Rezoluta e të zgjedhurve vendorë i niset zyrtarisht kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama

basha per reformen territoriale

“Decentralizimi, zgjerimi e konsolidimi i autonomisë vendore duhet të jetë drejtimi themelor dhe udhëheqës i reformës”

 

Shoqata e bashkive, shoqata e këshillave të qarqeve  dhe shoqata e komunave i kanë nisur zyrtarisht kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama, rezolutën për reformën decentralizuese, administrative dhe territoriale, të miratuar më 2 korrik 2014, në konferencën “Zgjerimi i autonomisë vendore, reformë e qëndrueshme territoriale”. Së pari kërkojnë që Decentralizimi, zgjerimi e konsolidimi i autonomisë vendore duhet të jetë drejtimi themelor dhe udhëheqës i reformës. Ajo duhet të udhëhiqet nga parimet e demokracisë së drejtpërdrejtë dhe përfaqësuese, të shërbimit sa më pranë qytetarit, shpërndarjes së drejtë të burimeve dhe mbështetjes së njësive vendore, të transparencës dhe llogaridhënies sa më pranë komunitetit.
Më tej krëreve të mazhorancës u kërkohet që riorganizimi territorial i njësive të qeverisjes vendore në çdo nivel të pasqyrojë identitetin e komunitetit të banorëve të krijuar përgjatë histories, për njësi të reja vendore harmonike dhe funksionale. Por vendimtare për një reformë të qëndrueshme sipas tyre ështrë konsesusi politik në uvend dhe parimi i vetëvendosjes, ku cdo komunitet vendor të ketë mundësinë të shprehë qëndrimin pro apo kundër ndryshimit të kufijve vendorë, siç sanksionohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Platforma për reformën e vetëqeverisjes vendore përbëhet nga këto parime:

1. Decentralizimi dhe zgjerimi e konsolidimi i autonomisë vendore duhet të jetë drejtimi themelor dhe udhëheqës i reformës.

2. Reforma duhet të bazohet dhe udhëhiqet nga parimet e demokracisë së drejtpërdrejtë dhe përfaqësuese, të shërbimit sa më pranë qytetarit, të partneritetit dhe bashkëpunimit, të shpërndarjes së drejtë të burimeve dhe mbështetjes së njësive vendore me mundësi më të pakta, të transparencës dhe llogaridhënies sa më pranë qytetarëve dhe komunitetit.

3. Riorganizimi territorial i njësive të qeverisjes vendore në çdo nivel duhet të pasqyrojë identitetin e komunitetit të banorëve të krijuar përgjatë historisë dhe ta harmonizojë atë me funksionalitetin e njësive të reja qeverisëse. Procesi i hartimit të reformës decentralizuese, administrative e territoriale dhe miratimi i saj të kryhet vetëm përmes konsensusit të plotë politik në Kuvendin e Shqipërisë.

4. Çdo komunitet vendor të ketë mundësinë të shprehë qëndrimin pro apo kundër ndryshimit të kufijve vendorë, siç sanksionohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.