Rama-Tahiri, kërcënim për njëri-tjetrin  

rama-tahiri

Zbardhja me seri e dosjes së kapjes në flagrancë të Saimir Tahirit në tepsinë e drogës ka sjellë një luftë të ftohtë mes tij dhe kryeministrit. Situatat shantazhuese që Rama e Tahiri po i provokojnë njëri-tjetrit ka sjellë një hutim në radhët e parlamentarëve socialistë, të cilët brenda ditës kanë marrë disa porosi kundërthënëse, njëherë për ta hedhur përfundimisht ish-ministrin, njëherë për t’i ofruar mbrojtje politike. Përplasja pritet të regjistrojë disa stacione, por ajo që dihet është se atë do ta fitojë ai që ka provën më të fortë shantazhuese ndaj tjetrit. Zakoni e do që në një betejë dyshe shantazhuese, të dyja palët përfundojnë në kthetrat e publikut dhe të DEA-s amerikane

 

Pas skandalit të një dite më parë në lidhje me dosjen ‘Habilaj’ dhe përfshirjen e ish ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, si përfitues i parave të siguruara prej këtij trafiku, kryeministri ka nisur sulmin ndaj ‘të besuarit’ të tij. Kjo luftë e ftohtë mes dy ish miqve do të sjellë zhvillime të reja për qytetarët shqiptarë, por më së shumti për DEA-n amerikane. Zbardhja me seri e dosjes së kapjes në flagrancë të Saimir Tahirit në tepsinë e drogës bëri që kryeministri të largohej dhe të linte të vetëm përballë përgjegjësisë, ish mikun e tij. Të gjitha akuzat për kanabisin, Edvini ia faturoi ish të besuarit të tij, por harroi se loja e ndarjes së fajit kapitulloi me përgjimet e hetuesve italianë. Teksa italianët po çojnë përpara goditjen përfundimtare për Noriegën e Ballkanit, pasi iu kishte ardhur në majë të hundës me krekosjen e neveritshme të tij, shqiptarët sot po shohin sesi rilindasit po i hanë kokën njëri tjetrit. Në fakt, Edvini e ka zakon. Për të shpëtuar lëkurën e tij, ai nuk njeh as miq e as shokë. Pasi doli skandali i madh, kryeministri tregoi shenja të distancimit të tij. Me deklaratën që thoshte se “drejtësia nuk do të pengohet”, “një dru i shtrembër midis nesh edhe mund të ekzistojë, por duhet hetohet”,  kryeministri kërkon të dalë i pastër dhe të lërë në baltë, ish ministrin. “Nuk jemi aspak një familje e përsosur, pa probleme e pa drurë të shtrembër në mesin tonë. Por, ndryshe nga këta të Frontit të Çadrës së Vjetër, ne marrim përgjegjësi për Shqipërinë dhe mbajmë përgjegjësi për çdo gjë që nuk e bëjmë mirë apo që del në dritën e realitetit si problem i yni” , shkruajti Rama. Por, kryeministri këtë e ka taktik të qëndrimit në pushtet. Sa herë që ndodhet në vështirësi nis sulmin ndaj njerëzve më të afërt të tij. Por, edhe Tahiri nga ana e tij nuk ka mbetur prapa. Në daljen që kishte për media, pas bërjes publike të përgjimeve të dosjes ‘Habilaj’, ish ministri i Brendshëm, i tronditur nga faktet e pakontestueshme, i pikëlluar nga braktisja që po i bëhet nga vet shefi i tij, hapi fletët e shënimeve të tij, duke thënë që nuk ka nevojë të ketë asnjë në krahë dhe se është i gatshëm të përballet me drejtësinë. Ky koment i Tahirit të lë të kuptosh se, ish ministri është duke e kërcënuar Ramën me dosje të mbajtura pezull, në një kohë kur vet Rama e hodhi tutje sikur të mos të kishte të bënte me të. Pikërisht këto situata zhantazhuese karshi njëri-tjetrit të Rama-Tahirit kanë sjellë një hutim në radhët e parlamentarëve socialistë, të cilët brenda ditës kanë marrë disa porosi kundërthënëse, njëherë për ta hedhur përfundimisht ish-ministrin, njëherë për t’i ofruar mbrojtje politike. Përplasja pritet të regjistrojë disa stacione, por ajo që dihet është se atë do ta fitojë ai që ka provën më të fortë shantazhuese ndaj tjetrit. Deri më atëherë situata do të mbetet e ngrirë. Kreu i grupit parlamentar të PS u ka dërguar mesazh deputetëve të tij që, deri sa situata të zgjidhet, ata duhet të tregohen “të ftohtë”, pra as mos e godasin dhe as mos e mbrojnë njeriun e “policisë që duam”. Vetë Tahiri u ka pranuar njerëzve të tij të afërt, se ai është i vendosur në karantinë nga ish kolegët e tij dhe celulari me po të njëjtin numër si më parë, i bie rrallë e më rrallë. Këto deklarata të tij, tregojnë se vet Rama ka dashur eliminimin e tij nga skena politike, ama kjo nuk do të thotë që Tahiri do të mbetet në hije. Ndoshta provat që ruan do të sjellin fakte interesante për publikun e për partnerët ndërkombëtarë, të cilët  duan të ç’rrënjosin nga vendi nga krimin dhe bandat.

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>