Rama plotëson amanetin e Enverit, Shqipëria do jetë “federata e shtatë” e Vuçiçit

ramavucic

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa denoncon krijimin e një tregu të përbashkët jugosllav, çka e kthen rajonin në një aneks të ekonomisë së Beogradit. Vuçiçi fërkon duart nga mbështetja e çuditshme dhe e pakushtëzuar që po merr prej kryeministrit shqiptar Edi Rama

 

Aventurat politike dhe ekonomike të Edi Ramës nuk kanë të sosur. Në samitin e Sarajevës idetë e Ramës për krijimin e një tregu të përbashkët për vendet e Ballkanit, në formën që prodhon Serbia e blen Shqipëria e Kosova, sollën ndër të tjera edhe disa paralele historike. Shqiptarët mbajnë mend një kohë të largët si ajo e vitit 1948, kur asgjë nuk e ndalte Enver Hoxhën për ta bërë Shqipërinë pjesë të Jugosllavisë së mareshalit Josip Broz Tito.

Dihet fare mirë që Serbia ka imponuar me radhë rregullat e saj duke siguruar të ardhura në kurriz të valutës shqiptare dhe ekonomive të shteteve shqiptare. Edhe në të kaluarën ka synuar që të bëjë sistematikisht vjedhjen e ekonomisë shqiptare. Marrëveshjet ekonomike, doganore, planeve, etj, ishin në thelb marrëveshje antikombëtare. Në fakt në vitin 1946 u miratua një konventë e planeve të përbashkëta midis dy vendeve. P.sh. në vitin 1947 Shqipëria nuk mbolli grurë për herë të parë në historinë e vet sepse mbolli pambuk për nevojat jugosllave.

Për të gjitha këto rreziqe që na mëson historia, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se tregu i përbashkët i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk është në interes të njëjtë të të gjitha vendeve dhe se Kosova nuk e sheh me entuziazëm këtë propozim, pa marrë parasysh se i kujt është.  “Kosova nuk e sheh me entuziazëm këtë propozim, pa marrë parasysh se i kujt është. Ne ndajmë përvoja të ndryshme nga e kaluara dhe kjo e kaluar nuk dëshirojmë të na kthehet edhe një herë në ambalazhim të ri. Një treg i ngjashëm me atë të ish-Federatës Jugosllave, pa Kroacinë e Slloveninë e me Shqipërinë, si treg i përbashkët. Jo! Ose një union doganor i Ballkanit Perëndimor, në të cilin Kosova nuk do të ketë prekje me asnjë vend të Bashkimit Evropian. Jo!”, ka shkruar Mustafa, përcjellë për të përditshmen “Bota sot”.

Tregu i përbashkët i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk është në interes të njëjtë të të gjitha vendeve. As Kosova as Shqipëria nuk do përfitojnë gjë. Do shërbejnë si instrumente të pasurimit të Serbisë. Po ashtu çdo lëvizje që bën Edi Rama shihet seriozisht me dyshim. Republika e shtatë që aksidentalisht nuk u krijua në kohën e Enverit e Titos, me sa duket synohet në kohët e sotme.

Justifikimi i Hahn për kundërshtimin e Kosovës dhe Malit të Zi/Johannes Hahn paralajmëron se Ballkani vazhdon të jetë një rajon i paqëndrueshëm dhe me potencial relativisht të madh rreziku. “Nëse ndodh diçka, ne mund të përjetojmë një valë të madhe emigracioni, si përpara 20 vjetësh”, tha ai për “Deutche Welle”. Rrugët nga Ballani në BE janë të shkurtra. Por, pozitivja është se ky rajon ka potencial të madh rritjeje ekonomike dhe krijimin e një tregu të brendshëm të përbashkët. Komisioneri i Zgjerimit e sheh si rrugën e duhur për uljen e tensioneve. BE-ja ka bërë që të sigurohet paqja në kontinent, tha ai për “Deutche Welle”. Rajoni i vetëm ku Europa nuk është e sigurtë 100% për paqen është Ballkani, shtoi ai. “Procesi i Berlinit nuk është gjë tjetër veçse dyfishimi i idesë themeluese të BE. Përmes bashkëpunimit intensiv të largohet oreksi për shkatërrim. Këtu ka fusha të ndryshme bashkëpunimi. Transporti, ku thjesht me ndërtimin e autostradave vendet afrohen më shumë me njëri-tjetrin. Po ashtu hekurudha. Këto çojnë në varësi të dyanshme. Dhe kur të kemi tregun e përbashkët, atëherë mund të ndiqen po këto qëllime, pra të ofrojmë një kontribut për paqëtimin, duke përgatitur paralelisht integrimin europian. Një perspektivë e shkurtër e afatgjatë”, tha Hahn. Rezistencë ndaj këtij propozimi ka bërë Mali i Zi dhe Kosova. Komisioneri i Zgjerimit sqaron se po bëhen të gjitha përpjekjet për t’i bindur edhe këto vende. “Varet nga ekipet tona që ta tregojnë gjatë përgatitjeve të Samitit të Triestes, se çfarë është në thelb tregu i përbashkët”, sqaron Hahn.

Ekspertët: Ja pse Kosova ka dilema të hyjë në tregun e përbashkët të Ballkanit/Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, kanë inkurajuar vendet e Ballkanit Perëndimor që të krijojnë një treg të përbashkët. Ky treg, sipas tyre, do të zbuste edhe papunësinë e lartë në rajon, ku fillimisht do të hapeshin rreth 80 mijë vende të reja pune. Kjo ide është propozuar në takimin e liderëve të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, që është mbajtur këtë javë në Sarajevë. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ndërkaq ka thënë se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për agjendën e bashkëpunimit rajonal. Por, tregu i përbashkët, për të cilin po insistohet, ka thënë ai, qoftë treg unik Evropian, apo një treg i Ballkanit Perëndimor, nuk mund të funksionojë pa lëvizjen e lirë edhe për qytetarët e Kosovës, duke pas parasysh mospërfshirjen e Kosovës në liberalizimin e vizave. Përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspertë për çështje ekonomike japin vlerësime të ndryshme sa i përket efekteve të këtij tregu për Kosovën. Gazmend Qorraj, ligjërues i lëndës ekonomia e Kosovës dhe Bashkimi Evropian në Fakultetin Ekonomik, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se një treg i tillë tashmë është duke funksionuar, duke përmendur Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me vendet e Evropës Qendrore, e njohur me shkurtesën CEFTA, si njëri nga projektet e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor në fushën e tregtisë. Bashkimi Evropian, thotë ai, mund t’ia ndërron emërtimin, mirëpo funksioni do të mbetet i njëjtë. “Unë jam shumë skeptik sa u përket efekteve pozitive që mund të arrihen. Sepse ne e kemi një treg të tillë. Përveç CEFTA-s, tashmë kemi edhe tregun e BE-së, si pjesë e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA). Kështu që nuk ka se çka të ndryshohet me këtë mundësi, përmes këtij instrumenti”, ka thënë Qorraj. Por, Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Prishtinë, Arian Zeka, vlerëson se ideja për të pasur një treg unik, është e nevojshme. Duke marrë parasysh madhësinë e tregjeve të këtyre shteteve në mënyrë individuale, ai thotë, se është jashtëzakonisht e nevojshme që të ketë një treg më homogjenë. “Nëse jo treg të përbashkët në kuptimin e plotë të fjalës, atëherë një treg që mallrat nga një shtet në shtetin tjetër mund të lëvizin pa pengesë. Së paku jo me ato pengesa të cilat kemi mundur t’i shohim viteve të kaluara”, ka thënë Zeka për Radion Evropa e Lirë. Po ashtu, Arian Zeka thotë se faktorët politik ekzistues në mes Kosovës dhe disa shteteve të rajonit, do të vështirësojnë konkretizimin e idesë së propozuar për krijimin e tregut të përbashkët. “Sidomos duke e ditur se Serbia dhe Bosnja Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, rrjedhimisht do të duhej të kishte një marrëveshje gjithëpërfshirëse edhe për eliminimin e këtyre pengesave të cilat i karakterizojnë raportet tregtare dhe ekonomike midis këtyre tri shteteve”. “Nëse kjo marrëveshje arrihet nën lidershipin e Bashkimit Evropian e shoh të mundur, por me shumë vështirësi dhe jo një proces që mund të përfundojë brenda një kohë të shkurtër”, ka thënë Zeka. Kurse profesori Gazmend Qorraj, thotë se në tregun aktual janë evidentuar shumë probleme dhe se zgjidhja e tyre është varur kryesisht nga ndërhyrjet e Bashkimit Evropian. “Përndryshe, ndonjë iniciativë ku do t’i linte kompetenca vetëm vendeve të rajonit, kishte me qenë e rrezikshme. Sepse pritjet për zhvillime pozitive dhe fqinjësi të mirë nga Serbia janë shumë të vogla. Mandej, problemet në Maqedoni, po ashtu edhe rregullimi politik i Bosnjë Hercegovinës, nuk lenë shumë të shpresohet”, thotë Qorraj. Për tregun e përbashkët, është shprehur edhe komisioneri i BE-së për zgjerim, Johanes Hahn, i cili në fund të vitit të kaluar pati thënë se ”një treg i përbashkët i Ballkanit Perëndimor mund të jetë i mundshëm brenda dy ose tri viteve, nëse ka vullnet politik në rajon”.

 

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>