Rama kthehet duarbosh nga Brukseli

rama

Investimi i madh i Edi Ramës në lobimin pranë Bashkimit Evropian për të mos u konsideruar kanabizimi i Shqipërisë dhe për t’u hapur negociatat si një mënyrë për të mos destabilizuar vendin. Ai u kthye dje duarbosh nga Brukseli, pasi asnjëri nga autoritetet që takoi nuk premtoi hapjen e negociatave në pranverë, por secili prej tyre numëroi kushtet që priteshin të plotësoheshin, edhe pse deri në pranverë pothuajse s’ka më kohë për asnjë reformë. S’funksionoi as fushata shantazhuese anadollake se Shqipëria mund të hidhet në krahët e Rusisë, Kinës apo islamit radikal. Përfundimisht, integrimi është marrë peng nga narko-qeveria dhe vetëm një zgjidhje politike në Tiranë mund ta zhbllokojë atë

 

Edi Rama iu drejtua të hënën Brukselit si një gjel i krekosur, pasi shqiptarëve ua kishte mbushur mendjen për një vit të tërë se në dhjetor do t’i hapej rrugë negociatave për anëtarësimin, por njëjtë si këndezi iu shkundën pendët e siç e do tradita e “Rilindjes” do të kthehet duarbosh në atdhe. Edhe pse mediat e kapura prej tij i bien tamtameve të suksesit, se ashtu i ka ardhur porosia prej Belgjike, të gjithë shqiptarët e panë me zë dhe figurë sesi Europa ja vendosi për të katërtin vit radhazi kufirin tek thana. Nuk i bëri punë as këtë herë tymnaja e kërcënimeve për të frikësuar BE-në, siç bën me shqiptarët, pasi për procesin e zgjerimit kërkesa është e qartë dhe ka të bëjë me shfarosjen e bazës narko-kriminale që Edi Rama ngriti me vetëdije të plotë në zemër të kontinentit të vjetër. Anadollizmi i fushatës shantazhuese se Shqipëria mund të vallëzojë e lirë e të hidhet në krahët e Rusisë, Kinës apo islamit radikal ishte thjeshtë dhe vetëm një taktikë e konsumuar edviniste për të bërë presion, në momente kur barra e përgjegjësive për të këqijat që i ka bërë Shqipërisë është rritur e i rëndon frikshëm mbi supe. Ai që për pak pare më shumë e ndërron fenë duke u falur njëherë në tempujt e kinezëve, ku shkon me çarter të paguar nga kompanitë off-shore dhe tjetër herë në prehrin e Erdoganit, i kërkoi BE-së që të vrapojë dhe të na kapë, pasi në të kundërt do të kemi një martesë me kosto shumë më të lartë. Harroi që BE dhe ndërkombëtarët e kanë celebruar tashmë martesën me institucionet e drejtësisë, nga të cilat presin që të goditen baronët e tij të kanabisit, disa të arratisur e disa ende në bazat e narko-shtetit. Partneriteti i tij me krimin dhe kanabisi i kultivuar në kuadër të politikës rilindase të “zhvillimit dhe prosperitetit” ngriti krye në Europë, pavarësisht se u investua aq shumë nga mazhoranca në lobimin pranë Bashkimit Evropian për të mos u marrë në konsideratë. Fenomeni në fakt mbeti sërish kryefjalë e diskutimeve dhe kërkesave të BE-së, të cilët vendosën pranverën si afat kohor për të parë “Arritjet e Mëdha” të Edvinit, që për fatin e keq të shqiptarëve kanë premisa të mëdha për të mos u parë kurrë. Për më tepër asnjëri nga autoritetet që takoi nuk premtoi hapjen e negociatave në pranverë, por secili prej tyre numëroi kushtet që priteshin të plotësoheshin, edhe pse deri në pranverë pothuajse s’ka më kohë për asnjë reformë. Nga përballja e tij me liderët e Unionit, u kuptua përfundimisht se integrimi në BE nuk është dhuratë, që Santa Klausi t’ia hedhë Edvinit tek oxhaku i Sarajeve të Surrelit, aq më tepër kur kryeministri dështak nuk vuri mend as për 2017-ën. Ai mbeti po i njëjti drejtues i “fatkeqësive të mëdha” për Shqipërinë, pasi nxori nga tunelet e magazinat qeveritare tonelatat me drogë për të përmbytur Itali dhe Greqi, e për më tepër u rreshtua kundër drejtësisë duke mbrojtur veprën kriminale të bashkëthemeluesit të Kanabistanit, Saimir Tahiri. Dhurata për keqdashësit nuk ka dhe Ramës i janë ndaluar për katër vite me radhë, për ta bërë së fundmi të kuptojë se operacioni i shpëtimit të ‘Integrimit’ nga duart e mafias së kanabisit dhe bandave të krimit duhet të zhvillohet në Shqipëri. Ai duhet të nisë normalisht me një zgjidhje politike, ku fryma që duhet të dominojë është ajo e bashkëpunimit mes palëve për të ngritur qeverinë Antimafia, në mënyrë që të rivendoset rendi publik e të shkulet me themel narko-republika.

Negociatat e anëtarësimit mbeten “tabu”, Mogherini dhe Juncker i vendosin afate kohore kryebaronit Edvin / Prej pasdites së të hënës kreu i qeverisë, Edi Rama ndodhet në Bruksel, ku po zhvillon takime të nivelit të lartë me përfaqësues të BE dhe kryefjala duket se mbetet aspirata e Shqipërisë për t’iu bashkuar unionit. Teksa Rama i zhytur në afera korruptive dhe histori kanabisi e krimi ripërsëriti kërkesën për hapjen e negociatave, duket se liderët europianë ja bënë të qartë se deri në Maj 2018, Shqipëria duhet të përmbushë kriteret kryesore, të cilave i kanë mëshuar në çdo takim me përfaqësues të qeverisë. Paraditen e djeshme Rama u takua me shefen e politikës së Jashtme të BE-së, Federika Mogherinin dhe së bashku dhanë një prononcim të shkurtër për mediat.  Kryeministri i kapur gafil nga ndërkombëtarët në marrëdhëniet e tij bashkëpunuese me baronët e drogës dhe krimit, u përpoq të shiste veten si lider vizionar dhe nënvizoi se në muajt në vijim do të ketë më tepër rezultate në pikat ku insiston BE-ja. Për t’i shuar ngazëllimin e neveritshëm që e kishte kapluar mendoi Mogherini, e cila i kujtoi afatin kohor, duke theksuar se pavarësisht teorirave të peshkut dhe “Forcës së Ligjit”, 2018 duhet të jetë medoemos viti i arritjes madhore. Për të qenë edhe më konkrete ajo i kujtoi Ramës se negociatat hapen vetëm duke luftuar fenomenet problematike si droga dhe korrupsioni, që i janë ulur këmbëkryq qeverisë në pragun e saj. “Nevojitet të vazhdojë kjo punë që mund t’i hapë rrugën hapave të mëtejshëm drejt integrimit në BE. Jam e lumtur ta diskutoj serish ketë me kryeministrin Rama në mënyrë që këto hapa të behën një opsion i vërtetët në fillim të vitit tjetër”, tha Mogherini. Të njëjtën linjë qëndrimi mbajti edhe Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claud Juncker, i cili ja tha në sy Ramës se rekomandimi për hapjen e negociatave do të vijë vetëm nëse do të ketë progres në 6 muajt e ardhshëm. Juncker vlerësoi progresin e deritanishëm dhe përpjekjet e Shqipërisë për realizimin e reformave dhe përmbushjen e kushteve, por theksoi se gjithçka do të varet nga ecuria që do të ketë vendi në 6 muajt e parë të 2018-ës. “Nëse ka progres të mëtejshëm gjatë 6 muajve në vijim dhe mendojmë se do të ketë, do të propozojmë hapjen e negociatave. Por kjo do të varet nga progresi i muajve që vijnë”, tha Juncker.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>