Rriten shpresat për zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë

Rritet optimizmi se Greqia dhe Maqedonia më në fund mund të zgjidhin mosmarrëveshjen e gjatë që ka penguar integrimin euro-atlantik të Maqedonisë

 

Pas helmimit të marrëdhënieve dypalëshe për 26 vjet, Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias ka thënë se mosmarrëveshja në lidhje me emrin e Maqedonisë, që Athina e kundërshton, duhet të zgjidhet së shpejti. Në një intervistë më 5 nëntor për të përditshmen greke Kathimerini, Kotzias, i cili vitin e kaluar u shpreh se do të duheshin vite që të dy vendet të binin dakord për një emër të përbashkët të pranuar nga të dyja palët, tha se çështja “duhet të zgjidhet brenda gjysmës së parë të 2018-ës”. “Nëse kjo do të zgjidhet, atëherë do të jetë thjesht çështje tre apo katër muajsh burokraci në Kombet e Bashkuara,” citohet të ketë thënë Kotzias. “Nëse jo, do të ketë vështirësi shumë të mëdha,” shtoi Kotzias, duke iu referuar zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni dhe zgjedhjeve të përgjithshme në Greqi në vitin 2019, të cilat ka gjasa të pengojnë rrugën e bisedimeve të mëtejshme substanciale. Ndjenja e re e urgjencës dhe e optimizmit reflektohet edhe tek zyrtarët e lartë maqedonas. “Maqedonia pret një datë për fillimin e negociatave të saj të pranimit në BE nga mesi i vitit të ardhshëm,” tha kryeministri i ri i vendit Zoran Zaev më herët këtë muaj. Zaev tha se ai është plotësisht i ndërgjegjshëm se kjo do të ishte e mundur vetëm nëse Maqedonia dhe Greqia deri atëherë do të kapërcejnë mosmarrëveshjet e tyre. Shpresat për një zgjidhje dolën menjëherë pasi social demokratët erdhën në pushtet në Maqedoni në maj. Zyra e Zaevit e bëri të qartë se donte të shkëputej nga praktikat e qeverisë së mëparshme që thjesht debatonte me Greqinë për emrin e vendit dhe të angazhohej në përpjekje “të hapura dhe të sinqerta” për të përmirësuar marrëdhëniet dhe të kërkonte ndihmën e Greqisë për anëtarësimin e saj në NATO dhe në BE.

Pas vitesh të tëra marrëdhëniesh diplomatike të ftohta, në qershor, ministri i ri i jashtëm i Maqedonisë, Nikola Dimitrov, u prit ngrohtë në Athinë. Ky takim dhe vizita e kthimit nga Kotzias në Maqedoni në gusht janë përdorur për të rindërtuar besimin përpara një raundi të ri të bisedimesh të ndërmjetësuara nga OKB-ja që të dyja palët mezi i presin. Sipas raporteve jo zyrtare nga të dyja palët, bisedimet zyrtare të lehtësuara nga ndërmjetësi i OKB-së, Matthew Nimetz, i cili e vizitoi rajonin në korrik pas një mungese të gjatë, duhet të fillojnë nga fundi i këtij muaji ose në fillim të dhjetorit. Nëse çdo gjë shkon sipas planit, në fillim të vitit 2018, të dyja palët mund të angazhohen thellësisht në bisedime më të hollësishme mbi një zgjidhje për emrin.

Ankesat i hapin rrugë optimizmit/Emri i Maqedonisë ka qenë temë mosmarrëveshjeje me Greqinë që kur ish-republika e Jugosllavisë fitoi pavarësinë në vitin 1991. Greqia këmbëngul se përdorimi i fjalës “Maqedoni” nënkupton një pretendim territorial për krahinën e saj veriore me të njëjtin emër. Megjithatë, maqedonasit nuk e durojnë dot idenë që Greqia t’u tregojë atyre emrin e vendit të tyre dhe druhen se një ndryshim i emrit do të krijonte gjithashtu pikëpyetje rreth identitetit kombëtar. Në vitin 2008, Athina e përdori mosmarrëveshjen për të ushtruar veton për pranimin e Maqedonisë në NATO, ku ajo prite të anëtarësohej. NATO i dha Maqedonisë të drejtën e hyrjes në aleancë, por vetëm pasi të zgjidhte mosmarrëveshjen me Athinën. Vitin pasues, Greqia e shtriu bllokadën e saj në BE. Pavarësisht se merr një rekomandim pozitiv nga Komisioni Europian çdo vit, Maqedonia s’ka mundur të marrë një datë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Marrëdhëniet u përkeqësuan kur qeveria e mëparshme e Maqedonisë, e udhëhequr nga VMRO DPMNE nacionaliste nën drejtimin e  Nikola Gruevskit, që qeverisi nga viti 2006 deri këtë vit, filloi të ngrinte statuja gjigande të heronjve klasikë si Aleksandri i Madh dhe Filipi i Maqedonisë në qendra qytetesh dhe riemërtoi vende të njohura, siç është aeroporti kryesor, pas emrit të Aleksandrit të Madh. Ndërsa Greqia pretendonte se këto figura ishin pjesë e historisë helene, ajo i pa këto gjeste si provokim dhe e akuzoi Maqedoninë për vjedhjen e trashëgimisë së saj. Në vitin 2011, Maqedonia nuk arriti të përfitonte nga fitorja e saj ndaj Greqisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ICJ, kur Gjykata e Hagës e shpallii Greqinë fajtore për shkeljen e një marrëveshjeje të OKB-së në vitin 1995 duke bllokuar anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Kjo ishte një fitore morale, por Greqia thjesht e injoronte atë, ndërkohë që vendimi nuk e detyroi NATO-n apo BE-në të ndryshonin mendje. Ndërkohë, bisedimet e ndërmjetësuara nga OKB-ja në lidhje me çështjen e emrit u bënë më pak të shpeshta dhe nuk dhanë rezultate. Në tryezë u vendosën emra të ndryshëm kompromisi, përfshirë Republika Veriore e Maqedonisë, Maqedonia e Sipërme dhe Republika e Maqedonisë (Shkup). Secila u konsiderua e papranueshme nga ose njëra ose të dyja palët. Megjithatë, vëzhguesit vunë re një ndryshim të shpejtë për më mirë pasi Maqedonia krijoi një qeveri të re në Maj. “Qëndrimi i të dyja palëve është më i mirë tani sesa ka qenë gjatë pesë viteve të kaluara. Ka një rritje sinqeriteti dhe serioziteti dhe një ndryshim në qasje kundrejt kësaj çështjeve është i dukshëm,” tha Bekim Kadriu, analist politik dhe profesor në Universitetin e Tetovës. Ish-ministri i jashtëm i Maqedonisë Denko Maleski tha se ndryshe nga shumë herë në të kaluarën, kur të dyja palët ishin angazhuar në bisedime, por dukeshin pa dëshirë për t’i zgjidhur vërtet problemet, pritshmëritë për një kompromis këtë herë dukeshin më të vërteta. “Problemi s’do të zgjidhet deri në fund të këtij viti, por të gjithë duhet të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje deri në gjysmën e dytë të vitit 2018,” tha ai për gazetën e përditshme Sloboden Pecat. “Nëse s’e bëjmë këtë, rrezikojmë t’i ngrijmë përsëri negociatat (për shkak të zgjedhjeve në të dy vendet në vitin 2019),” tha Maleski. Analistët janë dakord se fitorja e partisë së re qeverisëse të Maqedonisë në zgjedhjet vendore në tetor i dha kryeministrit Zaev më shumë vend për të kërkuar një zgjidhje të guximshme dhe të pajtueshme me Greqinë. Rezultatet e zgjedhjeve e dobësuan shumë pozicionin e ish-partisë qeverisëse VMRO DPMNE, e cila e ka akuzuar vazhdimisht Zaevin për tradhti ndaj vendit dhe se po tregohet shumë i butë me Greqinë.

Vëzhguesit paralajmërojnë se pavarësisht hapave që marrin të dyja palët, një zgjidhje përfundimtare ka nevojë për angazhimin diplomatik të Uashingtonit dhe Brukselit, të cilët duhet të fokusohen të bindin faktorët kryesorë në të dt vendet të mos i pengojnë çështjet. “Nevojitet një angazhim i fortë politik nga Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, politika e Shteteve të Bashkuara aktualisht po kalon një krizë serioze, kështu që s’është e sigurt sa kohë ata mund të na kushtojnë neve,” tha Maleski. Megjithatë, Maqedonia shpreson të kapitalizojë në vendosmërinë në rritje të Shteteve të Bashkuara dhe BE-së për të kundërshtuar ndikimin në rritje të Rusisë në rajon. Qeveria e Shkupit shpreson se kjo do të nënkuptojnë që Perëndimi do të bëjë më shumë presion për një zgjidhje për debatin e emrit, që më pas do të siguronte anëtarësimin në NATO dhe fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE. Gjatë vizitës së tij në fundit në Maqedoni në fillim të tetorit, zv/ndihmës Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara Hoyt Yee tha se ai ishte optimist për një zgjidhje të mundshme të debatit. “Ne jemi optimistë se nëse të dyja palët vazhdojnë të punojnë me vullnet të mirë, duke kërkuar zgjidhje, do të jetë e mundur që Maqedonia dhe Greqia të gjejnë një zgjidhje për çështjen e emrit dhe që Maqedonia të vazhdojë para me qëllimin e saj për t’iu bashkuar NATO-s,” tha Yee. Disa vëzhgues në Greqi dyshojnë se Athina ndodhet nën presionin e Perëndimit për ta mbyllur këtë çështje, duke theksuar deklaratën e javës së kaluar nga Kotzias, në të cilën ai dukej  i gatshëm të gjente një zgjidhje deri vitin e ardhshëm dhe nuk përmendi “vijat e kuqe” të zakonshme greke. Gazetarja greke Alexandra Voudouri nga radioja Athena 98.4 FM ishte dakord me këtë. Në një intervistë për TV Kanal 5 të Maqedonisë, ajo tha: “Kjo është hera e parë që një ministër i jashtëm grek nuk përmend atë që tashmë dihet, se ne në Greqi duam një emër të përbërë që do të ishte erga omnes (për çfarëdolloj përdorimi, jo vetëm bilateral). Nuk e di nëse kjo do të thotë diçka, por mua më bëri shumë përshtypje”.

Greqia ka shprehur qëndrimin e saj mbi mosmarrëveshjen e emrit dhe në lidhje me të ashtuquajturat “vija të kuqe” qartazi dhe shpesh në të kaluarën. Ajo ka thënë se dëshiron një emër kompleks, që do të kishte edhe një kualifikues gjeografik, për ta dalluar atë qartë midis vendit dhe provincës greke. Athina ka këmbëngulur gjithashtu se ky emër të përdoret brenda dhe jashtë vendit, jo vetëm në mënyrë bilaterale. Së fundi, Greqia ka këmbëngulur që Maqedonia të heqë dorë nga çdo bisedë irredentiste dhe të distancohet nga festimi ose ekspozimi i simboleve që Greqia i pretendon si pjesë e trashëgimisë së vet kombëtare. Megjithatë, Maqedonia ka këmbëngulur se nuk do të pranojë ndonjë ndryshim të emrit të saj për përdorim të brendshëm të saj dhe thotë se çdo emër kompromisi duhet të kufizohet në përdorimin ndërkombëtar, ose mundësisht vetëm bilateral, me Greqinë. Maqedonia gjithashtu ka hedhur poshtë ndryshimet e mundshme të termave të tillë si “maqedonas”, duke u druajtur se kjo mund të rrezikojë identitetin e saj kombëtar dhe të dëmtojë ekonominë e saj duke e privuar atë nga markat e njohura. Për momentin, asnjëra palë nuk i ka treguar pozicionet e saj fillestare përpara bisedimeve të reja, duke këmbëngulur se ata duhet të presin një paketë të re propozimesh nga ndërmjetësuesi i OKB-së Nimetz. Megjithatë, të dyja palët kanë filluar të trajtojnë çështjen e irredentizmit të supozuar të Maqedonisë. Si Dimitrov ashtu edhe Kotzias së fundmi treguan se ata kishin rënë dakord për të krijuar një komision të përbashkët historianësh për të riparë tekstet shkollore në të dy vendet dhe të heqin çdo deklaratë provokuese apo poshtëruese. Qeveria e Maqedonisë, para se të tregojë hapat e saj konkrete në lidhje me emrat e statujave apo vendeve, duket e vendosur të ndalojë shtimin e provokimeve të mëparshme. Mesa duket, Klubi Diplomatik i Maqedonisë, i cili bashkon diplomatë të stërvitur nga vendi, të enjten e kaluar propozoi riemërimin e aeroportit Aleksandri i Madh me emrin e presidentit të parë maqedonas, Kiro Gligorov. Kryeministri Zaev shpejt u përgjigj se kjo ide i dukej e pranueshme. Ministri i jashtëm Dimitrov javën e kaluar përsëriti bindjen e tij se politikat e kaluara të qeverive maqedonase në këtë fushë kanë qenë “të dëmshme për imazhin ndërkombëtar të Maqedonisë”. Megjithatë, çfarëdo që të ndodhë gjatë bisedimeve të ardhshme në lidhje me emrin, ekspertët mendojnë se vendi do të duhet të punojë shpejt nëse dëshiron të mbyllë një marrëveshje dhe të bindë shtetasit e tij skeptikë ta mbështesin atë, para se të vijnë zgjedhjet e vitit 2019.

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>