Sanksionet amerikane ndaj Iranit

Protestat/Kur populli i uritur kthehet në armik

Sekretari amerikan i Thesarit Steven Mnuchin tha të enjten se pret që Shtëpia e Bardhë të vendosë sanksione të reja ndaj Iranit mbi programin e raketave balistike dhe veprimet e tij të dyshuara destabilizuese në Lindjen e Mesme. Por ai vuri në dukje se vendimi për të vazhduar ose jo pezullimin e sanksioneve të tjera në përputhje me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, mbetet në dorën e Presidentit Donald Trump. Afati i fundit për këtë vendim skadon sonte, dhe nënshkruesit e tjerë po e bëjnë të qartë mbështetjen e tyre për marrëveshjen. Protestuesit në Bruksel demonstruan kundër vizitës së ministrit të Jashtëm Iranian Mohammad Javad Zarif të enjten në shenjë solidariteti me demonstratat e fundit anti-qeveritare në Iran.

Por ndërsa hyri në ndërtesën e Bashkimit Evropian, zoti Zarif u prit ngrohtësisht nga homologët e tij të BE-së që këmbëngulën se marrëveshja bërthamore e vitit 2015 po funksionon. “Ajo po realizon synimin kryesor që ka të bëjë me mbajtjen nën kontroll dhe nën vëzhgim të programit bërthamor të Iranit”, tha shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini. Ministri i Jashtëm i Britanisë Boris Johnson tha se veprimet e tjera të Iranit në Lindjen e Mesme nuk duhet të ndikojnë marrëveshjen bërthamore. “Përtej marrëveshjes bërthamore ne duhet të përqëndrohemi në atë që mund të bëjë Irani për të zgjidhur krizën e tmerrshme në Jemen, për të ndihmuar në avancimin e paqes në Siri dhe në zgjidhjen e çështjeve të tjera në rajon”, tha Boris Johnson, Sekretari i Jashtëm i Britanisë. Takimi u zhvillua në prag të afatit të presidentit amerikan Donald Trump për të vazhduar ose jo pezullimin e sanksioneve ndaj Iranit, pjesë e marrëveshjes bërthamore. Sekretari amerikan i Thesarit Steve Mnuchin u tha gazetarëve të enjten se vendimi do të merret nga presidenti, por ai pret sanksione të reja shtesë nga Shtëpia e Bardhë. “Pres sanksione të reja ndaj Iranit. Jemi duke i shqyrtuar. Mendoj se do të ketë sanksione të tjera në të ardhmen”, tha Sekretari i Thesarit Steve Mnuchin.

Marrëveshja e vitit 2015 bëri që të hiqeshin disa sanksione ndaj Teheranit në këmbim të ngrirjes së aktivitetit të pasurimit bërthamore. Agjencia bërthamore e OKB-së, IAEA, thotë se Teherani po përmbush detyrimet e marrëveshjes. Por Evropa dhe Shtetet e Bashkuara e shohin ndryshe marrëveshjen bërthamore, thotë analistja Paulina Izewicz. “Nga perspektiva amerikane, marrëveshja – edhe pse është një marrëveshje bërthamore – është më shumë sesa thjesht bërthamore. Ka shqetësime për programin e raketave balistike të Iranit, aktivitetet rajonale të Iranit. Këto çështje nuk janë të rëndësishme për Evropën”. Megjithë mbështetjen e Evropës për marrëveshjen bërthamore, zonja Izewicz thotë se e ardhmja e saj varet nga vendimi i presidentit Trump. “Edhe pse të gjitha palët janë përpjekur të theksojnë se është një marrëveshje shumëpalëshe, nga ana praktike qëndrimi në të i Shteteve të Bashkuara është tepër i rëndësishëm për të ardhmen e saj, pikë së pari për shkak të lehtësimit të sanksioneve dhe ndikimit të madh që kanë”, thotë analistja. Të gjithë sytë janë tani në Uashington, ndërsa Donald Trump përgatitet të bëjë atë që disa thonë është një nga vendimet më të rëndësishme të politikës së jashtme të presidencës së tij një vjetore.

Kronika – Marrëveshja bërthamore me Iranin në rrezik dështimi/Donald Trumpi dhe administrata e tij e konsiderojnë marrëveshjen bërthamore me Iranin si “marrëveshjen më të keqe të të gjitha kohëve.” Presidenti Trump u përpoq t’i inkurajonte protestat e fundit të vitit në Iran dhe bëri thirrje për përmbysjen e qeverisë. Pikërisht në këtë kohë të acaruar Presindeti amerikan duhet të vendosë për pesë elemente të kësaj marrëveshjeje që e urren. Kjo gjë i bën nervoz evropianët, që e konsiderojnë marrëveshjen bërthamore me Iranin si sukses të madh, sepse me mjetet e diplomacisë është arritur të  pengohet përhapja e armëve bërthamore. IAEA ka dëshmuar nëntë herë me radhë se Irani sipas marrëveshjes e përdor programin e tij atomik për qëllime paqësore.

Më 13 janar merr fund afati për certifikimin e marrëveshjes bërthamore nga ana e Shtëpisë së Bardhë. Presidenti amerikan duhet t’i dëshmojë çdo 90 ditë Kongresit jo vetëm se Irani e respekton marrëveshjen, por edhe se heqja e sanksioneve ndaj Iranit është edhe në interes së SHBA-së. Tani me sa duket Trumpi do ta refuzojë si edhe para tre muajsh certifikimin e marrëveshjes. Pas kësaj fjalën e ka Kongresi dhe ky është mjaft kritik ndaj Iranit. Presidenti Trump u përpoq t’i inkurajonte protestat e fundit të vitit në Iran dhe bëri thirrje për përmbysjen e qeverisë. Studiuesi Sascha Lohmann, që punon pranë universitetit të  Harvardit, tha në një intervistë për DW-në se presidenti mund t’i vendosë sanksionet vetë pa kaluar përmes Kongresit. Por sipas tij saksionet p.sh. për naftën do të forconin njerëzit e gabuar. Në rast se vendosen sanksionet, qeveria iraniane do t’i përdorë ato “për të tërhequr vëmedjen prej keqmanaxhimit ekonomik dhe do ta kërkojë fajin tek sanksionet”.

Gjendja e mjerueshme ekonomike në Iran lidhet kryesisht me shkaqe të brendshme, si keqmenaxhimi dhe korrupsioni. Por kjo lidhet me faktin se edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes JCPOA Irani vazhdon të jetë i përjashtuar prej tregut financiar ndërkombëtar. Sascha Lohmann thotë se “për sa kohë arkitektura e sanksioneve amerikane vazhdon, shumica e sipërmarrjeve dhe firmave globalisht aktive e klasifikojnë Iranin në kuptimin juridik si një fushë ekonomike të minuar”. Një gjë është e sigurt: nëse Donald Trump vendos t’i pezullojë më tej sanksionet sipas marrëveshjen bërthamore, ai mund të presë që evropianët të jenë dakord me fusha të tjera të politikës ndaj Iranit. Presidenti francez Emmanuel Macron tashmë e ka shprehur gatishmërinë e tij për ta bërë këtë. Dhe deklarata e zëdhënësit të BE për DW -në sinjalizon gjithashtu  gatishmërinë për të bërë kompromis: “Çështjet jo-bërthamore, duke përfshirë çështjet e brendshme apo rajonale, janë jashtë JCPOA dhe ne jemi të gatshëm të trajtojmë çështje të tilla në forumet dhe formatet e duhura.” – tha zëdhënësi i BE-së

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>