Reforma zgjedhore/PD-LSI unifikojnë qëndrimet – votim e numërim elektronik në zgjedhjet e Qershorit

votime

Partia Demokratike nënvizon rëndësinë e teknologjisë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Pas mbledhjes së komisionit për reformën zgjedhore, bashkëkryetari demokrat i Komisionit, Oerd Bylykbashi thotë se ky sistem është i mundshëm të aplikohet, edhe pse ka mbetur pak kohe deri në zgjedhje. Ndërkohë në të njëjtën linjë me PD ka qenë edhe LSI, e cila ka mbështetur kërkesën e partisë Demokratike për votim e numërim elektronik të votave në zgjedhjet e Qershorit

Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi ka deklaruar se opozita nuk do ta lejojë mazhorancën të lërë jashtë diskutimit për standardet e zgjedhjeve të qershorit, çështjet thelbësore, siç është përdorimi i teknologjisë në votim. Bylykbashi u shpreh pas diskutimeve të komisionit të Reformës Zgjedhore se zgjedhjet mbeten çështje primare për shqiptarët, ndaj PD po lufton për arritjen e standardeve zgjedhore. “Ajo që bëri opozita ishte theksimi dhe njëherë i çështjes së zgjedhjeve: Zgjedhjet janë çështja primare për shqiptarët dhe më shumë sesa çdo reformë zgjedhore, parësore janë standardet e zgjedhjeve dhe ato duhet të garantohen për zgjedhjet e 2017. Ne ngulim këmbë që nuk mund të ketë asnjë selektim i çështjes. Ajo që në përsëritje të çështjeve që kemi ngritur është që ekspertët të përgatisin një listë të çështjeve që janë për t’u diskutuar dhe pastaj të përgatisim amendamentet për të rikuperuar kohën e humbur për shkak të heqjes zvarrë nga mazhoranca. Ne nuk do të pranojmë që asnjë çështje thelbësore të lihet jashtë. Teknologjia në votim është çështje thelbësore dhe do të zgjidhë një problem thelbësor. Mazhoranca ka bërë çmos deri tani për ta zvarritur duke thënë se nuk ka më kohë”, tha Bylykbashi. Por, bashkryetari i Komisionit të Reformës Taulant Balla,  tha se në zgjedhjet e  18  qershorit mund të aplikohet  vetëm si projekt pilot. Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka deklaroi se PD mund të tolerojë edhe një shtyrje të zgjedhjeve nëse është e nevojshme për të krijuar hapësira për votimin e numërimin elektronik. Tri partitë kryesore në vend kanë kërkesa të diferencuara njëra nga tjetra lidhur me zgjedhjet edhe pse në disa pika kanë konvergjencë të plotë. Ndryshimi i qëndrimit të LSI lidhur me mjetet e zhvillimit të votimit shpreh frikën e kësaj partie nga një manipulim i mundshëm i procesit zgjedhor dhe votimit prej PS. Kjo është hera e parë që LSI kërkon linja “konservatore” në procese elektorale, duke u ndarë nga “liberalizmi” i saj në këto procese. Prej vitit të kaluar PD paraqiti platformën, në të cilën kërkohej të dekriminalizohet shitblerja e votës, të merren të gjitha masat që kjo të bëhet e pamundur dhe një nga këto do të ishte votimi elektronik. PD gjatë paraqitjes së kësaj platforme thekson se nëse platforma e PD nuk merret në shqyrtim pa vonesa, nuk ka asnjë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme më 18 qershor të vitit që vjen. Ndërkohë të premten ekspertë politikë të  komisionit  të posaçëm për reformën do të mblidhen për të diskutuar mbi platformat e tyre  dhe do të paraqesin propozimet për ndryshimet në ligjin zgjedhore, për të nisur me pas diskutimi politik i tyre.

Vasili-Ramës: Zgjedhjet në Shqipëri t’i monitorojë administrata e Donald Trump/ Lëvizja Socialiste për Integrim ka kërkuar që zgjedhjet e 18 qershorit në vendin tonë të monitorohen edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përveç Bashkimit Europian. Përmes nënkryetarit të LSI Petrit Vasili, ky i fundit foli jashtë Kryesisë së Kuvendit pas diskutimeve në komisionin e posaçëm për reformën zgjedhore, duke theksuar se monitorimi nga administrata e re amerikane e Donald Trump do të ishte pozitive. “BE është prezent në komision, por do të ishte shumë e rëndësishme që edhe administrata e re amerikane të ishte gjerësisht aktive, qoftë monitorimin, ndjekjen e procesit, vlerësimin e tij përfundimtar, pasi një vlerësim pozitiv i këtyre zgjedhjeve, qoftë nga BE, por në mënyrë të veçantë nga SHBA. Në mënyrë të veçantë administrata e re amerikane, do të thoshte një plus shumë i madh për vendin tonë dhe do të thoshte një proces integrimi që ecën përpara pa asnjë pengesë dhe pa asnjë koment negativ dhe pa asnjë lloj rezeve. Kështu që ky proces jo vetëm zgjedhor, por edhe politik duhet parë në këtë mënyrë”, tha Petrit Vasili për gazetarët.

 

 

 

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>