijimit të “njeriut të ri”, njeriut ndryshe. Kjo propagandë e paraqet kryeministrin dhe shpurën e tij, nga përgjegjëse për katastrofën që përjeton Shqipëria, në njeri gjoja që lufton për të drejtën. Kësaj i bashkëlidhet mjaft mirë edhe thirrja e kryeministrit për ta bërë popullin spiun. Pra shteti heq dorë nga të gjitha mekanizmat e tij, duke e lënë këtë çështje në dorë të spiunllëqeve e shprehjes së inateve popullore në forma të tilla. Domethënë kushdo që do të çojë në fund armiqësinë, mund të spiunojë e të shpifë se kryeministri, sepse ai e ka dëshirë këtë sistem, të njohur prej tij nga koha e shkuar e komunizmit, kur Rama bënte vizatime në organin e Sigurimit të Shtetit. Me fletërrufe e me spiunime popullore, Rama nuk ka gjë në terezi.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>