Reagimet e miqve dhe partnerëve/SHBA: Bravo shqiptarëve, udhëheqësve dhe ndërkombëtarëve për marrëveshjen  

ambasada-e-shba

Marrëveshja konsensuale që është finalizuar ditën e djeshme midis kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës Basha është përshëndetur nga ambasada e SHBA-ve në Tiranë, e cila në një njoftim për mediat përgëzon dy liderët për udhëheqësin e treguar dhe vlerëson rolin e ndërkombëtarëve në negociata. “Bravo popullit shqiptar për durimin dhe besimin e tij tek forca e demokracisë së Shqipërisë. Bravo Edi Ramës dhe Lulzim Bashës për udhëheqësin dhe kurajën personale në farkëtimin e kësaj marrëveshje. Bravo kolegëve nga Bashkimi Europian, OSBE dhe Uashingtoni për mbështetjen e tyre të palëkundur për Shqipërinë. Presim me kënaqësi e padurim zgjedhjet me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike në Shqipëri”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

David McAllister: Jam i kënaqur për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri/ Arritja e marrëveshjes midis mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri është vlerësuar edhe nga deputeti gjerman i CDU, David McAllister, emrin e të cilit mban paketa e kompromisit. Zyrtari i lartë i BE-së ka përshëndetur palët në Shqipëri për vullnetin që kanë treguar për zgjidhjen e krizës. Nëpërmjet një postimi në Facebook, McAllister shprehet se bashkëpunimi i qeverisë me opozitës jep mesazhin e rëndësishëm që nxjerr në pah vlerat e një dialogu konstruktiv për t’i dhuruar zgjidhjen më të mirë vendit dhe qytetarëve. “Unë jam i kënaqur që përpjekjet për ndërmjetësim të BE-së dhe SHBA-së për t’i dhënë fund krizës politike në Shqipëri kanë qenë të suksesshme më në fund. Mesazhi kyç është se zgjidhjet e qëndrueshme mund të arrihen kur qeveria dhe opozita kërkojnë dhe dialogojnë drejtpërdrejt me njëra-tjetrën”, thuhet në postimin e tij.

OSBE dhe BE: Urime për marrëveshjen, do të mbështesim fort reformën zgjedhore/ Reagimi i parë ndërkombëtar për marrëveshjen politike të firmosur midis Edi Ramës dhe Lulzim Bashës  ka ardhur nga zyra e OSBE-së në Tiranë, e cila gjithashtu premton mbështetje për reformën zgjedhore dhe garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. “Urime qeverisë dhe opozitës për #Marrëveshjen! #PrezencaOSBE e gatshme të mbështesë fort #ReformaZgjedhore për #ZgjedhjeTëLiraETëNdershme”, thuhet në postimin e OSBE. Ndërkohë edhe delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Luzim Basha për zgjidhjen e krizës politike. “Përgëzime për marrëveshjen për zgjedhje të lira e të ndershme në interes të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë”, thuhet në reagimin e këtyre të fundit.

Fleckenstein: Urime për marrëveshjen që i jep fund krizës politike/ Marrëveshja që i jep fund krizës së rëndë politike që kishte mbërthyer prej tre muajsh vendin është përshëndetur edhe nga raportuesi për Shqipërinë në PE, Knut Fleckenstein, i cili u investua personalisht gjatë negociatave për paketën McAllister. “Urime! Mirë për Shqipërinë marrëveshja për zgjedhjet. Jam i gëzuar që së bashku me McAllister dhe miqtë amerikanë, unë munda të kontribuoja”, shkruan Fleckenstein në rrjetet sociale.

Eurodeputeti Kukan: Jam shumë i lumtur për zgjidhjen e krizës në Shqipëri/ Gëzimin për arritjen e një marrëveshje konsensuale për zgjidhjen e krizës ndërmjet palëve politike në Shqipëri e ka shprehur nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale edhe eurodeputeti Eduard Kukan, i cili më parë kishte deklaruar se Rama e Basha duheshin mbyllur në një dhomë për të dialoguar deri në gjetjen e zgjidhjes. “Shumë i lumtur që dëgjoj lajme të mira nga Shqipëria këtë mëngjes pasi kryeministri Rama dhe Lulzim Basha kanë arritur një marrëveshje mbi zgjedhjet”, shkruan Kukan në rrjetet sociale. Vlen të theksojmë se eurodeputeti Kukan ka qenë një ndër përfaqësuesit e Brukselit që ka kundërshtuar vazhdimisht zhvillimin e zgjedhjeve pa opozitën, pasi sipas tij dëmtojnë vendin.

Mediat ndërkombëtare: Përfundon kriza politike në Shqipëri, shtyhet data e zgjedhjeve Lajmi i arritjes së një marrëveshjeje për të zgjidhur krizën e rëndë politike në Shqipëri midis mazhorancës dhe opozitës është pasqyruar gjerësisht edhe në median ndërkombëtare. Shtypi i ka bërë jehonë shtyrjes së datës së zgjedhjeve dhe fundit të qëndresës 3 mujore të opozitës, e cila arriti triumfin e kauzave të veta nëpërmjet presionit të vazhdueshëm mbi qeverinë Rama. Fillimisht lajmi është publikuar nga Associated Press dhe më pas nga media prestigjoze si The Ëashington Post, The Neë York Times, Daily Mail e më gjerë. “Partitë politike shqiptare kanë arritur një kompromis mbi zgjedhjet parlamentare muajin e ardhshëm pas ndërmjetësimit intensiv të një zyrtari të lartë amerikan”, thuhet në artikullin e AP. Në vëmendje të mediave ndërkombëtare ka qenë edhe përpjekjet e vazhdueshme të zyrtarëve evropianë dhe amerikanë, paketa e hartuar prej të cilëve doli triumfuese pasi palët ranë dakord për ta implementuar plotësisht atë, në mënyrë që opozita të hyjë në zgjedhje, ku do të garojë si e barabartë me qeverinë.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>