Serbishtja si kujtesë pushtimi

Shqiptarët kanë një thënie,  të cilën ministri i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe apo peshkopi  i manastirit të Graçanicës, është mirë  t’ia bëjnë me dije presidentit kuptimin e fjalë së urtë“Marrja fle, i zoti e çon”, për të shmangur herë tjetër rënien  në kurthin e saj.

Sepse, Aleksandër Vuçiç në Dubrovnik Forum, ku qenë mbledhur përfaqësues të shteteve të Europës Juglindore, ndër ta edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi,  e zgjoi nga gjumi turpin  e shtetit të vet, edhe pse nuk pati kurrfarë  rrethane shtrënguese. Në qytetin e bukur kroat të Dubrovnikut, organizohej një samit ndërkombëtar dhe, si në çdo mbledhje të këtij lloji, anglishtja ishte gjuha e foltores. Ata që nuk e njohin anglishten apo e kanë atë të papërkryer, mund të përdorin gjuhën amtare dhe përkthyesin.

Këtë bëri Thaçi.

Ai foli shqip.

Por presidenti i Serbisë, ndërsa vendoste kufjet,  provokoi me serbishten siç pati bërë me trenin-kishë dhe parullën “Kosova është Serbi”, e shkruar në  22 gjuhë nëpër vagona, edhe pse synonte të futej në Mitrovicën e veriut e nuk po sillej rretherreth botës, ndryshe nga  treni kinez që pati përshkuar mes për mes gjithë Azinë dhe Europën, dhe mbërriti në Londër pa asnjë parullë  përpos vetëm mallra ngarkuar.

Sipas mediave, me të dëgjuar gjuhën shqipe në Forum,  Aleksandër Vuçiç  ndërhyri menjëherë me ironi: “ Hashim, mundesh lirisht me folë serbisht, që të të kuptojmë të gjithë”, tha.  Ndoshta  edhe për të ndërmendur synimin politik e nostalgjik për ngjizjen e Jugosllavisë së Re.

Që Thaçi e flet serbishten, kjo dihet – ai iu pat drejtuar serbëve të Kosovës në nashki qysh ditën kur u shpall pavarësia. Edhe presidentja Atifete Jahjaga ka pasur disa raste kur u ka folur serbëve në serbisht. Gjuhët janë pasuri madhështore të popujve që i flasin, dhe për krejt  njerëzimin, por fatkeqësisht bota ka përjetuar edhe politika të atilla barbare, të cilat për njëfarë kohe disa gjuhë u bën  …  të urryera.

Kësisoj, serbishtja  ka mbetur si kujtesë pushtimi i Kosovës.

Ata shqiptarë që janë lindur në vitin 1989, kanë moshë 28-vjeçare  – sa një brez njerëzor – dhe nuk  kanë nxënë asnjë fjalë në serbisht. Madje, atë gjuhë, ende e identifikojnë me ngarkesën e fjalimit fashist të Sllobodan  Millosheviçit në Gazimestan në Fushën e Mëllënjave, në 28 qershor të vitit 1989, para një milion serbëve zbritur aty, në 600-vjetorin e Luftës së Kosovës (1389), ku paralajmëroi për luftërat që do të niste duke thënë se” beteja të armatosura” do të kishte në të ardhmen për zhvillimin kombëtar të Serbisë.

Ata shqiptarë që janë lindur në vitin 1999, kur Kosova u çlirua nga NATO, janë 18-vjeçarë  dhe flasin  shqip e anglisht. Tingëllima e serbishtes ua sjell në kujtesë  pushtllëkun e përdhunuesve, zhdukësit e të pafajshmëve, pashpirtësinë e vrasësve, zhuritësit e djegieve dhe urrejtjen e spastruesve të Kosovës.

Ata shqiptarë që kanë lindur në vitin 2008, kur Kosova u shpall e pavarur, janë 9-vjeçarë dhe, edhe pse ende fëmijë, janë mjaftueshëm të rritur për t’u habitur pse Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës,  dhe e dinë që serbishtja është gjuhë e shtetit në veri, por që e flasin edhe  serbët pakicë në Kosovë.

Por, edhe brezi i mesëm, mosha e tretë dhe e katërt kanë probleme serioze  me serbishten e  mësuar  pas Luftës së Dytë Botërore. Ndoshta shpjegimin e saktë e ka bërë  Ramiz Kelmendi, shkrimtar, gazetar, përkthyes, mësimdhënës, me të cilin pata kaluar një drekë në tetor të vitit 2001, ndërsa kishte hapur  shkollën private të gazetarisë “Faik Konica”, e vendosur në ndërtesën më të lartë të Prishtinës, e cila në kohën e Jugosllavisë ishte emërtuar Rilindja. Profesori  me studime universitare të kryera në Fakultetin e Filozofisë në Beograd, dega e gjuhës dhe letërsisë shqipe, diplomuar në vitin 1955 me temën “Proza e Migjenit”, në kohën e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, edhe shumë vite më pas ai e pati përdorur serbishten dendësisht për interesa intelektuale, sidomos duke përkthyer prej asaj gjuhe vepra të autorëve botërorë si  Oruell, Markez, Kafka, Kundera, Grass, Castaneda, Sabato etj.  Por që nga viti 1989 – ndarja e vërtetë e Kosovës nga Serbia – kishin kaluar plot 12 vjet, ndaj e pyeta:

-Ramiz, çfarë po bën serbishtja me ty?

Pa fort me çudi, ndoshta edhe për formulimin, le të themi ters, të pyetjes. Por e hetova se mendja iu vërsul thellë në arkivën e harresës.

-A do të më besosh për çfarë do të them?

-Je njeriu i duhur për këtë përgjigje.

-Më duket sikur nuk kam folur serbisht kurrë në jetën time.

Presdenti serb nuk është aq i ri sa të mos e dijë, që Serbia përdori të gjitha mjetet për serbizimin e popujve të tjerë – shqiptarët po se po. Njëlloj siç në Bashkimin Sovjetik hegjemonizmi rus arsyetonte se të gjithë duhet të flisnin vetëm rusisht, sepse “rusishtja është gjuha që e ka folur Lenini”, kërkonte në poemë edhe Vladimir Majakovski. Madje, edhe popuj numerikisht të mëdhenj si ukrainasit, i detyruan të flisnin vetëm në rusisht, aq gjatë në kohë sa brezat e  rinj ukrainas u gjendën memecë para gjuhës amtare të nënshtruar me padije. Por ndiesia e shqiptarëve për serbishten është deri te barazimi i saj me pushtuesin, siç pas Luftës së Dytë Botërore, edhe në Jugosllavinë e Aleksandër Vuçiç,  gjermanishtja stigmatizohej  si gjuhë që tingëllonte e vrazhdë – dhe ca më keq – nuk e pëlqenin sepse  e kanë folur nazistët. Gjermania e pasluftës kreu gjëra madhështore në raport me vetveten dhe popujt e tjerë, aqsa janë të panumërt të rinjtë që studiojnë dhe krenohen me gjermanishten e mësuar me zell. Por shqiptarët nuk duan të mësojnë serbisht sepse: shteti fqinj i tyre, që i vrau, i dogji dhe i spastroi – domethënë Serbia –  ende nuk ka kërkuar falje; nuk e njeh pavarësinë;  madje vet Aleksandër Vuçiç  shpesh herë e ka përsëritur formulën serbe se Kosova është  pjesë  e territorit të Serbisë; ai shkon në Bruksel për bisedime me shqiptarët dhe sapo kthehet në Beograd  bën pengime ndaj shqiptarëve.

Ndërhyrja e Aleksandër Vuçiç me serbishten në Dubrovnik Forum, ishte ilustrim i përkryer i proverbit “Marrja fle, i zoti e çon”.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>