Reportazhi/Brenda “Parlamentit të Qytetarëve”!

cadra

Përballë kryeministrisë, ku kulmoi edhe protesta më madhështore e ndodhur në 27 vite demokraci të Shqipërisë, qindra shqiptarë të thjeshtë, që nuk pretendojnë as karrige dhe as pushtet kanë ngritur themelet e rezistencës qytetare ndaj një qeverie që ata e përshkruajnë, duke i veshur epitete nga më të këqijat të mundshme. E korruptuar, arrogante, klienteliste, kriminele dhe madje kanabiste është sipas shqiptarëve të gjendur brenda ambienteve të çadrës së qëndresës establishmeti që Rama nxitoi ta reklamonte në 2013 si grupin e njerëzve që do të hidhnin bazat për Shqipërinë e gjeneratës tjetër. I përgjithësoj si shqiptarë rreth një mijë individë syri im pa aty rreth orës 14:00 të ditës së djeshme pasi shpirti protestues që evokon ky ambient i ngritur nga opozita e vendit nuk mbahet gjallë vetëm nga deputetë apo faktorë të tjerë përcaktues brenda së djathtës, por edhe nga dhjetëra e qindra shqiptarë që përtej ngjyrës së flamurit dhe siglës së partisë që vendoset në të kërkojnë të rikthejnë në vend dinjitetin e tyre dhe të rrëzojnë një qeveri, e cila me sopatë të madhe goditi po njësoj të majtë e të djathtë. Kjo qeveri e pangopur linjën e saj  të uzurpimit të pushtetit e ndërtoi mbi mbështetjen që i ofruan bandat e krimit dhe narkotrafikut, biznesmenët e varur prej tenderave korruptivë, klientët e kryeministrit dhe oligarkia e korruptuar e Shqipërisë mjerane, duke harruar të vendosë në plan të parë shqiptarin e thjeshtë që votoi në qershorin e 2013-ës me shpresën për një vend pune, arsimim më të denjë për fëmijët, shëndetësi më efektive apo qoftë edhe për një rrogë e pension më të lartë. Shqiptarët e zhgënjyer që vajtojnë humbjen e shpresës për të parë ditë më të mira ndodheshin brenda asaj çadre, prandaj edhe në rrjedhën e gjithë shpjegimit mbi shpirtin protestues, ja vlen të theksojmë se çdo tentativë e Edi Ramës me shokë për t’i dhënë protestës dhe më pas qëndresës së Partisë Demokratike ngjyrime politike nuk vlen pasi të shtunën e 18 shkurtit në shesh zbritën plot 500 mijë shqiptarë të thjeshtë, të cilët hodhën pas shpine ndasitë, për të kërkuar të drejtat e tyre të vjedhura nga qeveria e krimit dhe e drogës. Ashtu si në shesh, ku midis gjysmë milioni shqiptarëve gjeje të majtë që shprehnin pendesën për votën pro Edi Ramës dhe njerëz të thjeshtë, të cilët nuk donin t’ia dinin për partinë por për Shqipërinë, fatet e saj, demokracinë, votën e lirë, të ardhmen e bijve të tyre dhe për të mbajtur gjallë shpresën se me një qeveri për qytetarët ky vend mund të ndërtohet e të ecë në rrugën e drejtë, edhe në “Çadrën e Lirisë” që është kthyer me të drejtë në tempullin e demokracisë e qytetarisë gjeje njerëz të shtresave të ndryshme, të cilët të gjithë së bashku reflektonin vullnetin për të qëndruar të bashkuar e për t’i bërë rezistencë së keqes deri në fitoren e kauzave të tyre. Ato ambiente shumëkush mund t’i përshkruaj i ndikuar nga qarqe dhe politika të caktuara, por ajo çadër ku janë bërë bashkë në një aleancë, e cila ka ngritur në piedestal vlerat e qytetarisë, dhjetëra të rinj ëndërrimtar, pensionistë të drobitur e të braktisur nga shteti, arsimtarë, njerëz të artit, shkencës dhe publicistikës, por edhe figura politike shpresëdhënëse që kërkojnë të triumfojë demokracia, në ditën e tretë të rezistencës i tregon një syri të jashtëm e të pandikuar se e meriton të konsiderohet si “Parlamenti i Qytetarëve”. Ajo çadër është kthyer në tempullin e demokracisë, intelektit, shpresës dhe bindjes se Shqipëria mund të bëhet duke hedhur poshtë kastën e oligarkëve që Edi Rama mban pas vetes dhe duke i imponuar atyre zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, ku do të marrë vlerë vullneti i qytetarëve dhe dëshira për të orientuar fatet e Shqipërisë drejtë një rruge të ndritur.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>