Rama hesht për 600 milionë eurot

rama me telefon

 

 

Heshtja e Edi Ramës për vjedhjen e 600 milionë eurove është po aq inkriminuese sa alibitë e përditshme që sajon Sajmir Tahiri. Çdo qytetar shqiptar është gjobitur me 1200 euro si pasojë e mega-aferës korruptive të Edvnit por pasojat nuk kanë qenë vetëm financiare për shqiptarët. Marrëveshja korruptive ka nxitur në Shqipëri një valë vetëvrasjesh të qytetarëve të cilët nuk kanë pasur 30 mijë lekë të vjetra për të paguar këstin e OSHE-së. Nuk është toleruar, e nuk është amnistuar asnjë grupim shoqëror, nga invalidët e deri tek ata që jetonin me një llambë sa për t’u ndriçuar natën. Një energji negative është përhapur në të gjithë Shqipërinë nga aksioni i Ramës për të prerë tela, për të zbrazur xhepat e shqiptarëve e për të futur në burg, prindër bashkë me fëmijë. Madje, në një rast, kryefamiljari është arrestuar pasi ka lidhur energjinë elektrike për të shpëtuar jetën e fëmijës së tij që vuante nga astma dhe duhej patjetër të vihej në punë me energji aparati që prodhonte oksigjenin.

Të gjithë këtë mega-korrupsion, me pasoja shkatërrimtare për ekonominë e vendit, Edi Rama ka kërkuar ta fshehë duke nisur një aksion kinse për të sjellë formalitet në sektorin e energjisë. Është po e njëjta taktikë që po përdoret edhe me aksionin kinse për të sjellë formalitet në ekonomi. Pra, ashtu siç po mbulohet vjedhja prej 160 milionë dollarësh nga kontrabanda dhe evazioni qeveritar, ashtu po mbulohet vjedhja e 600 milionëve duke përdorur aksione të ambalazhuara me etiketën e “reformës”. 600 milionë dollarë, për një Shqipëri me një buxhet prej 5 miliardë dollarë përbën një shumë katastrofike, një korrupsion i atillë që ka tronditur themelet ekonomisë dhe jetës sociale në vend.

Kjo vjedhje masive që u është bërë shqiptarëve, për të cilën Rama hesht, ka lënë gjurmë dhe prova implikuese ironikisht në vetë marrëveshjen që e ka “legjitimuar”. Në marrëveshjen e miratuar nga Parlamenti me urdhër të Ramës me 31 korrik të vitit 2014, jo vetëm përcaktohej vjedhja e 600 milionë eurove të shqiptarëve, por sigurohet edhe imunitet për autorët e këtij krimi, duke mos lejuar ndjekjen e tyre penale. Tek kjo marrëveshje, gjendet mosmarrëveshja e Ramës me Kushtetutën, ligjin dhe moralin demokratik të shoqërisë .