RICIKLIMI GREK

 

Mbrëmjen e vonë të 20 shtatorit 2015, televizionet patën transmetuar lajmin e rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme greke, shoqëruar me hartë të Greqisë, e ngjyrosur tej e tej,deri në ishujt e largët të Egjeut, me të kuqen e SYRIZA-s, ndërsa në blu shquanin vetëm tri njolla në skaje: gishtat e ishullit të Peloponezit krejt në jug, një rrip i ngushtë në lindje në kufi më Turqinë dhe blana në veri ngjitur me Bullgarinë.

I gjithë rezultati i zgjedhjeve ishte një riciklim grek i disafishtë:

U riciklua SYRIZA e majtë radikale, partia që i pati fituar edhe zgjedhjet e mëparshme, e mbështetur mbi dy faktorë bazë: premtimet si në rrëfime përrallash dhe zemërimin e grekëve ndaj qeverisjeve të deriatëhershme, që e kishin fundosur Greqinë në borxh të padëgjuar. Por SYRIZA u përça gjatë shtatë muajsh qeverisjeje, sepse pjesa e saj edhe më radikale nuk u pajtua me pranimin e masave shtrënguese të diktuara nga Bashkimi Europian dhe huadhënësit. Tërheqja e detyruar e kryeministrit Aleksis Cipras nga premtimet e bujshme, braktisja e tyre sikur të mos ishin thënë kurrë dhe pranimi i masave shtrënguese, e patën çuar SYRIZA-n në humbjen e shumicës në parlament. Kryeministri Cipras nuk pati rrugë tjetër përveçse të jepte dorëheqjen dhe të provonte përmes zgjedhjesh të jashtëzakonshme të arrinte numrat e duhur në parlament për të “nusëruar” përsëdyti në krye të qeverisë. Dhe zgjedhësit, me një entuziazëm të llojit ballkanas, e ricikluan SYRIZA-n thuajse në po ato numra si pak muaj më parë kur ajo u premtonte grekëve qiejt. Ky riciklim është gati i paanalizueshëm ndryshe, përveçse sipas mendësisë si ” e keqja më pak e keqe”.

U riciklua Aleksis Cipras, i cili i pati fituar zgjedhjet që e bënë kryeministër për herë të parë, me premtimin se helenët nuk do t’i poshtëronte më askush, se grekët do të jetonin në mirëqënie europiane, se nuk do t’i detyronte kush të shtrëngonin rripin e të bënin sakrifica, se do t’i merrnin Gjermanisë dëmshpërblime të Luftës së Dytë Botërore për të shlyer borxhin, e të tjera. Por më pas, Cipras i shfaqur kryeministër me veshjen e thjeshtuar pa kravatë, me sjellje të zbutur në Bruksel e Berlin por populist në Athinë, nuk mundi të bënte asgjë nga ato që kishte thënë, përveçse në vend të falimentimit të Greqisë firmosi për masat shtrënguese. Ajo që bëri përshtypje te grekët është se, ndërsa herën e parë ia dhanë votat Ciprasit për premtime si në përralla, kësaj here votat ia dhanë për pranimin e masave shtrënguese. Mes këtij ndryshimi të vet kryeministrit, me diferencë saç është Veriu me Jugun, e vetmja gjë që ka mbetur njëlloj është paraqitja e tij po ashtu – pa kravatë.

U riciklua qeveria, sepse në postet ministrore kryesore u emëruan po ata që ishin. Qeveria e mëparshme, që nuk mundi të zbatonte asgjë nga programi elektoral deri më 20 shtator 2015, quhet qeveri e tashme dhe pas 20 shtatorit 2015 i mbetet vetëm të zbatojë masat shtrënguese të diktuara nga kreditorët. Ajo ua ka bërë me dije grekëve që, ata nuk kanë zgjedhje tjetër përveçse t’u nënshtrohen sakrificave, të punojnë më shumë e të marrin më pak, në mënyrë që të shlyhet borxhi dhe Greqia t’i largohet katastrofës së falimentimit. Populizmi zgjedhor ka shkuar në harresë dhe qeveria ka të drejtë t’u thotë grekëve: nëse herën e parë votat u dhanë për premtime të bujshme, kësaj herë votat u dhanë për pranim të masave shtrënguese, ndaj nuk keni zgjedhje – punoni më shumë, konsumoni më pak.

U riciklua kriza e gjatë e borxheve, e cila nuk ka bërë zmbrapsje as edhe një milimetër. Pikërisht, kjo krizë e pakapërcyer dhe dy palë zgjedhjet e fituara po njëlloj nga e njëjta parti politike – SYRIZA, e bën dramatikisht të pakapshëm entuziazmin zgjedhor të grekeve: ata nuk ndryshuan asgjë, as votën, as partinë, as parlamentin, as qeverinë, as kryeministrin dhe as krizën, – që të gjitha kryeneçe: kriza për të vijuar pa u zmbrapsur; SYRIZA për të qeverisur me shtrëngime pa i përmendur më as sakrificat, as poshtrimin dhe as moscenimin e standardit të jetesës.

Greqia e zgjedhjeve të mëparshme i ngjante me një kamioni të rëndë, të ngecur keq në baltë të madhe duke i xhiruar rrotat në vend deri sa e harxhoi të gjithë karburantin. Zgjedhjet e sapokryera në Greqi ngjajnë thjesht si furnizim i ri me karburant të kamionit të ngecur, ndërsa rrotat vijojnë të xhirojnë në vend pa mundur ta lëvizin barrën e rëndë prej aty. Megjithëkëtë, borxhet greke si kryelajm në mediat e vendeve të rajonit, Europës dhe botës janë zhvendosur. Kjo ka ndodhur për arsye se kryelajm është bërë kriza pasuese – vërshimi masiv i emigrantëve, i cili mund të pasohet nga lajme se si grekët do të përballojnë sakrificat.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>