Rama e kthen kanabisin bimë vendase

rama-me-droge

Droga e kapur në Evropë po regjistron shifra të frikshme edhe këtë vit. Propaganda e Edi Ramës s’po funksionon dhe tani ka dalë teza e re se kanabisi është shndërruar në bimë autoktone e ka nisur të mbijë vetë. Specialistët e agronomisë mund të thonë ndonjë gjë për këtë teori, por fakti është se Shqipëria e ka marrë plagën shumëvjeçare të kanabisit prej mosqeverimit të Edi Ramës, prandaj edhe perspektiva e mandatit të ri duket gjithmonë e më kanabiste

 

Sasia e konsiderueshme e kanabisit që u gjend në vilën e vëllezërve Kalemi në Vlorë, nuk shërben për të përgëzuar aspak policinë e dyshes Rama-Çako, që me të tilla aksione përpiqet t’i hedhë hi syve shqiptarëve. Droga e vërtetë, ajo për të cilën Rama u investua personalisht, duke i dalë në mbrojtje narko-trafikantëve duket se do të vijoj edhe gjatë këtij viti. Ashtu siç nënvizon në raportet e saj edhe policia, bima e kanabisit po ripërtërihet, duke mbuluar territorin e vendit në masën 15% edhe për vitin 2017. Këtë fakt të hidhur nuk mund ta përgënjeshtrojë më Edvini dhe kabineti i tij, të zhytur kokë e këmbë në llumin e korrupsionit, gënjeshtrave dhe kanabisit. Kryeministri dhe ‘personazhet’ që do të qeverisin këtë 4 vjeçar janë kujdesur mjaft që ta kthejnë kanabisin në bimë vendase, në masën që shkëputja prej saj të jetë e pamundur. Kësisoj Edvini dhe banda e tij do ta kenë të lehtë ta kthejnë Shqipërinë edhe për vitet në vazhdim në Republikë kanabisi. Nga ky fakt, ai do ta ketë të pamundur t’u hedh hi sy shqiptarëve, pasi shuplakën, siç po ndodh edhe tani, do t’ia japin fqinjët duke i zbuluar tonelatat me drogë që nisen me bekimin e tij nga deti e toka. I tillë ishte edhe rasti i një ditë më parë, ku Italia fqinje ndali në Bari një gomone të nisur nga brigjet shqiptare me plot 2.3 ton kanabis në bord. Aksioni i Guardia di Finanza për fatin e keq të Ramës me shokë erdhi fiks në kohën kur, kryebaroni dhuroi shfaqjen e radhës televizive me krekosje, alibi dhe premtime për shfarosjen e së keqes që i bëri peshqesh shoqërisë. Paralajmërimet e Edvinit në ekrane, siç u shpreh edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha pas sekuestrimit të 2.3 tonëve drogë, nuk janë trumbeta që bien për bandat e lidhura me të, por shërbejnë për të mbajtur në këmbë fasadën që fsheh miliona euro para të pista nga sytë e ndërkombëtarëve dhe shqiptarëve. “Ngarkesa prej 2,3 tonë drogë e kapur sot në Itali dëshmon një të vërtetë të hidhur: Trumbetat e Edi Ramës për luftë kundër drogës janë vetëm mashtrime me qëllim tulatjen e qytetarëve dhe të komunitetit ndërkombëtar. Ndërkohë ai mbron dhe promovon kokat e krimit të organizuar dhe bashkëpunëtorët e tyre politikë. Ky në fakt është projekti PS+ i shpallur prej tij:PS+drogë+kriminelë+korrupsion. Kjo faktohet edhe nga promovimi prej tij i Gramoz Rucit të cilit që nga 2005 qeveria amerikane i ka refuzuar hyrjen në SHBA për shkak të përfshirjes në krimin e organizuar dhe trafikun e drogës, dhe Fatmir Xhafës të përfshirë në mbrojtjen e të vëllait të dënuar nga Italia për trafikun ndërkombëtar të kokainës. Opozita do të bëjë çdo përpjekje për ta vënë atë para përgjegjësisë personale për drogën dhe krimin. Por kjo betejë kërkon edhe përpjekjet e medias, intelektualëve dhe të gjithë qytetarëve. Të gjithë duhet të ngremë zërin dhe të ngrihemi kundër rrezikut të drogës para se të jetë vonë.?”, shprehet Basha. Edi Rama i dashuruar pas farsave i ka vendosur detyrë vetes që të luajë sërish një të tillë, duke trembur kultivuesit e vegjël që shohin shpëtim nga varfëria tek hashashi, nëpërmjet nismës së qeverisë së tij për të arrestuar “bosët” e drogës. E vërteta është se aktivitetin kriminal të kanabisit në vend e drejton një grup i vogël personash që janë të lidhur fort me qeverinë e gëzojnë mbështetjen e pakursyer të vetë Edvinit. Ndaj kryeministri dështak nuk ka hiç për objektiv të luftojë kundër atyre që e kanë promovuar në politikë dhe që me mbështetje monetare dhe fizike i kanë dhënë mundësinë të ngjisë shkallët e pushtetit. Qeveria e drogës i ka rrënjët shumë të forta dhe sipas ish-kryeministri Sali Berisha kapja e 2.3 tonëve drogë në Itali, në një kohë kur 1000 policë janë shpërndarë në mbarë vendin për të ndalur fenomenin tregon se nisma e lajmëruar në media është qesharake. Si gjithmonë, në Facebook Berisha ka shkruar se kryeministri Rama dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Haki Çako propagandojnë arritjet e tyre imagjinare në luftën kundër drogës, sepse në të vërtetë trafikantët vijojnë të bëjnë kërdinë. “Noriega dhe Haki droga, krenarë me suksesin e madh në eksportin e drogës. Po nisin çdo javë tonelata ne Itali!! Të dashur miq, Noriega dhe Haki droga, me operacionet e tyre të fuqishme kundër drogës dhe trafikantëve, kanë arritur kohët e fundit suksese të mëdha në eksportin e kanabisit. Kështu, çdo javë, falë luftës me zero tolerancë të tyre kundër kanabisit, ata nisin si eksport 2-12 ton hashash. Këtë herë të fundit nxorën 1000 policë nga toka, deti dhe ajri për të bllokuar trafikantët, por jo ata që eksportojnë mall, ndaj u eksportuan 2.3 ton!?”, thotë ish-kryeministri. Me gjithë seriozitetin e treguar nga Edi Rama në projektin e tij për kriminalizimin dhe kanabizmin e Shqipërisë në vitin e parë të qeverisjes, duket se kabineti “Rama2” ndryshe nga ç’thuhet në mediat e kazanit të qeverisë, do të punojë në shërbim të bandave të narkotrafikut me të njëjtën devotshmëri si më parë. Stoku i drogës në depot e ministrave dhe deputetëve “rilindas” është aq i madh sa do të detyrojë Ramën t’i imponojë të tijve përkushtimin dhe seriozitetin në punën e tyre për ta transportuar kanabisin deri në Evropë.

Vlorë, kapen 724 kg kanabis, arrestohen dy persona/Një sasi e konsiderueshme droge është sekuestruar ditën e djeshme në një operacion të policisë së Vlorës dhe “Delta Forcë”. Në operacionin e koduar “Mesnata”, që është zhvilluar në lagjen “24 Maji”, është sekuestruar sasia prej 725 kg e 200 gr lëndë narkotike kanabis sativa. Lënda narkotike është gjendur në një banesë 4-katëshe, në pronësi të Artan Kalemit. Si rezultat i operacionit janë arrestuar në flagrancë dy vëllezërit, Artan Kalemi, 34 vjeç dhe Xhemil Kalemi, 41 vjeç. Njëkohësisht në bashkëpunim me Prokurorinë, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në D.V.P.Vlorë po vijojnë verifikimet dhe veprimet, me qëllim sekuestrimin e vilës dhe një ambienti biznesi, për të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal në fushën e narkotikëve. Materialet për çështjen i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>