Republika e drogës përmbyt fqinjët

droga

Në Bari, kapet 1.2 tonë drogë e nisur nga vendi ynë, ndërkohë që njëkohësisht vjen denoncimi se pushtetarët shqiptarë po blejnë hotele në Itali me paratë e miliardave të drogës

Në harkun kohor të dy javëve droga shqiptare ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave pasi nga Tirana dhe Foxhia, Prokurori i Përgjithshëm i Antimafias italiane lëshoi dy deklarata tepër të rënda që lidheshin përkatësisht me trefishim e kultivimit të drogës në vitin 2016 dhe faktin se trafikantët shqiptarë renditen të dytët në botë për prodhimin dhe tregtinë e drogërave të lehta pas amerikano-jugorëve. Për ti bërë edhe më te besueshme seç janë këto deklarata mendon Guardia di Finanza, e cila gjatë ditës së djeshme ka sekuestruar sasinë marramendëse prej 1.2 ton drogë në brigjet e Barit. Të gjitha këto deklarata mbi brandin shqiptar të kanabisit dhe tonelatat e drogës së sekuestruar nga autoritetet e vendit fqinj, të cilat pasqyrojnë një realitet të zymtë për Shqipërinë kanabiste janë elementet që faktojnë se qeveria e Edi Ramës në këto katër vite është bërë palë me narkotrafikantët dhe synon që paratë e gjeneruara prej tyre t’i përdorë për të blerë zgjedhjet e 18 qershorit. Trafiku i drogës me urdhër të drejtpërdrejtë të dyshes Rama-Tahiri e ka shndërruar Shqipërinë në një ‘Republikë kanabisi’, ku paratë e pista të fituara prej krimit synohen të investohen tashmë jo vetëm në pasuri të patundshme për bejlerët që kanë marrë peng pushtetin dhe që bashkëjetojnë me krimin e narkotrafikun, por edhe në blerje deputetësh dhe mandati kryeministror. Hetimet e antimafias italiane kanë për synim të nxjerrin në pah të vërtetën e madhe lidhur me pazaret e drogës dhe mënyrën se si shqiptarët, të cilët kanë formuar tashmë grupin e katërt më të madh kriminal në Italinë fqinje, pastrojnë miliarda euro të gjeneruara nga fitimet e jashtëligjshme, për të cilat është investuar qeveria nëpërmjet mbrojtjes së trafikantëve me anë të policisë. E vërteta për të cilën kreu i Antimafias italiane këmbënguli që do ta zbulojë lidhet padyshim me faktin se në mendjen e Edi Ramës është përpiluar prej kohësh plani për të blerë postin kryeministror në zgjedhjet e qershorit dhe se me 12 milionë eurot, që mund të fitoheshin prej ngarkesës së djeshme të sekuestruar në Bari, në kollukët e Parlamentit të Shqipërisë do të vijojnë të ulen kriminelë të mbështetur nga kryeministri aktual. Autoritetet italiane kanë sekuestruar sasinë prej 1.2 ton kanabis dhe ka arrestuar dy trafikantë shqiptarë gjatë një operacioni masiv antidrogë të zhvilluar në bregdetin e Italisë Jugore. Sipas mediave italiane, një skaf me motorë të fuqishëm i nisur nga brigjet shqiptare u pikas nga Guardia di Finanza dhe u ndoq në det për disa minuta. Në operacion janë angazhuar forca të shumta policore nga deti dhe nga ajri, ndërkohë që skafi me drogë ishte drejtuar në veri të Barit. Mësohet se për t’i shpëtuar policisë, trafikantët kanë hedhur në det ngarkesën me kanabis, por megjithatë, ndjekja rezultoi e suksesshme për policinë, e cila mundi të ndalonte gomonen dhe arrestoi dy shqiptarët me iniciale H.E dhe M.H respektivisht 37 vjeç dhe 34 vjeç, të dy nga Vlora. Dy trafikantët shqiptarë akuzohen për posedim droge dhe trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe droga e sekuestruar mund të arrinte në treg fitime që shkojnë deri në 12 milionë euro. Gomonja e gjatë rreth 9 metra dhe e pajisur me dy motorë të fuqishëm jashtë bordit e mbushur me 1.2 ton kanabis që u kap gjatë një operacioni të policisë italiane në Bari është pranuar edhe nga policia e shtetit, e cila në shumë raste të tjera nëpërmjet propagandës në media kishte mohuar disa tonelata drogë të nisura nga bregdeti shqiptar e të sekuestruara nga Guardia di Finanza. Duket se fakti që policia pranoi se gomonia drejtohej nga dy shqiptarë nga Vlora dhe se transportonte 1215 kg marijuanë në brigjet e Italisë së Jugut tregon se fenomeni është përhapur aq shumë sa edhe vetë djemtë e Tahirit e kanë të vështirë të fshehin të vërtetën mbi drogën që po derdhet lumë.

Trafik droge nga Shqipëria, kapet 110 kg kanabis në Janinë/ Policia greke gjatë ditës së djeshme ka sekuestruar një sasi prej 110 kg kanabis sativa në zonën e Janinës dhe ka arrestuar dy të rinj grekë 22 dhe 24 vjeç. Sipas informacioneve të bëra publike nga policia, dy shtetasit grekë kishin marrë drogë në Shqipëri dhe po e transportonin në Greqi. Gjatë kontrollit në makinë, autoritetet zbuluan 25 pako me drogë të fshehura në pjesën e pasme të mjetit. Mësohet se pas marrjes në pyetje, ata kanë pohuar se drogën po e transportin me urdhër të dy shqiptarëve 19 dhe 29 vjeç, të cilët po i prisnin në Aigio. Ndërkohë këta të fundit janë arrestuar në flagrancë pasi autoritetet greke morën informacionin e vendndodhjes së tyre. Në banesë iu janë gjetur disa doza kanabis, tre celularë dhe 100 Euro. Në total, të katër të arrestuarit do të hetohet nga Prokuroria e Janinës për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik ndërkombëtar të drogës.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>