Reuters, Shqipëria e paprekur nga kriza

Nga Davosi ku po merr pjesë në Forumin Ekonomik botëror, kryeministri Berisha ka komentuar vendimin e Bankës së Shqipërisë, për uljen e normës së interesit për lekun. Në një intervistë dhënë për Agjencinë e Lajmeve Reuters, shefi i qeverisë shqiptare ka deklaruar se në të ardhmen Banka e Shqipërisë duhet të reagojë me kujdes në lidhje me uljen e normës së interesit. Vendimi i Bankës erdhi pas kërkesës së bankave të nivelit të dytë në vend dhe u komentua si një veprim që do të nxisë zhvillimin ekonomik, pasi norma e interesit u mbajt gjatë gjithë 2008 e pandryshuar në nivelin e 6.25 përdind. 

I pyetur nga gazetari i agjencisë Reuters në lidhje me ulje të mëtejshme, kreu u ekzekutivit tha për Reuters se duhet të monitorohet zhvillimi ekonomik. “Duhet të tregohemi të duruar, ka thënë Berisha – Duhet të tregojmë kujdes, pasi na duhet dhe të kursejmë”.

Duke folur për takimin e zhvilluar një ditë më parë me kryeministrin suedez Fredrik Reinfeldt, kryeministri ka thënë se ka kërkuar më shumë investime nga investitorët suedezë. Në lajmin e publikuar në faqen zyrtare të agjencisë më të madhe të lajmeve Reuters thuhet se aktualisht, Shqipëria nuk është përfshirë nga kriza financiare që ka mbërthyer vendet më të zhvilluara të botës. Duke cituar kryeministrin Berisha më tej në lajmin e Reuters thuhes se sistemi shqiptar bankar ka likuiditet dhe kjo sipas tij vjen pasi bankat nuk japin hua më shumë se 50-60 % të depozitave të tyre. Sipas Reuters, qeveria pret një rritje ekonomike prej 6% gjatë këtij viti.