Rama, e gjeti Shqipëri – për 4 vjet e ktheu në Kolumbi

rama-me-droge

Kryeministri po shfaqet si një robot informatik që shpërndan projekte në 3D në një vend ku s’ka qenë asnjëherë dhe para një publiku, të cilin s’e ka testuar asnjëherë. Në Qarkun ku asnjëherë s’ish mbjellë gjethja e kanabisit dhe ku lulet e helmit e sollën kandidatët e partisë, Edi Rama shpalli një projekt dixhital rruge dhe premtoi se do i qendrojë premtimit. Projekti është një pazar i stilit PPP që veç pastron para krimi, por para së gjithash është një provë e gjallë e faktit se Rama gjeti një Shqipëri, por brenda 4 vjetësh po na dorëzon një territor të paqeverisshëm që thirret “Kolumbia e Evropës”

 

Kryeministri që drejton sot Shqipërinë duket qartë që është ulur në karrigen e gabuar. Edi Rama duket si një “marsian” i trembur nga realiteti që sheh, e që i paraqesin çdo ditë qytetarët dhe ndaj tenton me çdo kusht që të propagandojë një peizazh të kundërt. Për kryeministrin, shqiptarët nuk përballen as me varfërinë, as me papunësinë, as me krimin e as me drogën, por vetëm me ish-drejtuesit e Tepsisë, që sipas tij janë burimi i vetëm i së keqes, halleve dhe problemeve në këtë vend. Në një kohë që qytetarët me njëmijë sakrifica mposhtin çdo ditë skamjen e mundohen të mbijetojnë në Shqipërinë e 1001 problemeve e të zezave, Edvini me klikën e korruptuar ministrore kanë ngritur një realitet paralel, të projektuar në ëndrrat delirante të kryeministrit. Rama sillet lartë e poshtë nëpër Shqipëri dhe bën sikur po e sheh gjendjen e mjerueshme të vendit për të parën herë, sikur qeverisja e tij e drogës dhe krimit nuk është aspak përgjegjëse për kushtet në të cilat ndodhet fatkeqësisht vendi. Kryebaroni i narko-shteti hiqet sikur e gjeti Shqipërinë të mbuluar me drogë, e pushtetin të kapur nga bandat e krimit dhe narkotrafikut, pavarësisht se në katër vite punoi intensivisht për të ndërtuar Kolumbinë e vogël në zemër të Europës. Ai në ca vargje poetike të thurura bukur nga propagandistët e tij, përbetohet për luftë ndaj krimit, drogës dhe korrupsionit. Madje flet edhe për Task-Forca, bashkëpunime me FBI-në dhe agjenci ligjzbatuese europiane, por këto recitime të Edvinit i ngjajnë produktit surrealist të kazanit që ai shan çdo ditë, sepse gjithë këto fenomene të cilave i rreshtohet kundër janë produkt i keqqeverisjes së “Rilindjes” nga 2013 deri në 2017. Betejat që Rama thotë se do të bëjë me krimin e organizuar dhe premtimi për ndërtimin e shtetit të së drejtës janë thjesht utopi, për të shpëtuar kokën e vetë nga skandale si ai i Tahirit që i kanë plasur tashmë në derë. Kjo qeveri nuk mundet assesi të luftojë vetveten siç pretendon Edvini. Duke u sjellë si lider me vizion perëndimor dhe sikur sapo ka marrë pushtetin Rama mendon se mund të shpëtojë nga hija e politikës së kanabisit që i rri mbi kokë dhe i rëndon tej mase. Ai madje mendon se do të shpëtojë duke paraqitur projekte 3D të rrugëve që i premtoi, por nuk i ndërtoi gjatë katër vjeçarit të kaluar. Edhe nacionalizmin e patriotizmin e shëmtuar e përdori në manovrat e tij të dështuara për t’i shpëtuar Tahirit, që e ndjek këmbë pas këmbe dhe i është kthyer në ferr që mund të përpijë qeverinë. Madje i gërshetoi të gjitha këto teknika edhe me reformën e ujit dhe kërcënimet për mbylljen e puseve, por paqja me vetveten duket e largët, sepse dosjet për ministra dhe kryebashkiakë të tjerë të lidhur me krimin dhe drogën janë gati me kapakun e hapur për ta përpirë në vorbull edhe vetë të parin e vendit. Tmerri dhe frika nga gjyqi që do t’i bëjnë shqiptarët për kanabizimin e vendit, ka bërë që Edvini i ngratë të dalë e të shesë veten lart e poshtë si reformator, shpëtimtar dhe të pastër, por e vërteta është se “pilafi nuk mban më ujë” dhe s’ka më propagandë, justifikime dhe premtime të tij që mund të grisin pëlhurën e kanabistanit të Ballkanit, që ai me vetëdije i veshi vendit.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>