Rasti Surinamit, a do të përgënjeshtrohet Serbia?

Serbia është duke zhvilluar një fushatë të ashpër diplomatike ndaj Kosovës. Së fundi, përfaqësues të qeverisë së Serbisë, kanë deklaruar se Republika e Surinamit ka “tërhequr njohjen ndaj shtetit të Kosovës. Edhe më shumë se dy ditë pas këtij lajmi, Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka pranuar asnjë dokument zyrtarë në lidhje me këto raportime. Edhe më shumë se dy ditë pas raportimeve në Serbi se Republika e Surinamit ka tërhequr njohjen ndaj Kosovës, institucionet e Kosovës nuk kanë marrë ndonjë notë zyrtare nga ky shtet. Këtë ka deklaruar Halil Matoshi zyrtar për medie në Qeverinë e Kosovës. “Krejt çka mund të them, është se nuk ka notë zyrtare nga Surinami”, ka thënë ai. “Nuk kemi njohuri se çfarë po zihet në kuzhinat e Serbisë”. Sekretari i përgjithshëm në AKR, Vesel Makolli ka thënë se diplomacia e Kosovës kurrë nuk ka qenë ma aktive. Sa i përket Surinamit, Makolli ka deklaruar se është një tentim që është zier në kuzhinat e Serbisë. “Por kjo mendoj se është një tentim që është zier në kuzhinat e Serbisë dhe një tentim i ulët nga ana e shteti serb që nuk i ka hije Evropës. Prandaj zyrtarisht nuk kemi asgjë, plus asaj diplomatet tanë në botë janë të interesuar që me diplomatët e shtetit tjetër të bashkëpunojnë por as ata nuk janë të njoftuar pos asaj që ka dal nëpër media dhe është publikuar prandaj nuk ka asgjë zyrtare. Sido që të jetë ky është një veprim i çuditshëm i atyre që nuk na don të mirën neve”, ka thënë Veseli. Kurse, Bajram Gecaj zyrtar i LDK-së ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme po e mohon se kjo gjë ka ndodhur. Në anën tjetër, Dashnim Ismajli profesor i shkencave politike dhe njohës i çështjeve ndërkombëtare ka thënë se e drejta ndërkombëtare nuk parasheh ç`njohjen. Sipas tij, të mos njihen apo ri-njihen nuk parashihet në të drejtën ndërkombëtare. “Megjithatë unë konsideroi se ai dokument që është prezantuar nga ana e shtetit serb është më shumë një propagandë nga ana e Serbisë, gjithsesi ky është një tregues i qartë se shtetet si Suri-Nami, përmes qasjes jo serioze në politikën e jashtme, më shumë mundë të dëmtojnë se sa të shërbejnë në të mirë të perspektives së shtetit të Kosovës”, ka thënë Ismaili. Sipas tij, edhe pse Dokumenti në fjalë kontekstualisht ka një paqartësi dhe një shpërputhje me dokumentin e njohjes, Serbia po e shfrytëzon këtë relacion ndërmjet propagandës në disfavor të Republikës së Kosovës, ku rasti i Suri-Namit mund edhe të shkaktoi stopim/ngadalësim të njohjeve të shtetit të Kosovës. “Ndoshta kjo mund të shihet edhe si tentativë nga shteti Serb të shkaktoi domino efekt te vendet e tjera për të mos përkrahur Kosovën dhe perspektivën e saj. “Kjo mundë të shkaktojë gjithashtu hezitim, siç u tha edhe më lart, ku vendet që përkrahjen e Shtetit të Kosovës edhe ashtu e kanë pasur me mëdyshje, të vazhdojnë të mos ndryshojnë qasjen e tyre kundrejt Kosovës dhe një ashtu ky është një argument më shumë për të mos i dhënë mbështetje Shtetit tonë në proceset e saja integruese. Mendojë, se e gjitha kjo vjen si rezultat i një ofensive të ashpër e politikës së jashtme të Serbisë kundrejt diplomacisë së përgjumur dhe të pakualifikuar kosovare”, ka thënë Ismajli. Albinot Maloku,  njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare ka thënë për “ Bota sot” se procesi i njohjeve për shtetin e Kosovës si pasoj e shumë rrethanave, si në nivelin e brendshëm e si në nivelin e jashtëm, pati një stagnim shumë të dëmshëm e i cili me rastin e të ashtu quajturës “tërheqje e njohjes” po bëhet edhe më i komplikuar. Sipas tij, pas shpalljes së pavarësisë më 2008 e sidomos pas fitores, jo të Kosovës, por të legjitimitet ndërkombëtar të pavarësisë pas opinionit të GJND-së, nuk pati vazhdimësi me këmbëngulje të ruajtjes së asaj që ishte arritur. “Përkundrazi, ndodhi ky procesi i famshëm i “normalizimit të marrëdhënieve” përmes bisedimeve të Brukselit mes Kosovës e Serbisë e që e imponojë Serbia në koordinim me Bashkimin Evropian dhe Republikës së Kosovës iu imponua edhe asteriksi në të cilin njihet edhe 1244, edhe deklarata e pavarësisë edhe opinioni i GJND-së. Kjo e komplikojë fortë edhe qasjen e vendeve që nuk kanë as shumë informacion  e as shumë interesa të kenë ndonjë raport me shtetin e Kosovës”, ka thënë Maloku. Ai ka theksuar se Serbia e gjeti një vend si Suriname për të krijuar situata të reja siç është ‘tërheqja e njohjes’ dhe ti jep bumerangun ma të keq edhe procesit të njohjeve. “Është më se e saktë që shtetet serioze e peshojnë çdo veprim ndaj cilido shtet apo hapësirë politike, që më pastaj mos të dalin as qesharak as jo serioz e Suriname del me qenë një lloj shteti jo serioz në veprime. Për këtë lloj jo serioziteti e loje të ulët nuk mund ta akuzojmë Surinamin përderisa vet pushteti në Kosovës po e sjell edhe Kosovën në situata të atilla që të duket jo serioze e bile edhe qesharake. Diplomacia e Kosovës nuk po arrin ta stabilizojë veten e vet për të vazhduar si e dështuar e me plotë probleme. Më e keqja është tek mënyra sesi është duke mos dalluar asnjëri drejtues i kësaj ministrie në dështime”, është shprehur Maloku. Sipas të njëjtit, nisja më e keqe e qasjes ndaj njohjeve u bë që në fillim dhe vazhdoj pa menduar në ndërrimin e strategjisë. “Në kohen kur Kosovës iu nevojiteshin njohjet, pra menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Qeveria e Kosovës dhe ish-Ministri Hyseni proklamuan ato ‘njohjet kualitative e kuantitative’. Kjo ishte ofendim për shumë shtete, me qindra herë më serioze sesa edhe këto pesë vendet e BE-së, që peshonin mirë njohjen e shtetit të Kosovës. Nga yryshi për të dhanë haberin se gjoja neve po na njohin shtetet kualitative e humbëm rastin ti kishim edhe shumë njohje tjera. Tani po del me qenë se na paskan njohur edhe disa pishman shtete, kurse ato shtetet ‘kuantitative’ e kanë kalkuluar edhe zotësinë e pushtetit në Kosovë”, ka thënë Maloku. Ai ka  nënvizuar  se derexheja në të cilën ka rënë Republika e Kosovës si pasojë e politikave të vendorëve e të një koordinimi pa-kurrizor me shtetet ‘kualitative’ që na kanë njohur është sa e frikshme aq edhe jo premtuese që mund të ndodh ndonjë përparim. Kurse, Sami Blakaj, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare konsideron se e gjithë kjo është vetëm një lojë politike që vazhdon të promovohet me mjeshtëri nga Beogradi zyrtar dhe kjo nuk është hera e parë. “Vendimet për tërheqje njohjesh nuk i njeh e drejta ndërkombëtare dhe si të tilla janë vendime të pavlefshme. Mund të ketë ngrirje apo revokim të marrëdhënieve diplomatike, por assesi tërheqje të njohjes. Megjithatë një sqarim të saktë dhe përfundimtar përkitazi me qëndrimin e Surinamit duhet ta japë Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës. Bartësit e diplomacisë kosovare do duhej që deri më tani të kontaktonin me Republikën e Surinamit dhe të sqaronin përfundimisht pozicionin e këtij shteti karshi Republikës së Kosovës. Megjithatë mungesa e një komunikimi të tillë zyrtarë fletë më së miri për nivelin e dobët dhe pafuqinë e diplomacisë kosovare”, është shprehur Blakaj.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>