Rama gënjen në të thatë, gënjen edhe në shi

bashaaa

Dy ditë përmbytje nxorën në pah fytyrën e pandryshueshme të kryeministrit, si një mashtrues profesionist sa u përket investimeve publike, dhe si një të papërgjegjshëm, kur është puna për t’u përballur me fatkeqësitë, qofshin shtetërore, qofshin natyrore. Ai gënjente para një viti banorët e Novoselës e Darëzezës se ishin bërë investimet që do ndalonin furinë e Vjosës, ndërkohë në shi gënjen se po përgatitet dëmshpërblimi, kur s’janë dhënë ende lekët e 2015-s. Rama gënjen në të thatë, gënjen edhe në shi, pasi mbetet e vetmja mënyrë sjelljeje për të shtyrë edhe ndonjë ditë në zyrë

 

Fundi i tij politik po i troket në derë Edi Ramës dhe të kuptuarit e kësaj fraze, e ka shtyrë baronin e Kanabistanit të dalë rrugëve për të parë sesi keqqeverisja e tij po fundos nën ujë miliona euro investime në blegtori e bujqësi të shqiptarëve të lënë mjeranë. Gatishmëria e tij për të parë nga afër gjendjen në terren, s’është as më shumë e as më pak veç hap i hedhur nga një i frikësuar, të cilit karrigia e pushtetit po i rreshket çdo ditë nga pak. Këto dy ditë përmbytje, që do të lënë pasoja katastrofike kryesisht në Jug, na tregoi se ne drejtohemi nga një i paaftë që e ka ndërtuar qeverisjen e tij mbi bazën e gënjeshtrave dhe fatkeqësisht këtë gjë e bën sa herë jetët e shqiptarëve janë të rrezikuara. Ky kryeministër delenxhi nuk e shpall gjendjen e jashtëzakonshme edhe pse mijëra hektarë tokë e qindra banesa janë nën ujë, pasi ai kërkon t’i shpëtojë situatës së rëndë duke mos pasur për të shlyer një megafaturë financiare. Një masakër që përveç motit të keq ishte peshqesh për shqiptarët nga qeveria papërgjegjshme e Edvinit, që i vjel çdo vit miliona euro taksa, por i vjedh ato duke mos investuar asnjë qindarkë në bujqësi, për të pastruar kanalet kulluese dhe basenet e lumenjve, apo për të përmirësuar argjinaturat. Mashtruesi profesionist, që ka marrë më qafë shqiptarët me paditurinë e tij, përpara kamerave flet për investime publike të mëdha që po shmangin katastrofën, por një peizazh krejt të kundërt tregojnë urat e shembura, argjinaturat e çara, hidrovorët jashtë funksionit dhe mbi të gjitha banesat e mbuluar me 1 metër ujë në Novoselë, Ferras e Darëzezë. Banorët e këtyre zonave po përtojnë një makth si ai i 2015-s, ku furia e pandalshme e Vjosës shkatërroi çfarë gjeti përpara dhe Edvini nuk e futi kurrë dorën në xhep për të shpërndarë qoftë edhe disa qindarka dëmshpërblim, pavarësisht se mediat i ushqeu me kronikën e propagandës, ku binin tamtamet e një qeverie “filantrope”. Rama gënjeu në të thatë, gjatë një fushate elektorale, të cilën e përqendroi në ture takimesh me shqiptarët që jetojnë në zonat rurale, ku u kujdes t’i manipulonte me kujdes për paratë e derdhura nga qeveria për të shmangur pikërisht katastrofa të tilla natyrore, të cilave askush nuk ua mohon ekstraktin natyror që mbartin. Por fatkeqësisht, tashmë që lumenjtë dhe përrenjtë në të gjithë vendin e nxorën cullak përpara banorëve të zonave të përmbytura, Edvini nuk e harron zakonin e vjetër dhe me një formulë të dështuar gënjen edhe në shi, në tentativë për të minimizuar kostot që duhet të paguajnë shqiptarët për këtë tragjedi. Si një don Kishot i kohëve moderne, piktori i dështuar endet rrugëve të Shqipërisë dhe shpall fajtorët imagjinarë për këtë situatë, që tregon se shteti i ka dal duarsh dhe është i paaftë për ta mbajtur nën kontroll. Në zonën e Vlorës, që e vizitoi të shtunën hezitoi të merrte përsipër përgjegjësitë dhe e gjeti shpëtimin tek batuta mbi gazetarët e Vlorës, që i quajti balli i kazanit të padurimit, por çuditërisht fajësoi zjarret e rënë gjatë verës, për ujin që vërshon si “përbindësh” në dimër. Rama ka zbritur së bashku me ERTV-në me arsenal të plotë në jug të Shqipërisë, ku uji ka mbuluar gjithçka dhe ushtria e propagandës është organizuar që llogjet e kryeministrit të sfumojnë tragjedinë që pritet prej Drinos, Semanit dhe Vjosës. Me parrullën “Gju më gju me popullin”, Edvini me çizme i hyn pellgjeve të ujit pa ndalim, ndërsa e vërteta është se shkon në zonat e dëmtuara për të shitur mend për pseudo investimet e qeverisë së tij.  Kryeministri gjithashtu doli si kërpudha mbas shiut në Urën Vajgurore, e cila është një nga zonat që pëmbytet thuajse çdo vit nga vërshimi i lumit Osum dhe vizita e tij ishte mjeti i përkryer që duhej për të stimuluar propagandën të ngrinte krye e të kënaqte disa zemra militantësh me gënjeshtrat e “Dimrit të Madh të Rilindjes”.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>