Rama u vendos të përmbyturve taksë

shtepi

Tallja e Edi Ramës me të përmbyturit s’ka fund. Pasi i përdori për të dalë në televizor e për t’i akuzuar se e kanë vetë fajin për përmbytjet, kryeministri mblodhi dje Shtabin e Emergjencave dhe shpalli se ka ndërmend të vendosë një taksë të posaçme, që shteti të mos marrë më kurrfarë përgjegjësie apo dëmshpërblimi për fatkeqësitë natyrore. Pasi vendosi taksën e banesës, detyrimi i sigurimit është një taksë e re, që detyron shpopullimin masiv të zonave me risk. Projekti është ogurzi dhe fsheh plane për grabitje pronash në bregdet

Reagimi/Berisha: Sigurimi i detyrueshëm i banesës të zbatohet pas 20 vitesh, të mos shihet si zgjidhje aktuale për përmbytjet

 

Reshjet e shiut kanë lënë pasoja katastrofike në mjaft zona të vendit. Edhe pse gjendja është e pashpresë, qytetarët nuk po shohin kurrkund mbështetjen e shtetit. Pas turit shëtitës të kryeministrit së bashku me ministrat për të pozuar para aparatit fotografik, dje Rama ka mbledhur Shtabin e Emergjencave, thua vallë se i kishte thirrur mendjes dhe se do të kërkonte analizim dhe raportim të situatës së rëndë që lanë pas përmbytjet. Rama në fakt e thirri këtë mbledhje jo për të marrë në konsideratë bilancin e rëndë të përmbytjeve dhe për të vënë në lëvizje ndihmat që i takojnë me ligj nga buxheti i shtetit, qytetarëve. Rama në fakt e thirri këtë mbledhje për të lajmëruar se nuk do të ketë më dëmshpërblime për familjet e përmbytura. Sipas kryeministrit që banorët të shpëtohen nga fatkeqësi të tilla natyrore duhet të sigurojnë banesat e tyre. “Pa diskutim është përparësi edhe hapja e shkollave përkohësisht të mbyllura, 1% besoj se do të kapërcehet dhe po ashtu ndërmarrja e nismës ligjore për sigurimin e banesave dhe bizneseve nga përmbytjet. Jemi ende i vetmi vend që nuk ka ende një masë të tillë në ligj dhe ku pastaj njerëzit e prekur mbeten në mëshirën e fatit dhe në pritje vetëm nga Buxheti i shtetit që nuk mund të përballojë gjithçka  dhe gjithmonë edhe pse ketë herë sigurisht ne do ti përballojmë si dhe herën e kaluar, të gjitha detyrimet që burojnë nga kjo krizë e rëndë. Por është e rëndësishme që sipërmarrësit të sensibilizohen që të marrin masa të sigurohen nga fatkeqësitë natyrore që dëmet e tyre të kompensohen në kohë reale,” theksoi Rama. Me shumë gjasa, kreu i qeverisë la të kuptohet se ky është viti i fundit që shteti do kompensojë dëmet e përmbytjeve, pasi me hartimin e një nisme të re ligjore për sigurimin e detyrueshëm të banesave dhe bizneseve këto dëme do përballohen nga vetë qytetarët. Kjo nismë që bëri publike Edvini është rrjepja e radhës e kryeministrit ndaj qytetarëve të vet. Me këtë nismë që propozoi, Rama jo vetëm që do fut duart në buxhetin familjar të shqiptarëve, pasi sigurimet private të detyruara kërkohen jo vetëm për ata që rrezikohen nga faktorë madhorë, por për të gjitha familjet shqiptare. Përse duhet të paguajnë të gjithë qytetarët këtë taksë? Apo Edvini me këtë nismë kërkon të shtrij duart e ndyra të korrupsionit edhe më thellë në xhepat e shqiptarëve? Rama me këtë taksë që synon, i detyron të gjithë të paguajnë, në të kundërt s’do të ketë kompensim për dëmet, duke i bërë që shumë familje të përmbytura që s’do të kenë mundësi të paguajnë shumën të mos përfitojnë asnjë kompensim nga buxheti i shtetit. Edhe në rast fatkeqësish të tilla, kryeministri shqiptar mendon si e si të shtojë vuajtjet e qytetarëve të vet, duke u kujdesur për buxhetin personal e klientelist.

Berisha: Rama nuk e shpall gjendjen e emergjencës për të mos dëmshpërblyer banorët/Ish-Kryeministri Sali Berisha kërkoi nga salla e Kuvendit shpalljen e gjendjes së emergjencës dhe dëmshpërblimin një më një për të gjithë banorët e zonave të përmbytura. Ndërsa e akuzoi Kryeministrin Rama për një cinizëm ekstrem, Berisha tha se ai nuk shpall gjendjen e emergjencës për të mos dëmshpërblyer banorët. “Ka një moral, ata njerëz në Fier dhe Vlorë i përmbyti Vjosa ndaj dhe duhet të dëmshpërblehen. Kjo që po ndodh me djegien e plehrave është një vjedhje e tmerrshme, e paskrupullt dhe ndodh kur njerëzit po vuajnë për kafshatën e gojës. Të përmbytesh është mjerim, sepse humb çdo gjë që ke.  Sot në vend që të flitet me tezën sesi do të dëmshpërblehen, flitet si do të sigurohen. Ndaj nuk shpallet gjendja e emergjencës civile dhe ata të dëmshpërblehen një për një. Kush ua përmbyti autostradën, bizneset e ndërtimet në këtë zonë? A doni tua tregoj kanalet në vitin 2012 si kanë qenë? Po u mbollën palmat. Unë nuk them se jam kundër sigurimit të pronës, por ky është një proces i gjatë, që mund të shkojë edhe 20 apo 30 vjet. Sot duhet që deputetët e Fierit të çohen dhe të kërkojnë dëmshpërblimin një më një për ata banorë që janë përmbytur”, tha Berisha.

Rama bëri shfaqje me kompensimin e dëmeve, ai nuk e realizoi as me përmbytjet e vitit 2015/ Deputeti i qarkut të Vlorës, Agron Shehaj, rikujtoi premtimin e pa mbajtur të kryeministrit Rama me dëmshpërblimet pas përmbytjeve të dimrit të vitit 2015. Shehaj riktheu në vëmendje se qindra banorë të dëmtuar dy vite më parë, nuk janë kompensuar ende, ndaj shtoi se kompensimi që premton për dëmtimet e këtyre ditëve, është vetëm shfaqje e Ramës.“Këta banorë të përmbytur në 2015 u mashtruan dhe akoma po presin kompensimin e premtuar nga Rama. Sot Rama bën shfaqjen e radhës dhe iu premton kompensim për 2017. #ramaperoscar”, shkruan deputeti Shehaj në facebook.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>